Ndërlidhjet

SHALA: AKM KËRKON PJESËMARRJE TË GJERË TË INVESTITORËVE PËR RAUNDIN E RI TË PRIVATIZIMIT


Ahmet Shala, zëvendësdrejtor i AKM-së

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Shala, është shpallur raundi i katërt i privatizimit, por shumë nga ndërmarrjet e shitura në raundet e kaluara nuk kanë filluar së funksionuari. Cili është problemi i zvarritjes së privatizimit?

AHMET SHALA
Këtu janë dy tema. Është tema e privatizimit dhe tema e pos-privatizimit. Natyrisht secili që e ka blerë ndërmarrjen përpiqet që të gjejë veten në rrethanat e reja të ekonomisë së tregut të hapur dhe natyrisht atyre u duhet kohë për të konsoliduar përveç investimeve edhe marketingun, qasjen e re ndaj blerësve potencialë në rajon, ndaj konkurrencës si dhe produkteve të reja. Sa i përket privatizimit mendoj që me të gjitha telashet që i ka patur ose i ka, është duke shkuar megjithatë mirë.

RADIO EVROPA E LIRË
Me formimin e qeverisë së re, anëtarët vendas të bordit të AKM-së janë ndërruar. A do të fillojë së funksionuari bordi që nuk është takuar që prej gati një viti?

AHMET SHALA
Ne natyrisht shpresojmë që qeveria e re, në bashkëpunim me udhëheqësit e rinj të UNMIK-ut, me strukturat e tjera ndikuese, do të përshpejtojnë përcaktimin e anëtarëve të bordit, apo riformimin e bordit në përgjithësi dhe ky do të jetë edhe një impuls drejt përshpejtimit të të gjitha proceseve, qofshin ato që kanë qenë deri më tani, qofshin ato të cilat janë në fokus të privatizimit dhe proceseve të reja.

RADIO EVROPA E LIRË
Shefi i shtyllës së katërt të UNMIK-ut Nikolas Lambsdorf do të largohet në janar nga Kosova. Si do të ndikojë largimi i tij në procesin e privatizimit meqënëse shpesh nga vendasit është akuzuar për zvarritjen e procesit të privatizimit?

AHMET SHALA
Ndryshime do të ketë gjithnjë në vende të ndryshme, por institucionet sigurisht kanë procedurat dhe përgjegjësinë për të riemëruar apo përcaktuar njerëz, të cilët vërtetë do t'i ndihmojnë procesit në përgjithësi dhe jo vetëm procesit të privatizimit por edhe proceseve të tjera. Dhe shpresojmë që edhe Bashkimi Evropian edhe UNMIK-u, veçanërisht siç e keni përcjellë zotin Petersen, kanë fiksuar apo janë në përpjekje të fiksimit të personave, të cilët do t'u përshtaten rrethanave në Kosovë dhe të cilët shpresojmë që do të jenë në gjendje që proceset e filluara, por edhe ato të ngadalësuara t'i përshpejtojnë në funksion të rimëkëmbjes ekonomike, politike dhe sociale, madje dhe psikologjike të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Ekspertët vendas shpesh e kanë parë qeverinë e Kosovës si opozita e AKM-së. A do t'i bashkërendoni tani veprimet me institucionet e reja?

AHMET SHALA
Nuk besoj se ka qenë si opozita e AKM-së, por vetë procesi i privatizimit kërkon natyrisht një debat më të gjerë, një konsensus më të gjerë dhe besoj se çështja e kompetencave ka qenë ajo e cila është diskutuar dhe është konsideruar AKM-ja diçka që është mbi qeverinë apo diçka tjetër. Por këto janë gjëra të cilat duhet të diskutohen në nivele më të larta, duhet të diskutohet për Kornizën Kushtetuese, për të gjitha ato klauzula, të cilat pala kosovare në një kohë të caktuar bashkë me UNMIK-un, kanë konsideruar se duhet të jenë të rezervuara. Këto janë tema të niveleve më të larta, jo vetëm kosovare, por edhe ndërkombëtare, për të diskutuar opsionet më të efektshme të menaxhimit, qoftë të procesit të privatizimit, qoftë edhe të pasurisë shoqërore në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
Sipas rregullores së AKM-së, mandati i AKM-së skadon në mes të vitit të ardhshëm. Çfarë do të bëhet me privatizimin?

AHMET SHALA
Privatizimi duhet të përmbyllet e kam fjalën, në atë mandat apo në ndonjë mandat tjetër, me këtë AKM, apo me ndonjë tjetër formë të AKM-së dhe kjo është një dëshirë dhe një konsenzus i të gjitha palëve në Kosovë dhe shpresojmë që palët vendimmarrëse do të gjejnë format më të përshtatshme në kohën e caktuar. Ne po bëjmë çmos që brenda afatit sa kemi mandat, të bëjmë atë që është e mundur dhe tani për tani është privatizimi në një hov relativisht të mirë. Siç e thatë dhe ju më herët, raundi i katërt është tani në proces. Më datë 19 janar ne presim investorë dhe unë shfrytëzoj rastin që përmes këtyre valëve t'u drejtohem të gjithë atyre që na dëgjojnë, që afati i parakualifikimit është 12 janari për raundin e katërt dhe shpresojmë se tanimë janë bindur që procesi i privatizimit në Kosovë është diçka mjaft transparente dhe atraktive. Dhe mund të them se kemi ndërmarrje tërheqëse edhe për investitorë më të mëdhenj sesa të nivelit lokal, siç është Ferronikeli, ku ne kemi bërë licencimin e atyre që janë të parakualifikuar, por ka edhe ndërmarrje të tjera, të cilat janë mjaft tërheqëse. Ne gjithashtu po përpiqemi që para Vitit të Ri të hedhim në treg edhe raundin e pestë ku do të përfshihen një numër i konsiderueshëm i ndërmarrjeve dhe i atyre relativisht të mëdha. Kështu që shpresoj se deri në qershor, në qoftë se shkojmë me këtë dinamikë, ne do të arrijmë që të kemi një numër relativisht të konsiderueshëm të ndërmarrjeve të privatizuara. Në të njëjtën kohë ndoshta do të ishte një propozim i konsiderueshëm që mandati i AKM-së të vazhdohet për një kohë të caktuar, ndoshta deri në fund të vitit, apo në ndonjë formë tjetër, që ky proces të përmbyllet me sukses.

Intervistoi Albana ISUFI
XS
SM
MD
LG