Ndërlidhjet

MOORE: " VJENA- BLERJE KOHE, CIRK MEDIAL, APO...."


Patrick Moore, analist i Evropës Së Lirë

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Moore, kjo javë ka qenë në shenjë të takimit të Vjenës. Si i komentoni ju atë dhe çfarë paraqet ai për marrëdhëniet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit?

PATRICK MOORE
Nuk mendoj se do të ketë shumë rëndësi për marrëdhëniet mes Prishtinës dhe Beogradit, të paktën jo për momentin. Le t'i kthehemi asaj se për çfarë ishte Vjena. Së pari shkuarja në këtë takim nuk ishte shumë popullore në Prishtinë. Ajo që do shtoja është se edhe në Beograd askush nuk e donte këtë takim. Serbët kanë probleme të tjera, interesa të tjera për momentin dhe do të vija theksin te fakti se ditën pas takimit të Vjenës, editorialet në faqet e para të gazetave serbe, nuk ishin për bisedimet, por për krizën që po ndodh në parlamentin serb, krizën në qeverinë e Serbisë dhe kjo tregon se ku ishte e përqëndruar vëmendja e Serbisë. Serbët mendoj se politikisht ishin më të sofistikuar në këtë takim, sepse të gjithë thanë pikërisht gjërat që donin të dëgjonin të huajt. Prandaj serbët para të huajve u dukën thua se ishin kooperues, por në të vërtetë as ata nuk e donin këtë takim.
Por çfarë ishte ky takim? Ishte një mundësi e mëtejme në të mirë të të huajve që e organizuan atë.
Ata mund t'i tregonin pjesës tjetër të komunitetit ndërkombëtar se ata me të vërtetë po shënonin progres, që UNMIK-u kishte progres, që Bashkimi Evropian po bënte diçka aktivisht, edhe pse as shqiptarët as serbët nuk e donin shumë këtë takim. Prandaj ajo që shohim është një takim, i cili u zhvillua si rrjedhojë e presionit të jashtëm, në të cilin sidomos shqiptarët dyshojnë se ka një agjendë të fshehur nga Bashkimi Evropian që eventualisht t'i detyrojë ata në një lloj marrëdhënieje me Serbinë dhe Malin e Zi, gjë që gjithsesi askush në Kosovë nuk e do.

RADIO EVROPA E LIRË
Përse bashkësia ndërkombëtare, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Unioni Evropian refuzojnë të ndërmjetësojnë bisedimet praktike dhe thonë se janë vetëm ndihmues? A është ky sinjal se këto bisedime mund t'i kontribuojnë uljes së tensioneve, por gjasat për sukses janë të vogla? Disa analistë thonë se bisedimet vetëm paraqesin blerje kohe.

PATRIK MOORE
Mundem të hetoj një gjë të tillë, pra faktorin e blerjes së kohës. Por mendoj se interesimi kryesor i të huajve në këtë çështje, vështruar nga pikëpamja e tyre, është që shqiptarët dhe serbët të ulen dhe të bashkëpunojnë, të ulen dhe të kenë bisedime të frutshme që kanë të bëjnë me çështjet praktike. Mundem të bie dakort me këtë, por ajo për të cilën nuk jam dakort, është ajo që në vend të fillohej në ndonjë dhomë të qetë me ekspertë të vërtetë, u organizua gjithë ky " cirk" medial i Vjenës si fillim. Kjo nuk mendoj se ishte konstruktive për arritjen e qëllimeve të parashtruara. Nëse duam të kemi dhe këtu futet sinjali për të cilin folët, nëse duam të kemi njerëzit që të fillojnë biznesin dhe të zgjidhin problemet aktuale, kjo duhet bërë qetësisht dhe në formën që protagonistët e duan vetë. Kjo ishte ajo që kryeministri Rexhepi tha që "ne do të vendosim se kur do të flasim, me kë do të flasim dhe si do t'a realizojmë këtë gjë". Mendoj se kjo nuk duhet zhvilluar si një eveniment medial në një kryeqytet të njohur të Evropës, por të bëhet qetësisht nga serbët dhe shqiptarët vetë kur të jenë të gatshëm për këtë hap. Ndoshta me pak ndihmë e huaj, por jo si një ngjarje për mediat me gjithë këta emra të mëdhenj.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Moore, si e parashihni zhvillimin e mëtejmë të bisedimeve dhe në përgjithësi të raporteve Prishtinë Beograd?

PATRICK MOORE
Gjërat mund të shkojnë në dy drejtime të ndryshme: ose mund të vazhdojnë me gjithë këta të huaj dhe titullarë të rëndësishëm, të cilët shkojnë e vijnë, marrin në telefon, mbajnë takime para kamerave, ose mund t'i kemi gjërat që të ecin pak më qetësisht,me një formë më efektive, kur njerëzit janë direkt të përfshirë; por kur shqiptarët dhe serbët të jenë të përgatitur për këtë. Personalisht mendoj që nuk ka shans që të ndodhë diçka para se të mbahen zgjedhjet në Kosovë ose në Serbi. Serbët janë shumë të zënë me politikën e tyre të brendshme dhe deri sa të dimë se kush do jetë kryeministër i Serbisë në 3-6 apo 9 muaj, nuk është vërtet realiste të presësh bisedime produktive.

Intervistoi Melazim Koci


XS
SM
MD
LG