Ndërlidhjet

RADOSAVLEVIQ: "REZULTATET E KTHIMIT TË SERBËVE TË ZHVENDOSUR JANË DISFATË"


Pa realizimin e kthimit të serbëve të zhvendosur, në Kosovë nuk do të ketë stabilitet, thotë Nenad Radosavleviq, këshilltar për kthime i shefit të administratës ndërkombëtare në Kosovë. Sipas tij, nga 200 mijë personat e zhvendosur, në Kosovë janë kthyer rreth 11 mijë veta. Prej tyre, 4 mijë veta thotë ai i takojnë komunitetit serb. Mirëpo, pas ngjarjeve të marsit, Radosavleviq thotë se është shënuar dhe një zhvendosje e re e 4 mijë serbëve të tjerë brenda territorit të Kosovës. Në përgjithsi, ai e sheh rezultatin e deritashëm të kthimeve si disfatë në Kosovë.
“Mendoj se ky rezultat nuk është vetëm i dobët, por edhe disfatë për një koncentrim aq të madh të policisë dhe ushtrisë dhe organizatave qeveritare e jo qeveritare ndërkombëtare”, thotë Radosavleviq. Ai pohon gjithashtu se pret që në vitin që po hyjmë, të ketë rezultate krejt të tjera në dobi të kthimeve duke shpresuar se ngjarjet e tilla si ato të marsit të mos përsëriten më.
Për vitin që po e lëmë pas Qeveria e Kosovës pati ndarë mbi 10 milion euro për realizimin e kthimeve, përderisa ka dhe disa donatorë, mirëpo mjetet e tyre janë më të ulëta sesa të qeverisë. Përgjithësisht, bazuar në mjetet në dispozicion, Radosavleviq nuk shprehet shumë optimist se do të ketë ndonjë kthim më masiv.
“Dhjetë milionë e gjysëm euro të planifikuara për këtë vit me gjasë do të jënë orientim i institucioneve edhe për vitin tjetër”, thekson Radosavleviq. Ai mendon se donatorë do të ketë shumë më pak, kështu që ky fakt sipas tij do të ndikojë shumë në çështjet e kthimit të personave të zhvendosur.
“Kthimi është një prej të drejtave elementare të njeriut dhe se ai duhet të realizohet pa kufizime, zvarritje apo kushtëzime”, thekson Radosavleviq, duke kërkuar në rend të parë veprime konkrete të bashkësisë ndërkombëtare dhe UNMIK-ut si administrues i Kosovës. Nga këto mekanizma, ai kërkon dhe ndërmarrjen e veprimeve konkrete për të garantuar siguri dhe liri të lëvizjes për të kthyerit. Kurse nga institucionet e Kosovës ai kërkon gaantimin e të drejtave pronësore për të kthyerit si fillimin e zbatimit të decentralizimit.
Përndryshe, kthimi i të zhvendosurve është përcaktuar nga UNMIK-u dhe qeveria e Kosovës si një nga prioritetet në kuadër të standardeve, ku duhen shënuar përparime gjatë gjashtë muajve të ardhshëm.

Zijadin Gashi
XS
SM
MD
LG