Ndërlidhjet

"Feleminderit SHBA"


KOHA DITORE
Kosova qëndron në prag të progresit politik dhe rimëkëmbjes ekonomike. Nuk ka më kthim prapa dhe kjo shënon ndoshta fillimin e fundit të historisë, ose fillimin e një realiteti të ri evropian. Shtetësia e Kosovës, sado e limituar dhe e papërkryer, ka nisur të dielën, me deklarimin e pavarësisë nga Kuvendi. Fakti është se kjo pavarësi nuk është një akt i trimërisë së njëanshme, por një ngjarje shumë mirë e koordinuar, të cilën Prishtina ka qenë duke e përgatitur me aleatët e vet me muaj të tërë. Ishte e qartë qysh në qershorin e kaluar se nuk mund të ketë marrëveshje mes Beogradit dhe Prishtinës rreth çështjes së statusit. Por, procesi i pavarësisë nuk u përmbyll të dielën; ky ishte vetëm fillimi i asaj që premton të jetë një rrugëtim i gjatë drejt statusit të plotë dhe një
ekonomie të qëndrueshme...

ZËRI
Letra e presidentit Nikola Sarkozi dërguar presidentit Sejdiu:
"...Ministrat e Punëve të Jashtme të 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, duke pranuar këtë realitet të ri, kanë konfirmuar sot angazhimin evropian ne Kosovë. Kam nderin t'ju informoj që Franca, në pajtim të plotë me këtë deklaratë të Bashkimit Evropian, si rrjedhojë e pasojave të rezolutës së miratuar nga Kuvendi i Kosovës, më 17 shkurt 2008, nga ky moment e njeh Kosovën si shtet sovran dhe të pavarur. Ju propozoj që dy vendet tona të vendosin marrëdhënie diplomatike. Në pritje të emërimit të një ambasadori, ju propozoj të emëroni znj. Delphifre Boreone, shefe e deritashme e Zyrës së Ndërlidhjes së Frances në Prishtinë, në cilësinë e së ngarkuarës me punë..."

EPOKA E RE
"Ne jemi miq të mirë të Kosovës. Kosova është mike e mirë e BE- së dhe ne kemi thënë të hënën se perspektiva evropiane e rajonit është e hapur dhe do të vazhdojë kooperimi", është shprehur numri një i diplomacisë evropiane, Javier Solana, duke shprehur kënaqësinë që ndodhet në Prishtinë. Solana ka thënë se Kosova tash duhet të ecë përpara në zhvillimin ekonomik dhe të mbrohen pakicat. Ai ka shtuar se përkushtimi që ka shprehur Sejdiu gjatë takimit, është një lajm i mirë për BE-në...

INFOPRESS
Festimi i pavarësisë së Kosovës, kudo që jetojnë shqiptarët, këto ditë dëshmoi se shqiptarët si komb janë në kulmin e krenarisë.
Tash me dy shtete, kombi është më i fuqishëm në të ardhmen, në të gjitha tryezat e tubimet ku do të flitet e do të vendoset për çështje madhore dhe prosperuese... Kremtja e popullit të Kosovës shpalosi edhe një të vërtetë dhe një zotim: Askush dhe asnjëherë, me asnjë lloj provokimi, nuk do të mund të na shmangë nga jetësimi i mëtejmë i ëndrrës për ndërtimin e fuqishëm të shtetit ligjor të Republikës së Kosovës...

LAJM
Ndasitë partiake dhe papërgjegjësia e pjesëtarëve të policisë, natën më kritike, para se të shpallej pavarësia e Kosovës, e kanë shënuar edhe një incident tjetër në ndërtesën e Kuvendit. Fotografia e ish-presidentit Ibrahim Rugova, e cila ka qenë e vënë në hollin para hyrjes në sallën e deputetëve, është hequr mesnatën ndërmjet së shtunës dhe së dielës, derisa në Kuvend nuk kishte fare pjesëtarë të sigurimit të SHPK-së, kurse kamerat kanë qenë jashtë funksionimit edhe ditën më të rëndësishme për Kosovën. Ajo është vënë vetëm pasi policia ishte alarmuar dhe pas intervenimit të presidentit Fatmir Sejdiu te kryeparlamentari Jakup Krasniqi...

