Ndërlidhjet

NË KOSOVË TRAFIKOHET NJË NUMËR I MADH I FEMRAVE


Zijadin Gashi, Prishtinë

Kosova është e përfshirë në trafikimin me qenie njerëzore dhe ky fenomen po bëhet problem shumë serioz, u tha sot në një konferencë rreth trafikimeve të organizuar nga IOM-i, Departamenti i Drejtësisë dhe disa organizata joqeveritare ndërkombëtare dhe vendore. Ndonëse aty nuk u prezantuan shifra konkrete, u tha se Kosova importon një numër të madh të femrave të trafikuara nga vendet e tjera si: Moldavia, Ukraina, etj, të cilat më pas detyrohen të punojnë si prostituta. Por u tha gjithashtu se kohët e fundit edhe femrat kosovare trafikohen përbrenda Kosovës dhe në disa raste edhe jashtë saj për në vendet tjera.
Lufta kundër trafikimeve duhet organizuar në atë mënyrë që të goditen rrjetet rajonale të trafikantëve, tha Helga Konrad, drejtuese e Grupit e Grupit Punues të Paktit të Stabilitetit kundër trafikimeve në Evropën Juglindore. Ajo tha se, ekziston një bashkëpunim i ngushtë i kriminelëve në tërë rajonin që merren me trafikimin e qenieve njerëzore:
“Ne dimë edhe nga rasti i Evropës Juglindore, jo vetëm në Kosovë, që këto grupe kriminelësh janë të lidhur me njëri tjetrin si dhe janë të ndërlidhur edhe me aktivitete tjera kriminale, siç është trafikimi i armëve e krime tjera”, tha Konrad. Ajo tha se në rajon ka shumë rrjete të tilla kriminelësh, kurse sipas vlerësimeve të Paktit të Stabilitetit, këto rrjete kriminelësh mund të luftohen vetëm bashkarisht nga të gjitha vendet e përfshira në këtë dukuri.
Ndërkohë, Sian Jones, nga Amnesty International, thotë se ka dhe një numër të madh të femrave të reja kosovare që trafikohen përbrenda territorit të Kosovës. Ajo tha se kjo dukuri zhvillohet në Kosovë, si pasojë e një krize evidente sociale dhe në mungesë të zbatimit të ligjeve përkatëse, gjë për të cilën fajësoi administratën e UNMIK-ut për mosreagimimin e duhur:
“Komuniteti ndërkombëtar ka disa përgjegjësi të veçanta dhe Rezoluta e Kombeve të Bashkuara, me të cilën është vendosur në Kosovë UNMIK-u, e përcakton dhe promovimin dhe zbatimin e të drejtave të njeriut”, thotë Jones, për të shtuar se Amnesty International, ka të dhëna të besueshme se nëse kjo dukuri nuk ndalet tani, shumë shpejt vajzat e reja nga Kosova do të fillojnë të trafikohen për në vendet tjera të Evropës.
Ndërsa Barbara Limonovska nga UNICEF-i, tha se deri më tani, problem ishte sjellja e femrave të trafikuara nga vendet tjera në Kosovë, kurse tani, edhe ajo tha se po paraqitet një fenomen, siç e quajti ajo, i trafikimit të femrave kosovare jashtë Kosovës. Sipas Limonovskës, ky problem vjen si pasojë e zhvillimit shumë të ulët ekonomik të Kosovës, ku popullata nuk ka kurrëfarë mbikqyrje sociale, kurse punësimi po zvogëlohet në vend se të shënojë shtim të vendeve të reja të punës.
Mirëpo, problemi i trafikimeve përbrenda Kosovës, sipas znj.Igballe Rexha, nga Qendra për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve, është shumë më i madh sesa prezantohet në media dhe në opinion:
“Qendra për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve, sipas raportit, të vitit të kaluar, ka shënuar 271 raste të trafikimit. Prej tyre, sa i përket nivelit të shkollimit deri në 60 përqind të rasteve, janë analfabete”, tha Igballe Rexha, për të shtuar se mosha mesatare e femrave kosovare të trafikuara dhe shtyra më pas të punojnë si prostituta është 18 vjeçare. Mirëpo, znj.Rexha, tha gjithashtu se Qendra në të cilën ajo punon, ka hetuar dhe raste të shumta të përfshirjes së fëmijëve në trafikim, respektivisht prostitucion:
“Fatkeqësisht ka një numër të madh të viktimave të trafikimit, sidomos që u përkasin moshave 13-14 vjeçare. Por, nuk është dukuri, por kemi pasur raste edhe të grupmoshave 11 e 12 vjeçare”, tha ajo.
Në konferencë morën pjesë dhe autoritetet vendore dhe ato ndërkombëtare. Zhan Kristian Kadi, zëvendës i kryeadministratorit Harri Holkeri, tha se policia duhet t’i shtojë aktivitetet e veta në luftimin e trafikimeve. Kurse Rexhep Hoti, këshilltar i kryeministrit të Kosovës, tha se qeveria vendore duke dashur të implikohet në luftën kundër trafikimit me qenie njerëzore ka formuar dhe një grup ndërqeveritar kundër trafikimeve. Konferenca do t’i vazhdojë punimet edhe dy ditët e ardhshme.




XS
SM
MD
LG