Ndërlidhjet

SHTYPI PERËNDIMOR MBI ZGJEDHJET NË KOSOVË DHE BOJKOTIN E SERBËVE


Bojkotimi i zgjedhjeve të së shtunës nga ana e komunitetit serb në Kosovë ka vënë në pah tensionet ndëretnike që ekzistojnë, duke ngritur kësisoj edhe mundësinë që udhëheqësit shqiptarë të shpallin në mënyrë unilaterale pavarësinë, nëse Kombet e Bashkuara dështojnë të përcaktojnë statusin e ardhshëm politik të Kosovës. Financial Times shkruan se vetëm 0.3 për qind e votuesve serbë kanë dalë në votimet e së shtunës, duke iu përgjigjur thirrjeve për të mos u dhënë legjitimitet institucioneve të ardhshme të Kosovës dhe qasjes së tyre për ta arritur pavarësinë. Sipas rregullave zgjedhore, komuniteti serb i ka të rezervuara 10 vende në Kuvendin e ardhshëm të Kosovës, por pjesëmarrja e ulët e votuesve vë në pikëpyetje legjitimitetin e tyre. Diplomatët perëndimorë thonë se kryeministri serb Vojisllav Koshtunica, kërkon nga komuniteti ndërkombëtar, që të përkrahë planin e Qeverisë serbe për decentralizimin e pushtetit vendor në Kosovë. Por, Financial Times citon zonjën Dushka Anastasijeviç nga Iniciativa për Stabilitet Evropian, e cila ka thënë se plani për decentralizimin është një propozim i maskuar që për qëllim ka ndarjen e Kosovës dhe vënien e kufirit përgjatë lumit Ibër në Mitrovicë. Sidoqoftë, Financial Times shkruan se Kombet e Bashkuara duhet të gjejnë një kornizë, nëpërmjet të së cilës pakica serbe do të merrej me çështjet e veta pa pasur frikë nga sulmet që mund të vijnë prej komunitetit shqiptar.
E përditshmja tjetër, Daily Telegraph shkruan se edhe pesë vjet pas ndërhyrjes ndërkombëtare, arritjet politike drejt përcaktimit të statusit politik deri tani kanë qenë jothelbësore, kurse integrimi i shqiptarëve dhe serbëve mbetet dështim.
Reagimi i votuesve mbi stagnimin politik dhe ekonomik, është pasqyruar në zgjedhjet e përgjithshme të së shtunës, me faktin se asnjë parti nuk ka fituar mjaft vota për ta formuar qeverinë. Numri jo i mjaftueshëm i votuesve në përgjithësi dhe një bojkotim pothuajse i tërësishëm nga komuniteti serb, janë dukuri që dëshmojnë për një situatë relativisht të pakënaqshme, e cila duket se është prodhuar nga ngurimi i Kombeve të Bashkuara për t’u thënë zyrtarëve serbë se, siç shkruan gazeta, spastrimi etnik që ka ndodhur në Kosovë më 1999, i ka shlyer ata edhe përfundimisht nga e ardhmja e Kosovës.
Daily Telegraph shkruan se pavarësia duhet të jetë statusi përfundimtar i Kosovës. Bisedimet mbi këtë cështje duhet të realizohen me qëllim që t’i jipet fund gjendjes së pakuptimtë në Kosovë sa më shpejt që të jetë e mundur. Çdo zvarritje në këtë drejtim, shkruan gazeta, vetëm sa do të shtojë tensionet ndëretnike.




XS
SM
MD
LG