Ndërlidhjet

O. IVANOVIÇ: NËSE NUK REFORMOHET PUSHTETI PAS 90 DITËSH, NE DO T’I KTHEJMË PRAPA MANDATET


Oliver Ivanoviç, bartës i "Listës Serbe për Kosovën dhe Metohinë"

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Ivanoviç, në listën tuaj me të cilën keni aplikuar për zgjedhje janë vërejtur disa emra të rinj. A është kjo arsyeja pse jeni vonuar me kërkesën tuaj për pjesëmarrje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve?

OLIVER IVANOVIÇ
Ka shumë arsye. Mendoj se shumë njerëz kanë qenë në dilemë, jo mbi atë nëse është e drejtë për të marrë pjesë në zgjedhje, por thjesht mbi çështjen nëse ata janë të gatshëm që nën këtë trysni psiqike dhe praktike, të marrin vendime dhe të marrin përsipër detyrën me përgjegjësi kaq të madhe për t’u futur në listë dhe për të luftuar eventualisht nesër në institucionet e përkohshme, për atë që ata mendojnë se është vizioni i tyre politik. Pra, ka patur dilema dhe në fund të fundit, është e vështirë të formohen tre subjekte politike. Në këtë listë gjenden përfaqësuesit e Partisë Demokratike të Serbisë, përfaqësuesit e Lëvizjes Serbe të Ripërtëritjes dhe përfaqësuesit e koalicionit “Kthimi”, si dhe kandidatë nga Partia Socialdemokrate, të cilët për shkak të qëndrimit të partisë së tyre mbi pjesëmarrjen në zgjedhje, nuk mund të kandidohen si përfaqësues të kësaj partie, por vetëm si kandidatë të pavarur ose si pjesëtarë të koalicionit “Kthimi”.

RADIO EVROPA E LIRË
Në shumë raste keni insistuar se në këto zgjedhje nuk do të marrë pjesë një përqindje e madhe e serbëve të Kosovës. A do të vazhdoni të mbeteni të kënaqur me parashikimet se vetëm 10 përqind do të dalin për të votuar?

OLIVER IVANOVIÇ
Nuk do të doja të deklarohesha mbi përqindjen, kjo është e vështirë për t’u thënë. Por, e di se në zgjedhjet për organet e Serbisë, pra aty ku nuk ekzistojnë dilema të tilla politike dhe nuk ekziston anti-fushata, dalja e votuesve në zgjedhje është shënuar rreth 33 deri në 37 për qind dhe jo më shumë. Në zgjedhjet e fundit parlamentare në Kosovë, në vitin 2001, më duket se 44% e serbëve kanë dalë në votime dhe një gjë e tillë nuk mund të përsëritet më kurrë, për faktin se atmosfera atëhere ishte vërtetë euforike. Unë nuk pres ndonjë përqindje të madhe në pjesëmarrje, para së gjithash për faktin se nuk ekziston interesimi i serbëve të Kosovës për çfarëdo zgjedhjesh. Së dyti, aktualisht po vepron një anti-fushatë intenzive dhe së treti fushata jonë parazgjedhore zgjat vetëm tre-katër ditë. Nën këto rrethana, nuk mund të pritet ndonjë rezultat thelbësor. Megjithatë, kjo mua nuk më pengon fare. Mendoj se në zgjedhje do të dalin ata që duan të dalin, ata që kanë probleme dhe ata që mendojnë se nëpërmjet bisedimeve dhe dialogut demokratik mund të arrihet ndonjë përmirësim. Ata që nuk mendojnë kështu, kanë të drejtë të kenë mendimin e tyre dhe të qëndrojnë anash.

RADIO EVROPA E LIRË
Çfarë do të thotë kjo konkretisht në kontekstin e vendeve në Kuvend, të cilat do të mund t’i fitonit, veçanërisht nëse merret parasysh edhe fakti se në zgjedhje do të marrë pjesë edhe një entitet tjetër politik i serbëve të Kosovës, "Inciativa Qytetare"?

OLIVER IVANOVIÇ
Megjithë respektin, unë mendoj se kjo iniciativa tjetër nuk do të gëzojë ndonjë përkrahje serioze. Ndoshta do të vijë deri tek ndarja e votave, ashtu siç është e zakonshme nëse më shumë se një subjekt që përfaqëson një grup etnik merr pjesë në zgjedhje. Megjithatë, mendoj se nuk do të jetë ndonjë ndarje serioze e votave dhe mendoj se numri më i madh i njerëzve do të votojnë për listën tonë. Sidoqoftë, pas numërimit të fletëvotimeve do të jemi në gjendje të themi se kush ka qenë në gjendje t’i zgjojë votuesit dhe kush ka fituar më së shumti vota. Me siguri vendet do të ndahen proporcionalisht dhe sa i përket bisedimeve eventuale me këtë iniciativë, ne natyrisht kemi shumëçka të përbashkët. Në fund të fundit, këto janë dy lista serbe të cilat padyshim se vuajnë nga problemet e njëjta dhe kanë qëllime të njëjta. Ndoshta rrugët tona deri në arritjen e synimeve tona dallojnë, por kjo nuk do të thotë se ne nuk duhet të ulemi pas zgjedhjeve dhe të bisedojmë, varësisht nga rezultati që arrijmë në zgjedhje.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Ivanoviç, një numër analistësh serbë mendon se pjesëmarrja e pjesërishme e serbëve të Kosovës në zgjedhjet parlamentare do të ketë për pasojë problemin e legjitimitetin të përfaqësimit të gjithëmbarshëm të bashkësisë serbe në Kosovë. A pajtoheni ju me këto vlerësime?

