Ndërlidhjet

LEKA ZOGU I TAKON ZYRTARËT MË TË LARTË VENDORË TË KOSOVËS


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Trashëgimtari i fronit mbretëror shqiptar, Leka Zogu I, në ditën e tretë të vizitës Kosovës, është takuar me zyrtarët më të lartë të institucioneve të Kosovës dhe ka bashkëbiseduar me qytetarët lidhur me pikëpamjet e tij politike.
Trashëgimtari i fronit është takuar sot me kryeparlamentarin Daci, me të cilin kanë biseduar për zhvillimet në Kosovë dhe në rajon dhe më pas, pa praninë e mediave, është takuar edhe me kryeministrin Bajram Rexhepi.
Pas takimit me Dacin, Leka Zogu I falënderoi zotin Daci për njoftimet që i kishte dhënë:
"Unë besoj se jeni në rrugë të mbarë dhe brenda mundësive, kur kam mundësi t’ju ndihmoj, do ta keni atë ndihmë", tha Leka Zogu I.
Ndërkaq, mikpëritësi i tij, zoti Nexhat Daci, i veshur me një këmishë roze, tha se figurativisht dëshironte t’i thoshte mysafirit të tij edhe me këtë veshje se ishte kënaqësi që ai nga institucionet së pari kishte vizituar parlamentin e parë demokratik të Kosovës:
"Kosova është e re, koncepti është i ri, idetë janë properëndimore dhe demokratike e shumë stabile dhe të qëndrueshme, që Kosova po ecë me rrugë të sigurt në pavarësinë e saj..", tha zoti Daci.
Ndërkohë, në një takim me qytetarët, trashëgimtari i fronit mbretëror, Leka Zogu I, tha se Lidhja e Prizrenit, 125 vjetori i të cilës po kremtohet sivjet, ka vënë bazat për kombësinë shqiptare dhe për pavarësinë:
"Edhe ju, në luftën që keni bërë dhe dëshmorët që keni lënë, keni treguar se Kosova e ka fituar pavarësinë e saj dhe do të vazhdojë në atë rrugë që, shpresoj, një ditë të bashkohen trojet e kombit shqiptar…", tha ai, për të shtuar se pavarësisht se qëndrimi i tij ishte bashkimi i trojeve shqiptare, respektonte dëshirën e të gjithë njerëzve në Kosovë për vetëvendosje dhe se e ardhmja e Kosovës ishte në duart e qytetarëve të saj. Në këtë kuadër Leka Zogu I ka bërë ftesë për bashkëpunim ndërmjet forcave politike në Kosovë.
Sot pasdite, trashëgimtari i fronit mbretëror shqiptar Leka Zogu I do të takohet edhe me kryetarin e Kosovës Ibrahim Rugova dhe pritet të marrë pjesë edhe në ceremoninë solemne për nder të 125 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
XS
SM
MD
LG