Ndërlidhjet

RRITET NUMRI I PËRDORUESVE DHE TRAFIKANTËVE TË DROGËS NË KOSOVË


Bekim Bislimi, Prishtinë

Numri i vartësve nga lëndët narkotike në Kosovën e pasluftës ka shënuar ngritje dhe mesatarisht janë rreth 80 raste brenda një viti, të cilat kanë kërkuar ndihmën në Klinikën e Psikiatrisë në Prishtinë,
theksojnë zyrtarët e kësaj klinike. Pacientët që janë të varur nga lëndët narkotike, theksojnë se në këtë klinikë janë shtruar dhe janë duke kërkuar shpëtimin nga siç thonë ata, sëmundja e rrezikshme.
Njeri prej tyre, i cili për shkaqe personale, kërkoi të mbetej anonim, tregon kur ka filluar t’i përdorë narkotikët dhe çfarë ka përjetuar si vartës i tyre.
“Kam filluar para 7 vjetësh dhe kam vazhduar. Më pas kam patur disa shtrëngime të forta. Kam provuar që të shërohem disa herë. Kam qenë në Turqi dhe asgjë. Tani kam mbushur 40 vjeç dhe ende nuk kam bërë asgjë, por më është dashur që të vi dhe të shërohem, sepse në shtëpi
e kam më vështirë. Këtu e kanë terapinë e mirë. Tre apo katër ditë kam ndjerë dhimbje në eshtra e më vonë jo. Deri tani kurrë nuk kam pushuar, por tani puna është kryer. Më ndihmoi dr. Bujari dhe unë tani më nuk kam asgjë”, tha pacienti.
Doktor Bujar Berisha, psikiatër, thotë se në Klinikën e Psikiatrisë ofrohet vetëm detoksifikimi i pacientëve nga narkotikët e keqpërdorur, ndërkohë që mungon mundësia e përcjelljes së tyre në vazhdimësi, por ka disa prej tyre që janë të motivuar dhe vijnë
për kontrolle të herpashershme dhe trajtimi i tyre mund të zgjatë më tepër se 6 muaj.
"Për ta mund të them se gjatë asaj periudhe, trajtimi ka qenë i suksesshëm, sepse rezulton që nuk kanë keqpërdorur më substanca narkotike, gjë që tregon se një pjesë e tyre e kanë lënë përgjithësisht", tha Dr. Berisha.
Në anën tjetër, zyrtarët e Shërbimit Policor të Kosovës theksojnë se prania e drogës në Kosovë, është brengë jo vetëm për policinë, por për të gjitha strukturat e shoqërisë kosovare. Dy ditë më parë
policia ka hetuar dhe konfiskuar 18 kilogram heroinë, dhe është duke bërë hetimet se cili ka qenë destinacioni i fundit i sasisë më të madhe të drogës të konfiskuar në Kosovë. Megjithatë, zyrtarët e policisë theksojnë se droga arrin edhe deri te shpërndarësit
dhe konsumuesit kosovarë. Refki Morina, zyrtar për informim i Shërbimit Policor të Kosovës, thotë se deri tani policia ndërkombëtare dhe ajo vendore në Kosovë kanë evidentuar 117 raste të gjetjes së lëndëve narkotike, në rajonet e ndryshme të Kosovës.
“Këto janë raste, të cilat janë lajmëruar në stacionet policore, si raste të evidencimit të drogës apo trafikantëve të drogës dhe ndërkohë, në hetimet e mëtejme është verifikuar se me çfarë lloji të drogave kemi të bëjmë, sasia e tyre, personat të cilët merren me të, nëse është për eksport apo për nevojat e tyre dhe të organizmit që ua kërkon. Prandaj, për të gjitha rastet procedohet në gjykatë dhe është çështje e gjykatës që të vendosë për të tilla raste në bazë të
kodit penal dhe procedurës penale”, tha zoti Morina.
Ndryshe, pacienti i cili po luftonte të shërohej nga varësia, tregon se si kishte arritur t’i siguronte dozat e heroinës, ndërkaq që, sipas tij ekziston një numër i madh i njerëzve të cilët vazhdojnë të
konsumojnë drogën.
“Ka shumë, vetëm unë njoh 200-300, ndërkaq ata që unë nuk i njoh mund të jenë 500-1000. Tani, me 30 euro në xhep gjen, sepse pas luftës kanë paguar deri edhe 100 e 200 euro, sepse askush nuk futej në këtë rrugë. Kam shkuar në Shkup dhe e kam marrë, sepse pas luftës u bë
rrëmujë. Ndërkaq, momentalisht është 30 euro 1 gram heroinë. Ke ku të duash dhe kudo që të shkosh. Unë nuk e di se çfarë po pret policia, sepse ka shumë njerëz që blejnë dhe e shesin atë. Nuk t'a merr mendja. Kjo është katastrofë”, tha pacienti anonim.
Ndërkaq, zoti Morina, thotë se policisë i nevojitet ndihmë:
“Pa bashkëpunimin e ndërsjellë të qytetarëve dhe policisë, nuk mund të zbulohen as dillerët e drogës e as autorët e veprave tjera penale. Prandaj, suksesi i policisë në zbulimin e drogës, siç ishte edhe rasti
i kapjes së 18 kilogramëve, nuk është vetëm sukses i policisë, por i bashkëpunimit të qytetarëve me policinë”, tha zyrtari për informim i SHPK-së. Ndonëse, sipas zotit Morina, ekspertët e policisë dhe
KFOR-it, janë duke u angazhuar që t’i luftojnë, siç thotë ai, trafikantët e lëndëve narkotike, megjithatë, Kosova është rrugë e cila lidh Ballkanin me Evropën, dhe kriminelëve ju shërben si tranzit për transportin e drogës, ndërkohë që një pjesë e saj mbetet edhe në Kosovë.
XS
SM
MD
LG