Ndërlidhjet

KOSOVA PARA NJË UDHËKRYQI HISTORIK


Shkruan: Shkelzen MALIQI





A po hyn Kosova në një fazë të krizave? A është Qeveria e Kosovës në krizë? A është administrimi ndërkombëtar I Kosovës pokështu në krizë? Këto pyejte, si edhe disa të të ndërlidhura, ato mbi kanosjen e krizës ekonomike, ato të raporteve ndërpartiake dhe ndëretnike etj, shtrohen gjithnjë e më shpesh në media dhe ndër analistët. Deklarimet dhe veprimet e akterëve politikë, sikur i japin të drejtën atyre që flasin për krizën. Kryeadministratori Shtajner në adresimin e vet opinionit të Kosovës, burimin e problemeve e sheh të paaftësia dhe mospërgjegjësia e institucioneve dhe liderëve të Kosovës. Kosovarët ndërkaq, akuzojnë UNMIK-un dhe kërcënohen se do të bëhen edhe më të padëgjueshëm dhe se do t’i marrin punët në duart e veta. Serbët e Kosovës dhe padronët e tyre në Beograd pothuajse çdo ditë pjellin ide të ndryshme për ardhmërinë dhe statusin e Kosovës, duke bërë edhe veprime të ngutshme si atë të krijimit të bashkësisë së komunave në veri të Kosovës. Ndërmjet subjekteve politike dhe liderëve shqiptarë në të njejtën kohë thellohen ndasitë dhe sërish krijohet përshtypja se jemi para një faze të re të bllokadës së institucioneve dhe të veprimeve të koordinuara.
Burimi i të gjitha këtyre krizave, nervozave, veprimeve të ngutshme ose edhe të mosveprimeve dhe bllokadave qëndron në faktin se Kosova tre vjetë e gjysmë pas vendosjes së administratës ndëkrombëtare gjendet në një udhëkryq – edhe administrata ndërkombëtare, edhe ajo vendore, nuk mund të jenë me efikase dhe të sigurojnë zhvillimin normal të Kosovës. Administratat e definuara si të pëkrohshme, megjithë raportet e tyre të papërcaktuara qartë, krijojnë një ambient të rrëshqitshëm dhe të arbitraritetit. Bartja e pushtetit në këto kondita nuk mund të bëhet pa e ripërcaktuar drejtimin e zhvillimeve në Kosovë, se a po shkon Kosova drejt pavarësisë ose në ndonjë drejtim tjetër më gjysmak dhe kompromis, cfarë preferojnë serbët.
Kosova, në të vërtetë ende nuk ka arritur tamam tek udhëkryqi historik që do të përcaktojë fatin e saj përfundimtar. Faktorët e shumtë për momentin vetëm shohin shenjat e udhëkryqit diku në horizont dhe kjo mjafton për alarmime. Disa thonë duhet të përshpejtohet ecja, disa të tjerë se duhet ndalur dhe pritur. Kjo dilemë është më e shprehur tek serbët, ku njëri prej prijësve, kryeministri Gjingjiq, thotë se tash është momenti për përcaktimin e statusit të Kosovës, kurse tjetri kryetari Koshtunica, është për ngrirje dhe status quo. Kuptohet, që të dy të brengosur se proceset objektivisht shkojnë drejt pavarësisë së Kosovës.
Administrata e UNMIK-ut, përkundër faktit se në krye të saj është një politikan energjik cfarë pretendon të jetë Shtajneri, objektivisht është në pozitën e mbrojtësit të status quosë, ngase për përcaktimin e drejtimit të rrugëtimit të Kosovës mungojnë vizionet e qarta si në Nju Jork, ashtu edhe në Bruksel, Uashington e Moskë. Shtajneri detyrohet që të ndërmarë vetëm hapat e vegjël, që stimulojnë një pushtet energjik dhe jo masat e veprimet që do të përshpejtojnë proceset. Në të vërtetë, ai ka ende mjaft hapësirë për fiksimin e realitetit dhe të raporteve të brishta, parasëgjithash duke luftuar më energjikisht separatizmin e hapur serb dhe njëkohësisht duke disiplinuar ambiciet e ngutshme shqiptare. Duhet pritur që politika e Shtajnerit në periudhën e ardhshme të jetë ajo e ekuilibrit dhe balansimeve, kuptohet gjithnjë e rrezikuar nga krizat dhe tensionet e ndërvarura.
XS
SM
MD
LG