Ndërlidhjet

SHQIPËRIA, HAPA NË VENDNUMËRO DREJT BASHKIMIT EVROPIAN


Lutfi Dervishi

Tre muaj më parë kur Presidenti i Komisionit Europian
Romano Prodi, vizitoi Tiranën për të hapur zyrtarisht
negociatat për Marrëveshjen e Asociim Stabilizimit me
Shqipërinë i dha përgjigje edhe pyetjes se kur mund të
nënshkruhej marrëveshja: "kjo varet nga ju".
Bisedimet u hapën pas shqetësimeve dhe hezitimeve të
shumta që kishte komisioni, por vizita e z. Prodi
synonte të theksonte rëndësinë politike të kësaj
ngjarje.
Fillimi i negociatave u konsiderua edhe si një
shpërblim për një periudhë të kënaqshme të
stabilitetit politik në vend që kulmoi me zgjedhjen me
konsensus të Presidentit të Republikës. Në të njëjtën
kohë qeveria kishte dhënë disa prova se ishte
angazhuar në luftën kundër trafikut me bllokimin e
trafikut ilegal të qenieve njerëzore që realizohej
kryesisht nga brigjet e Jugut të vendit drejt Italisë.
Po ashtu qeveria shqiptare është vlerësuar vazhdimisht
për rolin e përgjegjshëm që ka luajtur gjatë krizave
në rajon.
Gjatë kësaj periudhe janë zhvilluar dy takime në nivel
ekspertësh mes qeverisë shqiptare dhe përfaqësuesve të
Bashkimit Europian për të ballafaquar ecurinë e
reformave, por raporti i fundit i BE-së, ndërsa
vlerëson progresin e arritur është mjaft kritik në
disa aspekte. Për t'u nënvizuar është lufta kundër
krimit të organizuar dhe korrupsionit, gjendja e dobët
e gjyqësorit dhe forcave të policisë.
Gjendja politike në vend nuk është më e kënaqshme se
tre muaj më parë. Stabiliteti i brishtë duket se është
thyer. Tensioni politik është rritur dhe partia më e
madhe e opozitës ka kërkuar qeveri teknike dhe më pas
realizimin e zgjedhjeve të parakohshme. Edhe partitë e
vogla të opozitës janë në një mendje në skepticizmin e
tyre ndaj qeverisë.
Qeveria shqiptare reagoi me shpejtësi ndaj kritikave
të raportit të BE-së dhe një ditë më pas ministri i
Drejtësisë njoftoi krijimin e Gjykatës së Krimeve të
Rënda, një institucion që konsiderohet vital për
luftën ndaj krimit të organizuar. Por, miratimi i
legjislacionit në Parlament, ngritja e institucioneve
dhe qendrave të ndryshme është vetëm njëra anë e
medaljes. Me rëndësi të madhe ka qenë dhe mbetet
zbatimi i ligjeve dhe dalja nga kuadri formal i
institucioneve të ngritura. Mos arritja e rezultateve
të pritura me qendrën antitrafik në Vlorë dhe
mospërputhja e retorikës në luftën kundër korrupsionit
dhe krimit të organizuar me realitetin konkret bëjnë
skeptik jo vetëm BE-në, por edhe publikun shqiptar.
Krimi i organizuar dhe korrupsioni, nuk mund të
përballohen vetëm me retorikë dhe ligje të mira dhe që
qeveria të kërkojë mbështetjen e opozitës në këtë
sfidë duhet të dëshmojë me vepra konkrete se po merret
me këtë problem.
Nga suksesi i Shqipërisë në trajtimin e problemeve që
vetë qeveria dhe politika shqiptare i konsideron si
prioritete, do të varet edhe gjatësia e rrugës për në
Bashkimin Evropian.
Megjithë mekanizmat dhe presionin politik në rritje që
vjen nga BE, këto kurrsesi nuk mund të zevëndësojnë
vullnetin e brendshëm politik për të ndërmarrë
reformat. Aktualisht vullneti politik i forcave
kryesore politike është kanalizuar për zgjedhjet e
ardhshme lokale të planifikuara për t'u mbajtur në
tetor të këtij viti. Debati për komisionin hetimor
parlamentar për veprimtarinë e ish-ministrit të
Kulturës dhe kryetarit aktual të bashkisë së Tiranës
Edi Rama dhe mospërfundimi i punës së komisionit
bipartizan për reformën zgjedhore, janë tregues për
një fushatë jo të lehtë elektorale. Kështu që sa kohë
që politika e brendshme do të shpenzojë kohë dhe
energji për zgjedhjet, ka pak shanse që në muajt e
ardhshëm qeveria shqiptare do të fokusohet në
reforma dhe plotësimin e kushteve për procesin e
Asociim-Stabilizimit.

XS
SM
MD
LG