NACIONAL
Qeveria e Kosovës që nga sot duhet të mendojë në zgjidhjen e problemeve në veri, në përzënien e carllazarëve kokëpalarë nga atje, në perzënien e të gjithë atyre, që, si në bahçe të babës po ia vënë flakën Kosovës. Ndodhia e së martes në dy pikat kufitare në veri, nuk duhet parë me aq gjakftohtësi e indiferencë, sa e panë liderët tanë të institucioneve. Ajo është më serioze se kaq. Dikush i ndezi objektet e pasurisë sonë shoqërore, i ndezi në Kosovë. Në Republikën e Kosovës, këtu ku dikush ka mandat për rend e siguri. Qeveria e Kosovës duhet ta ketë guximin, si një qeveri e shtetit sovran, të kërkojë ndihmën e kompetentëve për rend e siguri, ose t'i marrë vetë masat. Kosova e ka kufirin më larg, jo te Ura e Ibrit...

KOSVA SOT
Ekzekutivi i Kosovës është shprehur i sigurt se brenda një periudhe të shkurtër do të funksionalizohet Ministria e Jashtme, pas miratimit të ligjit për këtë institucion. Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi tha se Qeveria është duke i bërë të gjitha përgatitjet që Kosova të ketë një staf të mirë diplomatik, profesional dhe njerëz, të cilët do të përfaqësojnë mirë interesin e vendit në arenën ndërkombëtare. "Qeveria e Kosovës është duke marrë të gjitha masat që shumë shpejt të ndërtojë institucionet e reja shtetërore, që nënkupton edhe Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe atë të Mbrojtjes", tha Kuçi.

BOTA SOT
Faleminderit Shtete të Bashkuara të Amerikës. Shqiptarët me kulturën e tyre, me traditën e lashtë humaniste, me dëshmitë historike se asnjëherë nëpër kohëra nuk kemi okupuar popuj të tjerë, do të tregojnë se dinë të integrohen aq shpejt në rrjedhat demokratike të Evropës, siç kanë treguar për pak vjet pas rënies së diktaturës komuniste. Ne e kemi lehtë të integrohemi, sepse jemi një kulturë e përbashkët, sepse jemi edhe mentalitet, edhe kulturë evropiane. Jemi vendi dhe populli i Shën Jeronimit, jemi populli dhe pika nga u nisën per rrugë gjithandej Evropës Shën Pjetri e Shën Albani. Gjithmonë jemi nisur drejt Evropës, gjithnjë duke i bërë rezistencë invadimeve pesëqindvjeçare të hordhive që invadonin duke u zhdjergur që nga stepat dhe shkretëtirat e Azisë. Na e kthyet nderin kombëtar...

EXPRESS
Në festën e pavarësisë së Kosovës ishte i pranishëm çdo institucion i vendit. Secili prej tyre, në mënyrën e vet, shënoi këtë ditë historike. Vetëm një prej tyre u harrua. Trupat e Mbrojtjes së Kosovës nuk u panë askund. Ndonëse TMK-ja njihet si pasardhës i UÇK-së dhe paraardhës i ushtrisë së shtetit të porsalindur, ata u harruan. Megjithëse Garda Ceremoniale e TMK-së ishte e gatshme që për këtë ditë të madhe të bënte prezantim solemn, ajo mungoi në agjendën e Këshillit Organizativ për festimin e pavarësisë. I vetmi që ishte parë në Kuvendin e Kosovës, të dielën më 17 shkurt, ishte komandanti i kësaj trupe, gjeneral Sylejman Selimi, i veshur me uniformë solemne...
XS
SM
MD
LG