Ndërlidhjet

N.DACI: TË PRESIM FJALËN E DREJTËSISË


Zijadin Gashi, Prishtinë

Këshilli i Sigurimit nuk do të bjerë në grackat e Beogradit, në lidhje me situatën e krijuar pas vrasjes së dy të rinjve serbë në Zahaç të Pejës dhe plagosjen e katër të tjerëve, para se të zbulohen autorët e këtij krimi, ka thënë sot në Prishtinë kryetari i Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci. Qëllimi kryesor i Beogradit dhe fushatës së ndërmarrë ndaj Kosovës jo vetëm pas kësaj vrasjeje, por edhe më parë,
është që t'a paraqesë Kosovën si një vend të pasigurtë, ka thënë Daci. Ai ka thënë gjithashtu, se përderisa organet kompetente nuk e kanë ndriçuar rastin, akuzat për këtë akt mund të jenë të dyanshme. "Siç i akuzon Beogradi shqiptarët për këtë vrasje, ashtu edhe unë," tha Daci, "mund ta akuzoj gjithashtu Beogradin." Duke u nisur nga ky fakt, kryeparlamentari i Kosovës tha se institucionet vendore janë shumë të interesuara që ky rast si edhe tjerat të ndriçohen dhe të mënjanohen spekullimet e ndryshme, që po krijon moszbulimi i akteve të tilla.
“Në demokraci duhet t’u lihet në dorë institucioneve të drejtësisë, policisë zbardhja e krimeve, por ne kemi kërkuar edhe prej presidentit, parlamentit dhe kryeministrit që të zbardhen këto raste. Këshilli i Sigurimit nuk do të bjerë në gracka të tilla, madje unë dyshoj se mund të mblidhet në një takim serioz, dhe mund të dalë me ndonjë deklaratë e rastësishme. Në këto çështje, pa e thënë fjalën policia e UNMIK-ut, KFOR-i, drejtësia, Këshilli i Sigurimit si një institucion i mençur, nuk do të bjerë në gracka të tilla”, ka thënë zoti Daci.
Ai sot bashkë me kryeministrin e Kosovës Bajram Rexhepi, si dhe përfaqësues të shtyllës së katër të UNMIK-ut dhe drejtues të USAID-it në Kosovë, kanë diskutuar rreth tejkalimit të situatës së rëndë
elektroenergjetike, që aktualisht po mbretëron në Kosovë. Me këtë rast, Daci tha se ia kishte bërë të qartë dhe shefit të ri të UNMIK-ut Harri Holkeri, se kosovarët duhet të marrin më shumë kompetenca, si në fushën e sigurisë, ashtu edhe në atë të zhvillimit ekonomik, sepse si pasojë e dështimeve, tha Daci, po zbehet e ardhmja e Kosovës.
“Unë edhe dje ia kam bërë të qartë përfaqësuesit të ri të Sekretarit të Përgjithshëm, që dështimet në investimet në ekonominë kosovare, po e errësojnë të ardhmen e Kosovës, pa kontributin e institucioneve
të Kosovës dhe të kosovarëve. KEK-u është “peacemaker”, jo vetëm ekonomik, por edhe politik i Kosovës, sepse pa dritë, Kosova nuk mund të bindë asnjë se mund të jetë e pavarur, sepse në terr bëhen gjëra të pakëndshme”, ka thënë zoti Daci.
Ndërkohë kryeministri Rexhepi, duke kërkuar transparencë të plotë në harxhimin e parave dedikuar KEK-ut, tha se qeveria me gjasë do t’i ndajë sërish mjetet për realizimin e disa projekteve të Koorporatës
Elektroenergjetike: “Ne duhet të kemi qasje të plotë për mjetet të cilat huazohen për KEK-un, dhe për çdo cent që harxhohet nga buxheti i Kosovës, ne duhet t’i kemi të dhënat e plota , në mënyrë që bashkarisht të gjejmë formën më optimale të menaxhimit të KEK-ut në fazat e ardhshme”, tha kryeministri Rexhepi.
Kryeparlamentari Daci si dhe kryeministri Rexhepi, thanë gjithashtu se ishte qëndrim i përbashkët që qeveria e Kosovës të marrë përsipër menaxhimin e Koorporatës Elektroenergjetike të Kosovës, si dhe një
rol më aktiv në procesin e zhvillimit ekonomik, ndërsa nga përfaqësuesit ndërkombëtarë, sipas tyre, vetëm ekspertët e donatorëve të ndryshëm, të mund të kenë vend, si në KEK ashtu edhe ndërmarrje të tjera, në mënyrë që t’i ndihmojnë vendorët vetëm në disa çështje
teknike.



XS
SM
MD
LG