Ndërlidhjet

ALLIN:"NUK KA KONSENZUS NDËRKOMBËTAR PËR KOSOVËN"


Dana ALLIN, ekspert britanik për Ballkanin


Radio Evropa e Lirë
Z. Allin, cili është komenti juaj për takimin e parë zyrtar midis Prishtinës e Beogradit në Vjenë?

Dana Allin
Kam përshtypjen se në atë takim nuk është arritur asgjë thelbësore, por ulja në të njëjten tavolinë e shqiptarëve të Kosovës dhe anëtarëve të qeverise serbe, ka një rëndësi të veçantë. Tashmë kanë kaluar disa vite nga konflikti në Kosovë dhe përfundimisht është e qartë se përparimi i bisedimeve për statusin final të Kosovës, do të varet nga aftësia dhe gatishmëria e të dy palëve, që të bisedojnë drejtpërdrejt.

Radio Evropa e Lirë
Pse Bashkësia Ndërkombëtare ende nuk dëshiron ta vërë në rend dite çështjen e statusit përfundimtar të Kosovës? Cilat janë arsyet? Dhe kur do të jetë koha më reale për hapjen e kësaj çështjeje?

Dana Allin
Do të thosha se ekzitojnë arsye të ndryshme pse fuqitë ndërkombëtare ende nuk janë të gatshme ta hapin këtë çështje. Një prej arsyeve është se ende nuk ekziston një konsenzus ndërkombëtar për këtë problem. Disa anëtare të Këshillit të Sigurimit me gjasë tashmë janë pajtuar me faktin se në një moment me siguri do të vijmë deri te pavarsia e Kosovës, të tjerat ndërkaq, para së gjithash Rusia, ende nuk janë të gatshme që të përballen me këtë të vërtetë.
Arsye tjetër është se për këtë duhet të negociojnë Beogradi dhe udhëheqja shqiptare e Kosovës. Gjykuar sipas takimit në Vjenë, ende jemi larg kësaj.
Megjithatë duhet theksuar se, para se të vihet në rend dite statusi përfundimtar i Kosovës, për çka insistojnë shqiptarët e Kosovës, ata duhet të bëjnë shumë më shumë për zgjidhjen e statusit të pakicës serbe dhe të refugjatëve serbë në Kosovë. Në këtë kontekst, mendoj që nuk mund të vihet në pyetje minimumi të cilin bashkësia ndërkombëtare e ka vënë para udhëheqjes shqiptare në Kosovë, që të dëshmojë se është në gjendje të krijojë rrethana në të cilat serbët në Kosovë do të ndihen të sigurtë. Kushte të tilla tani për tani nuk ka.

Radio Evropa e Lirë
A ekziston rreziku që protektoratet e zgjatura ndërkombëtare në një moment vetvetiu të bëhen problem? Në Bosnjë kemi një situatë të tillë, ndërsa në rastin e Kosovës, nuk ka diskutim për strategjinë e daljes. A mund të prodhojë kjo efekt-bumerang?

Dana Allin
Natyrisht, nëse protektorati zgjatë tej mase, krijohet vartësia e thellë nga protektorati gjë që e paralizon potencialin lokal demokratik.
Përkundër kësaj, mendoj se kanë ekzistuar dhe ende ekzistojnë shkaqet për funksionimin e institucionit të Përfaqësuesit të Lartë të Bashkësisë Ndërkombëtare në Bosnjë dhe të UNMIK-ut në Kosovë, sepse këto entitete nuk e kanë treguar nivelin e bashkimit dhe të pjekurisë politike, i cili do t'ua mundësonte sovranitetin e plotë.
Kuptohet, pas një kohe të caktuar, vetë protektorati mund të shëndrrohet në problem. E di se shumë mendojnë që ai tashmë është bërë problem, veçanërisht në Bosnjë. Mënyra më e mirë për parandalimin këtij problemi, është të cohen përpara kapacitetet vetanake politike dhe të forcohen aftësia dhe dëshira e politikanëve vendor që të ofrojnë programe politike që nuk kanë të bëjnë me të kaluarën nacionaliste.

Radio Evropa e Lirë
Sekretari i Përgjithëm i NATO-s Robertson përmend mundësinë që NATO t'ua dorëzojë misionin paqësor në Bosnjë forcave të Bashkimit Evropian. Diplomatët evropianë mendojnë se Shtetet e Bashkuara, më shumë se kurrë më parë, janë të gatshme që këtë përgjegjësi t'ia dorëzojnë Evropës, sepse kanë detyra më të rëndësishme në Afganistan dhe në Irak.
Mendoni se është shumë heret për shkuarjen e NATO-s dhe të amerikanëve nga Ballkani?

Dana Allin
Mendoj se nuk është shumë heret që të fillojë diskutimi për këto çështje. Gjithashtu më bëhet se dilemat për forcat e NATO –s ose për forcat e Bashkimit Evropian, ekzistojnë vetëm në rrafshin simbolik. Pse? Sepse kjo në terren, në esencë nënkupton të njëjtat trupa dhe të njëjtat kuadro oficerësh. Konsideroj se modeli transatlantik deri tani ka qenë parim shumë i mirë i organizimit të misioneve paqësore. Shembull ideal, kuptohet, do të ishte që SHBA-të të qëndrojnë në Bosnjë dhe në Kosovë aq gjatë sa edhe partnerët e tyre në NATO. Është e mundur që në kontekstin e tyre të gjerë të bashkëpunimit, nga kjo do të mund të zhvillohej modeli adekuat i operacioneve paqësore multinacionale në Irak, ta zëmë. Mirëpo, për fat të keq, duket se gjërat nuk po shkojnë në këtë drejtim. Me këtë dua të them se në vend të këtij modeli në praktikë kemi një lloj ndarje të punëve, në të cilën ndarje Shtetet e Bashkuara janë të koncentruara në rajonet jashtë Evropës.
Unë, megjithatë, nuk mendoj që transferi i Ballkanit në zonën e përgjegjësisë së Bashkimit Evropin do të ketë ndonjë pasojë dramatike dhe negative. Ky, në të vërtetë është kopsht evropian dhe mendojë që Evropa është e aftë për këtë mision.


XS
SM
MD
LG