Ndërlidhjet

SERBËT E ZHVENDOSUR ANKOHEN PËR SIGURI, AUTORITETET PREMTOJNË ZGJIDHJE TË PROBLEMIT


Bekim Bislimi, Prishtinë

Serbët nga Obiliqi përkatësisht Kastrioti, të cilët pas ngjarjeve të marsit janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre dhe janë vendosur përkohësisht në Zveçan, edhe më tutje nuk dëshirojnë të kthehen në shtëpitë e tyre. Koordinatori i qeverisë për të zhvendosurit, Nenad Radosavljeviç, thotë se në shtëpitë të cilat janë braktisur nga serbët e Obiliqit, janë okupuar me dhunë nga shqiptarët. Sipas tij, ditëve të fundit, në shtëpitë e rindërtuara të serbëve në Obiliq, njerëz nga fshati Hade ose nga fshatrat e tjera shqiptare kanë hyrë në shtëpi dhe i kanë okupuar . Radosavljeviç, thotë se ekzistojnë edhe arsye të tjera të cilat, siç tha ai, nxisin mosbesimin e serbëve për t'u kthyer në Obiliq.
“Ndonëse nuk jam kundër, më shumë vëmendje dhe para janë harxhuar për rivendosjen e 1500 banorëve të fshatit Hade, për shkak të rrëshqitjes së dheut, sesa për kthimin e të zhvendosurve të vitit 1999 dhe 17 marsit. Kjo gjithashtu krijon mosbesim dhe paragjykime tek serbët. Dhe në fund, është e habitshme mënyra se si njerëzit nga HABITAT-i sjellin rekomandime se si duhet të zgjidhet problemi, e kjo është, sigurimi i blerjes dhe pagesës për pronarët e shtëpive nga ana e uzurpatorëve”, tha zoti Radosavljeviç.
Dy pjesëtarë të nacionalitetit serb nga Obiliqi, të vendosur në Zveçan, me kusht anonimiteti, flasin për arsyet pse nuk dëshirojnë të kthehen në shtëpitë e tyre.
“Nuk është vetëm problemi i sigurisë, por na i kanë dhënë vetëm 2000 euro, dhe çfarë mund të blejë me këto mjete një familje 6 anëtarëshe. Ne kërkojmë që të na kompensohet tërë ajo që kemi pasur dhe nuk kërkojmë më shumë. Ata po këmbëngulin që ne të kthehemi, por nuk kemi ku të kthehemi, sepse riparimi i shtëpive është bërë në mënyrë shumë të dobët”, thotë serbja nga Obiliqi. Ndërkaq një bashkëkombas dhe bashkëqytetar i saj thotë:
“E gjithë pasuria e tundshme dhe e patundshme na është djegur. Unë kam bërë lutje, por as Qeveria e Kosovës e as të tjerët nuk na janë përgjegjur. Kemi dalë nga shtëpitë pa asgjë. Nëse nuk dëshirojnë që shtëpitë të na i rindërtojnë atëherë le t’na e paguajnë dëmin. Unë do të kthehesha, por me këtë rast kërkojmë siguri, e siguri nuk ka dhe këtë nuk na e ka premtuar askush”, thotë serbi nga Obiliqi.
Ndërkaq, kryesuesi i Komisionit të Qeverisë së Kosovës për rindërtimin e shtëpive të dëmtuara gjatë trazirave të marsit, Astrit Haraqia, thotë se aksioni për rindërtimin e këtyre shtëpive është në përfundim e sipër.
“Përafërsisht, teknikisht janë përfunduar afër 98 përqind, por zyrtarisht përfituesit kanë nënshkruar deri tani afërsisht 62 përqind të kontratave. Derisa të përfundojë kjo, na duhet të përfitojmë zyrtarisht, për arsye se ka shumë serbë që sot jetojnë në Serbi dhe nuk kanë qenë këtu dhe që kanë qenë në evidencë si përfitues, ndërsa nuk ka kush ta nënshkruajë kontratën”.
Ndërkaq lidhur me ankesat e serbëve zoti Haraqia thotë:
“Nuk është problemi vetëm me kushtet teknike, për arsye se ato nuk janë shtëpia të ndërtuara, apo prodhim i vitit 2004. Ato janë të ndërtuara në vitet '70 apo '80. Por problemi është tek objektet përcjellëse. Ata kanë pasur shumë objekte përcjellëse. Edhe për ato është paraparë një fond dhe besoj se shumë shpejt edhe për këtë do të zgjidhet problemi”.
Sidoqoftë, zoti Haraqia ka shprehur mendimin se çështja e kthimit në shtëpitë e tyre të serbëve të zhvendosur nuk duhet politizuar dhe se ekziston vullnet i mirë dhe hapa konstruktivë drejt rindërtimit të shtëpive dhe objekteve fetare të dëmtuara gjatë trazirave të marsit.

XS
SM
MD
LG