Ndërlidhjet

M. LIMANI: LIDERËT POLITIKË NË KOSOVË JANË PASURUAR BRENDA NATËS


Nadie Ahmeti, Prishtinë

Kosova është një vend me varfëri prej më shumë se 50 për qind dhe papunësi prej më shumë se 70 për qind. Por udhëheqësit kosovarë, sipas të dhënave që ata vetë kanë publikuar, mund të quhen të pasur. Disa prej tyre posedojnë qindra mijëra euro, e disa të tjerë dhjetëra milionë. Ekspertë të çështjeve ekonomike dhe ligjore thonë se në mungesë të mekanizmave mbikqyrës, pasuria e tyre mund të jetë e paligjshme. Musa Limani, drejtor i Institutit Ekonomik pohon se përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës janë të korruptuar dhe për këtë arsye asnjëri nuk mund ta padisë tjetrin.
“Unë kërkoj falje prej atyre që pasurinë e kanë fituar më djersë, por një numër i konsiderueshëm në sajë të paligjshmërive, zbrazësirës ligjore dhe pa ndonjë disiplinë kontrolli ekonomik, kanë ardhur deri të pasurimi i jashtëzakonshëm brenda natës. Dhe ata sot përbëjnë një pjesë shumë të vogël të popullatës. Ndërsa në anën tjetër kemi për çdo ditë rritjen e problemit social dhe rritjen e numrit të të varfërve”, tha zoti Limani.
Riza Smaka, kryetar i Shoqatës së Juristëve të Kosovës, thotë se egziston dyshimi i bazuar se ka korrupsion. Udhëheqësit politikë në përgjithësi, sipas tij, brenda një kohe shumë të shkurtër janë pasuruar në një mënyrë relativisht të dyshimtë.
“Ne kemi nevojë jetike që të luftojmë korrupsionin me të gjitha instrumentet dhe mekanizmat. Se është një ndër parakushtet e krijimit, ndër të tjera, të standardit juridik, sundimit të ligjit. Prandaj, do të duhej nga kreu i Kosovës e deri tek pastruesi nëse është nevoja, jo e kundërta. Liderët e partive politike, në radhë të parë, udhëheqësit e institucioneve”, tha zoti Smaka.
Por, nga vjen atëherë kjo pasuri? Musa Limani përgjigjet:
“Me siguri korrupsioni vjen nga institucionet e larta, sepse unë si pedagog, profesor, nuk mundem të korruptohem sepse nuk kam kompetenca, mund të korruptohet ai i cili i ka doganat, ministrinë e ekonomisë, tregtisë, industrisë, financave, komunikacionit etj. Prandaj, populli ka sy dhe vesh dhe nga ajo që dihet ky pasurim brenda natës e ka burimin e vetë në baza jo të shëndosha, domethënë në mito, korrupsion përmes tendërve dhe formave të tjera, të cilat e ndihmojnë pasurimin e pabazë, ose të paligjshëm”, tha zoti Limani.
Zoti Smaka tregon edhe rrugët e tjera që mund të çojnë deri tek pasuria e paligjshme e liderëve kosovarë.
“Eksporti, importi i mallrave të dyshimta, mallrave të pakontrolluara, të padoganuara, pa akcizë, monopolet në karburanet, në mallra të tjera, cigare, trafikimet e ndryshme”, tha zoti Smaka.
Muhamet Mustafa, kryetar i Institutit për Hulumtime Zhvillimore “RIINVEST”, thotë se keqpërdorimi i pozitës së udhëheqësve mund të shmanget me krijimin e mekanizmave konkretë.
“Mekanizmat janë dy llojesh: egzistojnë ligjet, trupat, komisionet që merren më verifikimin e dokumenteve lidhur me pasurinë e deklaruar, lidhur me taksat e paguara. Sepse ata që e kanë krijuar këtë pasuri, shtrohet pyetja, sa i kanë paguar taksat shoqërisë? Nëqoftëse se ata kanë një pasuri të madhe, ata duhet t’i kenë paguar taksat. Mekanizimi i dytë ka të bëjë me një angazhim më të madh të opinionit sidomos shoqërisë civile, e cila është një mekanizëm kontrollues dhe që nuk është indiferente, nëqoftë se e sheh se dikush është pasuruar në mënyrë të paligjshme, ose abuzon apo e keqpërdor pozitën”, tha zoti Mustafa.
Zoti Limani ndërkaq pohon se miratimi i ligjit antikorrupsion është edhe një tjetër rrugë që parandalon pasurinë e paligjshme.
“Për të bërë një gjë të tillë, qeveria e re nuk duhet të bëhet me atë bashkëqeverisje si ka ndodhur në mandatin e kaluar, që partitë të cilat kanë fituar votat e caktuara të propozojnë kandidatët për ministra dhe vende të tjera udhëheqëse. Unë mendoj se duhet të bëhet një qeveri ekspertësh ku kryeministri do t'i ketë duart e lira edhe për t'i zgjedhur ministrat, që kriteri kryesor duhet të jetë ana profesionale, morale, njerëzore dhe kombëtare dhe të ketë të drejtën e shkarkimit të tyre”, tha zoti Limani.
Dyshimet mbi prejardhjen e pasurisë së udhëheqësve i shprehin edhe disa nga qytetarët e Kosovës. Vjosa Gashi nga Prishtina thotë se nuk është e mundur që e gjithë kjo pasuri e tyre të fitohet më djersë.
“Po, natyrisht se egziston korrupsioni në institucionet vendore, sidomos tek liderët dhe udhëheqja primare që janë në udhëheqjen shtetërore. Mendoj, duke u nisur parimi se për tre vite, askush nuk arrin ta ndërtojë një vilë me rrogën prej 400 deri 1000 euro në muaj, sa i marrin në parlament. Kështu që ata diku i kanë marrë ato pare, nuk u kanë pikuar nga qielli”, tha zonjusha Gashi.
Hasan Sadriu, nga Gjakova, gjithashtu është i mendimit se korrupsioni egziston.
“Unë mendoj se disa liderë praktikisht janë të pasur në këtë pikëpamje, praktikisht shumën ku e kanë krijuar të tjerët duhet që të përcaktohet. Ose duhen gjetur rrugët nga erdhi ajo, që për gjashtë vjet të krijohet një kapital i tillë, që me të vërtetë është marramendës,” tha zoti Sadriu.
Në Kosovë në fakt egziston Zyra e Revizorit, por ajo mbikqyr vetëm mënyrën se si shpenzohen të hollat nga buxheti i konsoliduar i Kosovës. I vetmi njësit që punon për korrupsionin institucional dhe merret me hetime financiare është njësiti italian anti-mafia Guardia di Financia, i cili ka vënë nën hetime disa udhëheqës të ndërmarrjeve publike në Kosovë.


XS
SM
MD
LG