Ndërlidhjet

ENDE E PAQARTË PJESËMARRJA E SERBËVE NË KUVEND


Bekim Bislimi, Prishtinë

Pas konsultimeve të gjera me Beogradin dhe bashkësinë ndërkombëtare, besohet se “Lista Serbe e Kosovës dhe Metohisë” si subjekt politik, gjatë kësaj jave do të vendosë nëse do të pranojë mandatet e deputetëve për Kuvendin e Kosovës. Kështu ka deklaruar një nga përfaqësuesit e kësaj liste, Rangjell Nojkiç. Ai thekson se para se të merret çfardo vendimi, është e nevoshme që të analizohet çështja se në çfarë mënyre përfaqësuesit serbë, duke punuar në institucione, mund të përmirësojnë jetesën e bashkësisë serbe. Sipas tij, aktualisht janë duke u bërë konsultime të shumta me autoritetet në Beograd dhe përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare, pas të cilave pritet të mbahet mbledhja e përfaqësuesve serbë kësaj Liste me kryetarin e Serbisë, Boris Tadiç.
“Unë mendoj se gjatë kësaj jave gjërat do të jenë më të qarta . E tëra varet nga aktivitetet diplomatike që janë duke u zhvilluar këto ditë dhe shpresoj se situata do të jetë shumë më e qartë”, tha zoti Nojkiç.
Në anë tjetër, lideri i Iniciativës qytetare “Serbia”. Sllavisha Petkoviç, ka deklaruar se ata do të hyjnë në Kuvend dhe se atij nuk i nevojiten konsultimet me Beogradin. Nga 120 vende për deputetë në Kuvendin e Kosovës, 20 janë të rezervuara për pakicat. Përfaqësuesit e serbëve konsiderojnë se janë relativisht forcë e vogël, sidomos për shkak të bojkotimit të zgjedhjeve, përkatësisht, daljes në zgjedhje më pak se 1 përqind, ata do të fitojnë vetëm 10 vende. Mandatet për përfaqësuesit serb, do të ndahen nga dy subjektet politike, "Listës serbe të Kosovës dhe Metohisë" dhe Iniciativës qytetare “Serbija”, në bazë të votave të fituara.
Ndërkaq, Dragisha Krstoviç, i dyti i radhitur në "Listën Serbe për Kosovën e Metohinë”, thotë se për shkak të pjesëmarrjes së ulët të serbëve në zgjedhje, përfaqësuesit serbë nuk kanë legjitimitet për pjesëmarrje në institucione, por, megjithatë, thotë ai ekzistojnë arsye politike për pjesëmarrje.
“Mendoj se kjo është e mirë për shkak se kjo është një situatë që këta 10 përfaqësues të serbëve mund t’i mbajnë dyert e hapura për të vazhduar bashkëpunimin në mes palës serbe dhe bashkësisë ndërkombëtare dhe palës serbe dhe asaj shqiptare, si dhe më të gjithë ata për të cilët çështja e Kosovës është i rëndësishme”, tha zoti Krstoviç. Ai ka shtuar se vetëm me pjesëmarrje në institucione mund të mbrohet interesi i serbëve dhe se nuk ka alternativë tjetër. Sipas tij, në rast se serbët nuk do të marrin pjesë në institucionet kosovare, ata do të humbnin çdo mundësi për mbrojtje efikase, demokratike dhe të pranuar nga bashkësia ndërkombëtare, të interesave të tyre.




XS
SM
MD
LG