Ndërlidhjet

PARTITË POLITIKE TË KOSOVËS INTENSIFIKOJNË NEGOCIATAT PËR FORMIMIN E QEVERISË


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Ashtu siç edhe kanë premtuar, partitë politike po zhvillojnë negociata intensive ndërmjet tyre, në kërkim të formulës së përshtatshme të qeverisjes, ndërkohë që duket se të gjitha tashmë janë pajtuar se bashkëqeverisja duhet të jetë e shkallës së gjerë.
Zëdhënësi i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lulzim Zeneli, tha se ndërtimi i institucioneve do të varet nga procesi i zgjedhjes së partnerëve për koalicione të mundshme:
"Normalisht që ne e kemi thënë edhe gjatë fushatës se është në të mirën e progresit në Kosovë, që të instalohet spektri pozitë-opozitë, mirëpo është herët të flitet, pasi do të varet edhe nga procesi i negociimit për zgjedhjen e partnerëve për ndërtimin e qeverisjes".
Sidoqoftë, tha Zeneli, LDK pret që ky proces të rezultojë pozitivisht, ndërsa preferenca e kësaj partie, që ka fituar 47 vende në parlament, është ngritja e nivelit të përgjegjësisë së institucioneve qeverisëse në raport me parlamentin.
Ndërkaq, njëri nga negociatorët e Partisë Demokratike për ndërtimin e qeverisjes Xhavit Haliti, tha se kjo parti, që ka 30 vende në parlament ka biseduar me shumicën e subjekteve politike të Kosovës për mundësinë e qeverisjes së përbashkët, pasi sipas tij, fakti që vitin e ardhshëm fillon përcaktimi i statusit përfundimtar, kërkon nga Kosova një bashkëqeverisje me spektër të gjerë, në mënyrë që delegacioni i ardhshëm i Kosovës të jetë në nivelin e duhur:
"PDK është përcaktuar që njërin nga postet udhëheqëse në institucionet e Kosovës ta drejtojë PDK. Në këtë rast mendoj se posti i kryeministrit dhe disa ministri, përfshirë edhe institucione të tjera do të ishin të pranueshme nga PDK."
Në anën tjetër, Bujar Dugolli, zyrtar i lartë i AAK-së, thotë se pavarësisht nga formula e qeverisjes, kjo parti mendon se subjektet duhet të deklarohen për një platformë politike se si duhet të qeveriset vendi në periudhën e ardhshme. Kjo parti, thotë Dugolli e ka kushtin e saj për bashkëqeverisje:
"AAK është e fortifikuar në qëndrimin e vet se pas arritjes së marrëveshjes politike, në marrëveshjen teknike, synon dhe është e palëkundur që kryeministër i Kosovës të jetë Ramush Haradinaj, si kandidat i vetëm".
Ndërkaq, Ylber Hysa drejtues i subjektit Ora që ka 7 vende në parlamentin e ri të Kosovës, thotë se kanë mbajtur premtimin e dhënë gjatë fushatës se do të jetë e interesuar për koncept qeverisës dhe jo për një lloj pazari politik vetëm në bazë të matematikës:
"Ne jemi të gatshëm për të shkuar përpara, nëse koncepti ynë që zbërthen konsenzuse dhe mënyra të avancuara të qeverisjes, aprovohet si i tillë. Atëherë ne jemi të gatshëm për ta zbatuar atë",
tha Hysa, duke u shprehur i vetëdijshëm për peshën që ky subjekt e ka në bazë të votave, por kjo në asnjë moment nuk na bën të bëjmë kompromise rreth këtij koncepti, tha ai.
Sidoqoftë, sipas Kornizës Kushtetuese të Kosovës, parlamenti duhet të mblidhet jo më larg se tridhjetë ditë nga dita e certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve nga kryeadministratori ndërkombëtar i Kosovës, ndërkohë që vetë parlamenti, duhet të zgjedhë presidentin e Kosovës dhe kryeministrin.
XS
SM
MD
LG