OLIVER IVANOVIÇ
Mendoj se këto janë konstatime paushalle dhe ato fare nuk qëndrojnë. Kjo do të thoshte se nëse një parti politike shqiptare, e cila në zgjedhjet e kaluara ka fituar më pak se 8 ose 7 për qind të votave nga 50 për qind e elektoratit, atëherë as kjo parti nuk mund ta ketë legjitimitetin e përfaqësimit. Kjo fare nuk qëndron dhe shfrytëzohet si argument nga ata që nuk i kuptojnë këto zhvillime. Padyshim se roli dhe ndikimi do të ishte më i fuqishëm po të kishim pjesëmarrje serioze që do të përcillej me votat për listën tonë, por unë e di me siguri se ne nuk mund të zgjidhim çështjen e legjitimitetit të 100%-të. Ne do të zgjidhim çështjet e rëndomta për njerëzit e rëndomtë dhe për një gjë të tillë është e rëndësishme që dikush të ketë legjitimitetin e fituar nëpërmjet zgjedhjeve. Kjo në çdo rast do të jetë zgjidhje më e mirë se ajo e emërimit të përfaqësuesve nga ana e UNMIK-ut apo Qeverisë. Pra, këta njerëz që gjenden në listën tonë nuk kanë pranuar kurrsesi të emërohen, ne e kemi qartësuar se nuk do të pranojmë të emërohemi. Neve një gjë e tillë nuk na intereson, funksioni si funksion nuk na intereson, neve na intereson mundësia praktike për të vepruar dhe një gjë të këtillë mund ta arrijmë nëse kalojmë nëpër zgjedhje, çfarëdo qofshin ato.

RADIO EVROPA E LIRË
Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, megjithatë ka kushtëzuar daljen tuaj në votime. Nëse për tre muaj nuk reformohet pushteti vendor, ai do të kërkojë nga ju që të braktisni institucionet. Ju vërtetë do ta bënit këtë?

OLIVER IVANOVIÇ
Absolutisht po. Ne thjesht kemi besim në atë që presidenti Tadiç ka thënë se pas bisedimeve që ai ka zhvilluar - bisedimeve të ngjashme që edhe ne kemi zhvilluar si përfaqësues të serbëve me të gjithë, përfshirë këtu përfaqësuesit e lartë të Bashkimit Evropian, të Këshillit të Evropës, të administratës amerikane, të Këshillit të Sigurimit – mendoj se diçka ka ndryshuar në konceptin e bashkësisë ndërkombëtare, se ajo ka filluar të kuptojë më seriozisht problemet tona dhe se më në fund do të jetë e gatshme të bëjë diçka për të mundësuar një jetë sado normale për ne. Pra, ky trend pozitiv dhe premtimet që janë dhënë se situata do të ndryshohet duhet vënë në sprovë. 90 ditë pas formimit të Qeverisë mendoj se është afat i arsyeshëm. Këto do të jenë ato 100 ditët e para të Qeverisë, të cilat vlerësohen në mbarë botën për arritjet e para. Nëse institucionet e përkohshme, edhe pse unë kësaj rradhe insistoj në UNMIK-un, nëse UNMIK-u nuk e realizon atë që ka premtuar dhe atë që do të ishte e natyrshme për të premtuar - edhe nëse nuk e ka bërë këtë - për shkak të mandatit që ka, atëherë ne nuk kemi arsye për të mbetur në këto institucione. Unë madje do të shkoj më larg dhe do të tentoj që një ide timen t’ua propozoj edhe anëtarëve të tjerë të grupit parlamentar atëherë kur të jetë formuar; ideja ime është që presidentit Tadiç t’ia dorëzojmë dorëheqjet tona në zarf dhe t’i mundësojmë atij që të vlerësojë mbi arritjet që janë realizuar në bazë të asaj që është premtuar, t’i publikojë edhe zyrtarisht dorëheqjet, me çka do të kuptohej se nuk do t’i braktisim institucionet për një periudhë të përkohshme, por do t’i kthejmë prapa mandatet.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG