Ndërlidhjet

HOLKERIN NË KOSOVË E PRESIN SHUMË SFIDA


Bekim Bislimim, Prishtinë

Përfaqësuesi special i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për Kosovën, Hari Holker, do të jetë kryeadministrator, i cili do t'a udhëheqë Kosovën në pjesën më të rëndësishme të misionit të UNMIK-ut,
ka shprehur mendimin Lulzim Peçi, drejtor i Institutit Kosovar për Hulumtime dhe Zhvillime Politike. Zoti Peçi ka shprehur mendimin se shefi i ri i UNMIK-ut, ka një të kaluar mjaft të ngjeshur diplomatike dhe ai është i ambijentuar me sistemin e udhëheqjes së një shteti, por edhe me sistemin e Kombeve të Bashkuara. Lidhur me atë se cilat do të jenë sfidat, me të cilat do të ballafaqohet zoti Holker në Kosovë, zoti Peçi thotë:
“Besoj se do të jenë dy sfida kryesore. Sfida e parë janë bisedimet apo negociatat midis Prishtinës dhe Beogradit, për të cilat unë personalisht mendoj se në vitin e ardhshëm do të kalojnë në bisedime për statusin final, si dhe bartja e kompetencave tek institucionet tona, e cila po ashtu duhet të finalizohet. Në anën tjetër, e tërë kjo është e lidhur me doktrinën, të cilën mund ta quajmë si doktrinën e Shtajnerit të përqafuar nga bashkësia ndërkombëtare, pra, standardet para statusit. Kështu që do të jenë në pozitë delikate si Kosova ashtu dhe vetë kryeadministratori, gjatë mandatit të tij”, tha zoti Peçi. Ndërkaq, Valon Murati anëtar i organizatës joqeveritare Grupit për Zgjidhje Llogjike “Llogo’, thotë se sfida kryesore për zotin Holker në Kosovë do të jetë realizimi i rezolutës 1244
të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Sipas zotit Murati, shefin e ri të UNMIK-ut e presin edhe sfidat e tjera, siç janë dialogu në mes
Prishtinës dhe Beogradit, skena politike kosovare, marrëdhëniet ndëretnike këtu, si dhe zhvillimi ekonomik.
“Atij do t’i duhet që të bëjë shumë më tepër që ekonomia e Kosovës t'a marrë veten. Sipas mendimit tim, duhet të bëhen ndryshime rrënjësore në politikën fiskale, posaçërisht në atë doganore dhe duhet t’i jepet më shumë përparësi dhe të stimulohet prodhimi vendor. Duhet që procesi i privatizimit, që do të jetë një sfidë me të cilën do të ndeshet edhe kryeadministratori i ri, të ketë sa më pak kosto
sociale, si dhe probleme të cilat i ndeshim në jetën e përditshme në Kosovë”, tha zoti Murati.
Në anën tjetër, në fazën kur ende bëhej konkurrimi për kandidat për postin e kryeadministratorit të Kosovës, burime të ndryshme ndërkomëtare kanë paralajmëruar se zgjedhja kryeaministratorit të ri të Kosovës, do të mund të përshpejtonte procesin për fillimin e dialogut në mes Prishtinës dhe Beogradit për çështje praktike. Zoti Peçi, lidhur me paralajmërimet për fillimin e këtij dialogu thotë:
“Unë mendoj se në shtator do të fillojnë bisedimet për çështjet praktike, mirëpo dinamika e zhvillimit të tyre do të varet nga bashkësia ndërkombëtare. Varet nga bashkësia ndërkombëtare nëse do që të përfundojë procesin e zgjidhjes së statusit të Kosovës me udhëheqjet e tanishme në Kosovë dhe Beograd, apo këtë do t'a lënë më vonë, pas zgjedhjeve të ardhshme. Kjo koinçidencë lidhet edhe me zgjedhjet ne Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por edhe me përfundimin e mandatit të zotit Solana”, tha zoti Peci.
Ndërkaq, se çfarë mund të pritet nga ky dialog, zoti Murati thotë: “Dyshoj se ky dialog mund të sjellë ndryshime rrënjësore në përparimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, posaçërisht në mes shqiptarëve dhe Serbisë, sepse mentaliteti në qeverinë e re serbe në raport me Kosovën ka ndryshuar shumë pak. Me një mentalitet të tillë është shumë vështirë që të arrihen përparime të nevojshme për të ndryshuar raporti jo i mirë në mes Kosovës dhe Serbisë”, tha zoti Murati.
XS
SM
MD
LG