Ndërlidhjet

BLAKU: "SHQIPTARËT DUHET TË RESPEKTOJNË PËRMBAJTËSISHT TË DREJTAT DHE LIRITË E MINORITARËVE"


Rifat Blaku nga Qendra për Hulumtim të Migracionit dhe për Ndihmë Refugjatëve

RADIO EVROPA E LIRË
Ju keni theksuar se në një mënyrë gjendja e pakicave është paska më ndryshe nga ajo që paraqitet zakonisht. Cilat janë karakteristikat e gjendjes së pakicave sot në Kosovë?

RIFAT BLAKU
Lirisht mund të thuhet se në periudhën e pasluftës, gjithnjë e më shumë po thellohet vetëdija se mbrojtja dhe avancimi i të drejtave të minoriteteve, është faktor pothuajse thelbësor paqeje, stabiliteti dhe demokracie. Çështja e minoriteteve është bërë objekt interesi, që nga ditët e para pas luftës, ndërsa rezultatet e caktuara shoqërohen edhe me vështirësi. Vështirësitë janë të natyrës së qarkullimit të lirë të minoritarëve, veçanërisht të atyre serbë, meqë janë të enklavizuar në një lloj burgu, të cilët nuk kanë qasje të dalin pa mbrojtjen ndërkombëtare, por edhe për shumicën shqiptare 90 % nuk kanë qasje në ato enklava dhe të gjitha këto e bëjnë situatën të pakëndshme si nga ana e padukshme e krizës ashtu dhe e analizave politike nga jashtë, e venë peng procesin politik të Kosovës si dhe qasjen e Kosovës në tregun financiar ndërkombëtar. Gjatë kohës së Kushnerit, Hakerupit dhe Shtajnerit ka patur mbi 39 projekte, programe, iniciativa, strategj, me emërtime nga më të ndryshmet, të cilat inkurajonin, stimulonin dhe ftonin minoritarët që të kthehen, pasi dihet që kjo e drejtë për të zhvendosurit ishte e rezervuar për kryeadministratorin.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Blaku në këto rrethana për të cilat folët, sa janë realizuar projektet të cilat i përmendët si të inicuara nga kryadministratorët e deritanishëm të Kosovës?

RIFAT BLAKU
Natyrisht që këto nuk kanë mundur të realizohen, ngase Kosova ishte shumë e dëmtuar nga lufta. Kosova në aspektin ekonomik, material, social, kulturor, arsimor, shëndetësor, infrastrukturor dhe çështje të tjera të totalitetit, ishte tmerrësisht e lënduar dhe e sakatuar dhe nuk mund të absorbonte në ato kushte kontigjente të reja, pasi kishte edhe refugjatë nga Maqedonia dhe Lugina e Preshevës. Kështu që këto projekte, që shpesh ishin edhe të mbingarkuara politikisht, të instrumentalizuara politikisht, natyrisht që nuk mund dhe nuk u realizuan.

RADIO EVROPA E LIRË
Në këtë aspekt zoti Blaku, shpesh herë është thënë se si nga zyrtarë ndërkombëtarë ashtu dhe nga ata vendorë të Kosovës, se procesi i kthimit ndonjëherë edhe është politizuar. Sipas këndvështrimit tuaj a hetohet ndonjëherë politizimi i kësaj çështjeje?

RIFAT BLAKU
Jo vetëm njëherë, por pothuajse përherë. Çoviçi dhe administrata e regjimit të ri të Beogradit, i cili ka ndryshuar vetëm formën dhe emrin si demokrat, kur është çështja e kthimit dhe e shifrave të kthimit, në mënyrë konstante e shpërdorojnë këtë proces dhe të drejtën e qarkullimit të lirë, e instrumentalizojnë të drejtën humanitare, duke e shndërruar këtë minoritet në viktimë për qëllime politike. Kjo nuk ka të bëjë vetëm me numrin gjithnjë të shumëfishuar, por edhe me projektet prej të cilave, sikurse e thashë dhe unë, do t'i përmendnim projektet për operacionin Trojan 1, Trojan 2, ose atë të tipit të fshatit suedez, ku parashihej në emër të kthimit të serbëve edhe ndarja e Kosovës, ngase planifikohej që nga veriu i Mitrovicës deri tek Artana në Lindje të bëhet ndarja, duke pretenduar të ngrihen lokalitete të tjera ekskluzivisht për serbët, pavarësisht se shumë nga ta kishin shitur 2 a më shumë banesa, dhe tani në emër të një kthimi të organizuar shtetëror e kolektiv, pretendonin të bënin një lloj kolonizimi, krejtësisht në emër të demokratizimit, në emër të padrejtësisë, që gjoja atyre u bëhet nga institucionet e reja.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Blaku, gjatë publikimit të raportit të Prishtinë nga veprimtari Adem Demaçi, është thënë se qëllimi i shumicës shqiptare është që t'u bëhet e mundur pakicave të integrohen në Kosovë. Në këtë aspekt, si e vlerësoni ju gjendjen aktuale?

RIFAT BLAKU
Unë them që në periudhën e pasluftës, shumica e minoritarëve kanë përjetuar një rilindje dhe kanë një autonomi të plotë kulturore, sikundër e kanë boshnjakët. Për herë të parë në Kosovën e lirë ata mësojnë në gjuhën e tyre amëtare. Janë mbi 24 000 nxënës të shkollës fillore e të mesme dhe studentë, kanë shkollën e lartë të Biznesit, nxjerrin disa revista, kanë në radio dhe televizione emisionin e tyre. Njësoj edhe për minoritarët turq, kroatë etj. Të vetmit nga minoritarët janë serbët të cilët duan që të kthehen, por jo të integrohen. Këto dy koncepte e përjashtojnë njëri tjetrin. Kthimi në enklava dhe mospranimi i një realiteti të ri të barabartë me të tjerët, e përjashton dhe e bën të dështojë ky projekt, prandaj dhe kanë dështuar projektet e mëparshme dhe hulumtimi ynë ka patur për qëllim të zbulojë kush është fajtor në dështimin e këtyre projekteve. Për shqiptarët është me rëndësi sikurse e tha Adem Demaçi, që të punojnë në ngritjen e një politike parimore, konsekuente që respekton përmbajtësisht të drejtat dhe liritë e minoritarëve në të gjitha aspektet. Sepse shqiptarët kanë qenë në regjimet e mëhershme pikërisht viktima të politikave të caktuara, duke u llogaritur edhe si pakicë.

Intervistoi Fatmir Bujupi



Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG