Ndërlidhjet

PATRIK MOORE: USHTARËT E NATO-S NUK MUND TË RRIJNË DUARKRYQ NË EVROPË PA U MARRË ME ASGJË


RADIO EVROPA E LIRË
Këtë javë NATO u vendos në Afganistan. Analistët thonë se kjo është hera e pare në historinë 54 vjeçare që aleanca të veproj jashtë Evropës. Si e shpjegoni ju këtë zhvillim?

PATRIK MOORE
Siç e përmendët dhe ju, aleanca u krijua më 1949 dhe qëllimi ishte të zbrapsej ekspansioni i Bashkimit Sovjetik dhe i sistemit komunist. Këtë qëllim
NATO-ja e realizoi mjaft mirë deri në rënien e komunizmit në vitet 1989-90. Pas shpërbërjes së ish Bashkimit Sovjetik dhe përmbysjes së komunizmit, çështja që natyrisht u shtrua ishte se a duhej ende NATO-ja. Kishte dhe ka disa njerëz të cilët thonë se qëllimi i NATO-s ka përfunduar dhe se kjo organizatë duhet të shpërbëhet. Por njerëz më seriozë të fushës së vendimarrjes e ndjejnë që NATO-ja ka luajtur një rol shumë ë rëndësishëm, jo vetëm për stabilitetin ushtarak, por edhe për stabilitetin politik dhe duhet të vazhdoj të ekzistoj. E dimë për shembull që në rajonin tonë, Kroacia, Maqedonia, Shqipëria, por kohët e fundit edhe Bosnjë Hercegovina dhe Serbia e Mali i Zi duan të anëtarësohen në këtë aleancë. Vërtet siguron një formë të stabilitetit dhe duket që ka një të ardhme të mirë përpara saj. Tash le t'i rikthehemi pyetjes: çfarë po bën NATO-ja në Afganistan? Duket mjaft qartë që me mungesën e rrezikut sovjetik, ushtarët e NATO-s nuk mund të rrinë duarkryq në Evropë pa u marrë me asgjë. Prandaj demokracitë në Evropë dhe në Amerikën Veriore, tash po kërkojnë që të angazhohen në aksione të kombinuara jashtë Evropës, ku rrezikohet siguria ndërkombëtare.Pra, me fjalë të tjera,
NATO-ja i ka gjetur vetes misione të reja jashtë Evropës, por përsëri vazhdon të jetë e përcaktuar për ndalimn e agresionit dhe promovimin e stabilitetit dhe të një të ardhmeje të prosperitetit dhe demokracisë. Kjo është ajo që po bëjnë në Afganistan.

RADIO EVROPA E LIRË
Aktualisht ky mandat është i kufizuar brenda kryeqytetit Kabul…por njëherësh nga diplomatët e BE-së ka ide që të bëhet reduktimi i trupave në Ballkan. A është kjo e arritshme?

PATRIK MOORE
Ashtu siç e dimë të gjithë në Bashkimin Evropian ka pasur shumë diskutime rreth një ushtrie të veçantë të BE-së, por realiteti është që shumica e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, tash për tash, nuk kanë buxhet të gjerë për të shtuar shpenzimet në fushën ushtarake. Gjermania është një rast klasik, e cila ka taksa shumë të larta por sistemi i pensioneve, i mirëqënies sociale dhe sistemi shëndetësor janë në rrezik të rënies për mungesë të fondeve. Ushtria gjermane nuk është në formën më të mirë dhe përsëri problemi qëndron te fondet. Pra, siç e shohim, për disa vende të Bashkimit Evropian, që të mbajnë më shumë se disa qindra trupa në Ballkan…plus disa mijëra trupa në Afganistan, mund të jetë paksa shumë e shtrenjtë dhe e vështirë. Gjithsesi nuk shoh asnjë arsye që Shtetet e Bashkuara dhe Evropa Perëndimore të mos veprojnë së bashku për të siguruar ato disa mijëra trupa që janë të nevojshme për sigurinë në vende të tilla si Bosnja dhe Kosova, duke qenë njëkohësisht të angazhuara në Afganistan, ndërsa në rastin e amerikanëve dhe disa aleatëve të tjerë të ngushtë si Britania, Polonia etj, edhe në Irak. Nuk mendoj se do ketë ndonjë thirrje serioze për tërheqjen e këtyre trupave nga Ballkani, pasi misioni i tyre nuk kushton shumë.

RADIO EVROPA E LIRË
Poashtu, aktualisht, kemi edhe ide nga diplomatët e BE-së në Bruksel që Bashkimi Evropian duhet ta forcoj rolin e stërvitjes policore në Ballkan. Sipas jush çka do të thotë kjo?

PATRIK MOORE
Çfarë po bëjnë ushtarët dhe policia në Ballkan? Ata praktikisht janë aty jo vetëm për të zbrapsur një ringjallje të konflikteve, por janë aty edhe për luftimin e krimit të organizuar dhe terroristëve potencialë. Për disa nga këto punë nuk nevojiten domosdoshmërisht ushtarë të huaj. Mund të ketë polici të huaj, mund të ketë polici vendëse të trajnuar, supozojmë nga Bashkimi Evropian, me standarte të larta ndërkombëtare. Për shembull në një të ardhme, shumica e punës që ka të bëjë me luftimin e krimit të organizuar, trafiqeve të njerëzve apo kontrabandës, mund t'u përkasë policëve më shumë sesa ushtarëve. Kjo mendoj se nënkuptohej nga sugjerimi, të cilit iu referuat.
Intervistoi: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG