Ndërlidhjet

SERBËT ME QËNDRIME TË NDRYSHME PËR PJESËMARRJEN NË KUVEND


Zijadin Gashi, Prishtinë

Përfaqësuesit e "Listës Serbe për Kosovën e Metohinë" paralajmërojnë mundësinë që të mos i marrin fare mandatet e rezervuar në Kuvendin e Kosovës. Përgjigja shumë e ulët e elektoratit serb që të dalë në votime, sipas përfaqësuesve të kësaj Liste, i ka vënë ata në dilemë nëse do të marrin pjesë apo jo në Kuvend, ku i kanë 10 vende të rezervuara, pasi nga votimet e drejtpërdrejta besojnë se nuk kanë fituar asnjë vend për shkak të numrit simbolik të pjesmarrjes së serbëve në votime. Njëri prej kandidatëve të "Listës Serbe për Kosovën dhe Metohinë" Dragisha Kërstoviç, thotë se ai për vete ka vendosur që të mos shkojë në Kuvend, ndërsa paralajmëron zhvillimin e një takimi të "Listës Serbe" me kryetarin e Serbisë Boris Tadiç, për të biseduar si të veprohet në këtë rast:
“Mendoj se kryetari i republikës, Boris Tadiç do të ketë mirëkuptim për qëndrimet, siç është ky i imi dhe do të ishte mirë që e tërë "Lista Serbe" të kishte një qëndrim të përbashkët”, tha Dragisha Kërstoviç, duke favorizuar mundësinë që të mos merren mandatet e rezervuara.
Ndërkohë subjekti i dytë serb që ka dalë në zgjedhjet e të shtunës së kaluar, Iniciativa Qytetare "Serbia", sipas kryetarit të saj Sllavisha Petkoviç, do t’i marrë mandatet e rezervuara që i takojnë në Kuvend. Mos-daljen e serbëve në zgjedhje, ai nuk e sheh si qëndrim të popullatës serbe, por e sheh si pasojë të presioneve që janë përdorur nga grupe të caktuara të bashkëkombasve të tyre për të mos dalë në votime:
“Janë përdorur mjetet më brutale, të cilat vetëm Hitleri i ka përdorur kur erdhi në pushtet në Gjermani. Kjo do të thotë se njerëzit janë kërcënuar madje edhe me likuidim fizik nëse dalin në votime, janë kërcënuar se do të dëbohen nga puna dhe nuk do të marrin pagat, prandaj serbët ishin të frikësuar dhe nuk kanë guxuar të dalin në votime”, thotë Petkoviç, duke vlerësuar se mos-dalja e serbëve nuk paraqet vullnetin e popullatës serbe në Kosovë.
Në anën tjetër, Ramush Tahiri, këshilltar i kryetarit ende aktual të Kuvendit të Kosovës Nexhat Daci, duke sqaruar procedurat në vijim, thotë se ato parashohin konstituimin e Parlamentit, pavarësisht qëndrimeve të grupeve parlamentare nëse duan apo jo të marrin pjesë në punën e Parlamentit:
“Dhjetë vendet e rezervuara për pakicën serbe mbeten të pazëvendësuara dhe në momentin që ata vendosin se do t’i zëvendësojnë me këto dy subjekte që i kanë, atëherë do të zëvendësohen," tha Tahiri.
Ramush Tahiri, thotë po ashtu se mungesa e përfaqësuesve të një komuniteti, në këtë rast e serbëve, sipas akteve ligjore nuk e vë në dyshim legjitimitetin e punës në Kuvend, pasi vendimet në këtë institucion nuk merren mbi bazat e koncensusit nacional dhe nuk është i konstituuar mbi bazat etnike, por qytetare.
Parlamenti i Kosovës ka gjithsej 120 vende. Prej tyre, 100 vende shpërndahen sipas modelit proporcional në bazë të rezultatit të zgjedhjeve mes të gjitha subjekteve pjesëmarrëse që fitojnë kuotën e caktuar. Kurse nga 20 vendet e rezervuara, 10 i takojnë pakicës serbe dhe po aq të gjitha pakicave tjera.




XS
SM
MD
LG