Ndërlidhjet

THAÇI: VLERËSOJMË SE DIALOGU ËSHTË NË TË MIRËN E TË GJITHËVE


Rrahman Paçarizi Prishtinë

Edhe Partia Demokratike e Kosovës është shprehur sot në favor të dialogut Prishtinë-Beograd për çështje teknike, që pritet të fillojë në Vjenë, duke iu bashkuar kryetarit të Kosovës Ibrahim Rugova dhe kryetarit të Kuvendit Nexhat Daci, në mbështetjen që i kanë dhënë fillimit të bisdimeve më 14 tetor.
Këtë vendim të PDK-së, kryetari i saj Hashim Thaçi e ka bërë publik pikërisht në një solemnitet, organizuar për katërvjetorin e themelimit të partisë, me ç’rast ka thënë se kjo parti e vlerëson dialogun, si një vlerë për shoqërinë dhe vendin dhe si një vlerë të qytetarisë bashkëkohore, ndërsa takimin e Vjenës, si diçka që duhet të ndodhë:
"Organet drejtuese të PDK-së dhe kryetari i saj vlerësojnë se është me interes që të ndodhë takimi i Vjenës. Procesi nuk është më i miri apo i përkryer, por vlerësojmë se dialogu konstruktiv dhe parimor është në të mirën e të gjithëve", është deklaruar sot.
Në të vërtetë, Këshilli Drejtues i Partisë Demokratike të Kosovës, si organi më i lartë i kësaj partie, ka mbajtur sot një mbledhje të gjatë, pas të cilës është marrë vendimi për t’i thënë po fillimit të bisedave teknike me Beogradin më 14 tetor në Vjenë, ku kjo parti duhet të dërgojë një ministër të vetin, ndërkohë që vendimin e tij për pjesëmarrje apo jo në takimin e Vjenës, ende nuk e ka bërë publik kryeministri i Kosovës, Bajram Rexhepi, i cili më parë ka deklaruar se nuk do të shkonte në këto bisedime pa pëlqimin e Kuvendit të Kosovës. Edhe pse ende nuk dihet me saktësi nëse do të ketë fare një mbledhje të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, zoti Thaçi u ka bërë thirrje institucioneve të Kosovës që të marrin vendime në pajtim me unitetin e brendshëm politik:
"Ftojmë institucionet e Kosovës që të marrin vendime të përgjegjshme në të mirë të unitetit politik dhe institucional, në përputhje të plotë më interesat e qytetarëve dhe angazhimet e komunitetit ndërkombëtar në Kosovë".
Deri tani ftesën për të marrë pjesë në takimet e Vjenës e ka refuzuar kategorikisht vetëm kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili do të duhej të dërgonte në Vjenë një ministër nga partia e tij.



XS
SM
MD
LG