Ndërlidhjet

PETERSEN ANULLON PROCESIN E TENDERIT TË OPERATORIT TË DYTË TË TELEFONISË MOBILE


Albana Isufi, Prishtinë

UNMIK-u ka anuluar procesin e tenderit publik të telefonisë së dytë mobile në Kosovë. Të gjitha veprimet, marrëveshjet dhe vendimet që kanë qenë të lidhura me fituesin e tenderit të dytë të telefonisë mobile janë shpallur të pavlefshme dhe pa efekt ligjor. UNMIK-u e mori këtë vendim pak orë pasi që Autoriteti Rregullator i Telekomunikacionit nënshkroi licencën për telefoninë e dytë mobile me konsorciumin Mobitel – Mobikos.
Vendimin e vet UNMIK-u e bazon në një sërë rekomandimesh që janë bërë nga kryeministri Bajram Rexhepi, nga ish-zëvendëskryadministratori Çarls Brajshou e nga Grupit i Kontaktit për rishikimin e procedurave tenderuese.
“Duke marrë parasysh se është në të mirë të Kosovës dhe zhvillimit ekonomik, mundësisë që të tërheqë investorët, atëherë duhet të rishpallet në mënyrë transparente dhe të përkryer tenderi i telefonisë së dytë mobile. Për rrjedhojë, tenderi i deritanishëm anullohet," thuhet në vendimin e UNMIK-ut të nënshkruar dje, por të publikuar sot.
Ndërkohë, drejtori i Autoritetit Rregullator të Telekomunikacionit Anton Berisha, i cili gjatë ceremonisë së nënshkrimit bëri të ditur se ishte marrë vesh me të gjitha palët për nënshkrimin e licencës, për Radion Evropa e Lirë tha se nuk është në dijeni për anullimin e tenderit nga ana e UNMIK-ut.
“Unë i kam ofruar gadishmëri zotit Rossin për të diskutuar për çështjen e procesit dhe i kam dërguar një letër zotit Jessen Petersen, kam kontaktuar edhe me zyrat e Kuintit dhe të gjithë kanë qenë të njoftuar me procesimin e këtij tenderi. Ne sot e kemi bërë nënshkrimin, pasi validiteti i ofertës ka qenë në përfundim. Nëse ata mendojnë se duhet të anullohet atëherë do të shikojmë se cilat janë hapat e mëtejshëm, por sigurisht këta katër muaj vonesë i kanë shkaktuar humbje të mëdha ekonomisë së Kosovës dhe tani do të shkaktohen humbje të reja”, tha Anton Berisha.
Nga ana tjetër drejtori i Mobikosit Fatmir Gashi, i cili paradite kishte paralajmëruar se që nga e hëna do të fillojë implementimin e projektit, nuk e ka komentuar vendimin e UNMIK-ut pasi sipas tij nuk kanë parë ende vendimin zyrtar.
Më herët zyrtarët sllovenë të MOBITEL-it patën paralajmëruar se në rast të anullimit të tenderit do të kërkojnë të drejtën e tyre përmes rrugëve ligjore.
Tani mbetet çështje e hapur nëse Ministria e Transportit dhe Telekomunikacionit do të rishpallë tender tjetër apo do të licencojë kompaninë IPKO-në si operator të dytë të telefonisë mobile, pasi ishte fituese e dytë në këtë garë.




XS
SM
MD
LG