Ndërlidhjet

KU MBETI RRUGA PRISHTINË - KUKËS - DURRËS?


Ibrahim REXHEPI


Muaji i fundit i vitit të kaluar solli një befasi të këndshme për shqiptarët nga të dyja anët e kufirit. Një grup njerëzish nga profile të ndryshme profesionale në Prishtinë dhe një tjetër në Kukës ofruan dy paraprojekte për ndërtimin e rrugës Prishtinë-Kukës-Durrës, ose me alternativë porti i Shëngjinit. Sado që mund të bëhet fjalë për një grup entuziastësh, mund të thuhet se ata dhanë diçka më shumë se të gjitha iniciativat e mëhershme. Grupi kosovar i tubuar me iniciativën e drejtorisë së rrugëve ka ofruar tre variante të ndryshme të kësaj rruge, e cila nuk përfundon në Prishtinë por vazhdon deri në kufirin me Serbinë, me mundësi që afër Nishit të lidhet me korridorin dhjetë. Një nga variantet të cilin grupi nuk e ka vlerësuar si më i miri parasheh meremetimin dhe zgjerimin e rrugës egzistuese. Për ta më e arsyeshme është ndërtimi i rrugës së re, krejtësisht në terren tjetër më të përshtatshëm që është 20 km më e shkurtër se rruga egzistuese, por autorët kanë nxjerrë një kosto të lartë të saj - 620 milion euro. Kjo shumë arysetohet me faktin se është një rrugë krejtësisht e re, e gjerë 28 metra dhe ka dy herë nga tre korsi apo si e quajnë ata kjo është një super stradë. Ndërkaq grupi i Kukësit për shkak të fakti se nuk ka qenë në koordinim me atë të Prishtinës, ka nxjerrë një kosto shumë më të arsyeshme. Në variantin me koston më të lartë ata parashohin që duhet investuar 420 milion euro. Rruga do të ishte e një strandardi mjaft të lartë, e ngjashme me atë Tiranë – Durrës, kërkon ngritjen e 5000 metrave ura dhe viadukte, si dhe rreth 7500 metra tunele. Nëpër këtë rrugë relacioni Morinë - Durrës kalohet për 2 orë e gjysëm. Këto iniciativa duhet të merren seriozisht pasi bëjnë një hap përpara drejt realizimit të një dëshire, e cila duket larg konkretizimit. I vetmi ishte ish-kryeministri i Shqipërisë Pandeli Majko, i cili aplikoi një taksë për ndërtimin e kësaj rruge, kurse pasardhësit e tij në Tiranë dhe homologët e tij në Prishtinë nuk lëvizën nga vendi. Nga ana tjetër në secilin takim me zyrtarë nga institucione financiare, u prezantua ky projekt. Mirëpo përveç Bankës Botërore që ofroi një ndihmë, por jo dhe financim të tërësishëm, institucionet e tjera nuk shfaqën ndonjë interesim. Madje Erhard Busek, koordinatori i Paktit të Stabilitetit, kur iu përmend fakti se kjo rrugë mund të kushtojë 1 miliard e gjysëm dollarë sikur tha se mos llogarisni aq shumë në ne. Ndërkaq rruga është shumë e nevojshme, së paku kështu vlerësojnë autorët e dy projekteve. Nuk është fjala vetëm për lidhjen më të mirë të Prishtinës me Durrësin për nevoja turizmi, por është varianti më i shkurtër që Kosova t’i ofrohet një porti detar. Ajo ka mundësi që për mallrat, të shfrytëzojë portin e Durrësit, i cili njëherësh është edhe hyrja për në korridorin tetë. Vazhdimi i rrugës drejt Nishit mund të lidhet edhe me korridorin dhjetë, atë Budapest - Selanik. Por, ideja ka dhe pikat e dobëta. Së pari, varianti i afruar kosovar është shumë më i shtrenjtë se ai i Shqipërisë, ndonëse realizohet në një terren shumë më të përshtatshëm ku nuk parashihet ndërtimi i asnjë tuneli. Së dyti, nuk ka asnjë alternativë tjetër që Prishtina të lidhet me Durrësin, përveç rrugës magjistrale. Ndërkaq dihet që transporti i mallrave me kamionë e rrit dukshëm koston e tij. Poashtu plasimi i ideve të reja sikur është rruga Shkodër-Gjakovë sikur devalvon rëndësinë e ndërtimit të asaj Prishtinë-Durrës. Nëse është fjala për një lidhje më të mirë të zonave brenda për brenda Shqipërisë kjo nuk është problem, por ofrimi i dy varianteve të lidhjes ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë sikur zbeh seriozitetin e projektuesve. Ndërkaq Kosovës i duhet një dalje nga bllokada në të cilën është. Ndërtimi i rrugës Merdar - Prishtinë - Kukës - Durrës do të ofronte zgjidhjen më të mirë edhe për perspektivën rajonale. Në një mënyrë do të lidheshin dy korridoret panevropiane, kryesisht do të përfitonte Kosova dhe Shqipëria. Mirëpo kosotja e tashme prej 1 miliard eurosh sikur shqetëson investitorët e mundshëm. Këtu e vetmja gjë mbetet ndërtimi me koncesion nëse del ndonjë i interesuar.
XS
SM
MD
LG