Ndërlidhjet

Lajm i jashtëzakonshëm

FILLIMI I SHPËRNDARJES SË PASHAPORTAVE DYGJUHËSHE I SHOQËRUAR ME PROBLEME


Isuf Kadriu, Shkup

Ministria e Punëve të Brendshme duke respektuar obligimet që dalin nga marrëveshja kornizë, sot ka promovuar pashaportat në dy gjuhë. Tani e tutje popullata shqiptare e Maqedonisë pashaportat e saj përveç gjuhës maqedonase do t'i ketë edhe në gjuhën amëtare, duke filluar nga ballina e pashaportës së re.
"Që sot qytetarët do të kenë në duart e tyre pashaportën dygjuhëshe. Pashaporta si në librezën e saj po ashtu edhe në ballinë është e shkruar në maqedonisht, shqip dhe anglisht dhe të gjitha të dhënat që do të plotësohen në pashaportë po ashtu do të jenë në dy gjuhë", tha sekretari shtetëror në Ministrinë e Punëve të Brendshme Sali Ramadani, sipas të cilit edhe formularët do të jenë në gjuhën shqipe dhe maqedonishte. Ai njoftoi se ministria ka siguruar një numër të mjaftueshëm të pashaportave, që të mund të evitohen problemet që ishin të pranishme me rastin e promovimit të letërnjoftimeve dygjuhëshe.
"Megjithatë e kemi rregulluar dhe është në rregull. Janë shtypur një numër i konsiderueshëm dhe janë furnizuar të gjithë sektorët. Pashaporta e re ka pësuar edhe disa ndryshime. Në ballinën e saj tani figuron edhe stema e Maqedonisë, ndërsa risia qëndron edhe në atë se në pashaportën e re, shkruhen të dhënat për personat, të cilët mbi tre muaj qëndrojnë jashtë vendit."
Sipas Sali Ramadanit interesi për pashaportë dygjuhëshe është tepër i madh. Vetëm në Tetovë mbi 200 persona kanë kërkuar që pashaporta e tyre të jetë edhe në gjuhën shqipe. Ndërkohë në sportelet e stacionit policor në Beko të Shkupit, interesi i qytetarëve shqiptarë për t'u pajisur me pashaportë në gjuhën e tyre amëtare ishte i madh.
"Unë jam Kenan Saliu, prej fshatit Luboten. Kam ardhur që të nxjerr pashaportën. Ka gati një muaj që më ka kaluar, por po pritja ditën e sotme për ta nxjerrë pashaportën dygjuhëshe. Jam shqiptar dhe mendoj se më takon ta nxjerr pashaportën me dy gjuhë."
"Më mirë është se jam shqiptar dhe e dua në dy gjuhë", thotë një qytetar tjetër.
Ndërkohë nuk kanë munguar as ankesat e tyre ndaj sjelljes së të punësuarve në sportele.
"Na kanë kthyer 3 herë. Jam duke pritur prej dy orësh. Unë e dua pashaportën dy gjuhëshe. Kush i bën problem një sherr të madh po bëjnë. Vetëm një po punon. Unë jam 100 vjeçare por vetëm një sportel po punon."
"Kam katër ditë që po merrem me këtë pashaportë në gjuhën shqipe. Ajo është më shumë problem. Ta nxjerrësh në maqedonisht është shumë më e lehtë, por ngaqë dua ta marr pashaportën në shqip, ka shumë probleme", thotë një qytetar tjetër.
Ndërkohë sekretari shtetëror në Ministrinë e Punëve të Brendshme Sali Ramadani thotë se nuk ka të dhëna për parregullsi gjatë shpërndarjes së pashaportave të reja.
"Nuk kemi të dhëna. I kemi kontaktuar të gjitha sektorët dhe gjithshka ka shkuar rrjedhshëm. Ai proces do të jetë i lehtësuar tani me pranimin e një numri të konsiderueshëm të referentëve për administratorë shtetërorë."
Në bazë të marrëveshjes kornizë së shpejti edhe çertifikatat e lindjes si dhe lejet e vozitjes duhet të jenë në dy gjuhë.


XS
SM
MD
LG