Bekim Bislimi
Vitin e kaluar, Lirije Kunjusha-Gashi, 59 vjeç, banore e Prishtinës, pas 13 vjetësh kishte marrë lajmin se vëllai i saj 55 vjeç, Xhemajl Konjusha nga Sllatina e Madhe e komunës së Fushë Kosovës është gjallë dhe se gjendet në Spitalin e Topaonicës së Epërme në Nish. Ky kishte qenë lajmi më i gëzuar për të prej sa jetonte në shtëpinë e saj përdhesë në periferi të Prishtinës, me bashkëshortin dhe 8 fëmijët e saj, të cilët shumica, tashmë janë të martuar. Vëllai i saj Xhemajli, me të cilin ishin rritur si fëmijë bonjak, në moshën 15 veç kishte pësuar çrregullime në shëndetin mendor dhe ishte vendosur në Institutin për trajtimin e personave me zhvillim të vonuar mendor në Shtime, ndërkaq që nga viti 1989, atij i kishte humbur çdo gjurmë dhe motra e tij e vetme, nuk kishte arritur asgjë që të kuptonte për fatin e tij. Faktin që Xhemajli ishte i gjallë, zonja Lirija thotë se e kishte kuptuar nga gazetat.
“E pabesueshme ka qenë se është i gjallë. Qe një vjet e kam gjetur…Ashtu, të humbur”, tha zonja Lirie.
Me të kuptuar vendndodhjen e të vëllait, zonja Lirie dhe një nga dajët e saj, i cili ishte përkujdesur për ta kur ishin fëmijë, i ishin drejtuar Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq dhe më 20 maj të këtij viti, nën organizimin e kësaj organizate kishin vizituar spitalin psikiatrik në Topaonicë të Epërme, ku edhe kishin takuar Xhemajlin.
“Shkuam aty dhe mua gati më lëshoi zemra kur e pashë…Nuk e njoha. Daja më pyeti se cili është, e unë i thash se nuk e di. Unë jam me vite para tij, por ai ishte bërë sikur t’i kishte 60 apo 70 vite. Kishte qenë i zbathur, me pizhama të holla, i mbyllur… Ai nuk më kishte harruar, më njohu dhe të gjitha i dinte. Pyeste se kush është i gjallë e kush ka vdekur. Nuk do t’më dhimbsej sikur të mos dinte asgjë fare, por ai po dinte”, tha zonja Lirie. Ajo, thotë se mbi Xhemajlin kishin mbetur edhe gjurmët e luftës që ishte zhvilluar 4 vjet më parë dhe se kriminelët, të cilët Xhemajli nuk i kishte njohur, nuk i kishin kursyer as këta pacientë.
“Thonjtë ia kishin nxjerrë me dara. Vetë ka treguar: “Thuaj se je jugosllav e jo kosovar”…Nxirr thonin, pastaj… “thuaj se jam i Jugosllavisë e jo i Kosovës. Mos e përmend Kosovën”. Vetëm thoshte serbët ma kanë bërë këtë”, tregon zonja Lirie rrëfimin e të vëllait. Ajo thotë se me insistimin e saj dhe me ndërmjetësimin e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, më 2 qershor të këtij viti ajo kishte arritur një marrëveshje me drejtorinë e Spitalit në Topaonicën e Epërme, që ta merrte të vëllain për vizitë 15 ditëshe në Prishtinë. Sipas saj, zyrtarët e spitalit të Nishit i kishin thënë se nëse mund të sigurojë akomodim në ndonjë institucion kosovar përkatës, Xhemajli mund ta vazhdojë kurimin në Kosovë, por “ askush nuk më gjeti vend, as në shtëpinë e pleqve, as në Shtime. S’ka vende më thoshin. Qëndroi këtu dy javë, në Prishtinë. Kam folur me drejtorin e Shtimjes (v.j. Instituti për personat me zhvillim të vonuar mendor), me Ferid Aganin, me një të huaj që quhej Albert. Kur më kanë thënë se duhet të shkoj, kam vrapuar dhe ende vrapoj, por nuk po e pranojnë vëllait tim…Me thonë se s’ka vend”, rrëfen motra e Xhemajl Konjushës.
Më 17 qershor, Zonja Lirie, në pamundësi për t’ia siguruar të vëllait akomodimin adekuat në Kosovë, detyrohet që, sipas marrëveshjes paraprake me spitalin në Nish, përmes Kryqit të Kuq Ndërkombëtar, ta kthejë atë në Spitalin psikiatrik në Topaonicë të Epërme. Ndërkohë gjendja shëndetësore e vetë zonjës Lirie e cila lëngon nga zemra, është përkeqësuar.
“Prej kur e kam parë, më nuk kam gjumë as gjatë natës…Më mirë në varr se që e ktheva atje. Shumë jam mërzitur, shumë…Nuk po di se çfarë të bëj. Vetë, nuk kam mundësi ta marr…”, tha zonja Lirie. Lotët e saj, e ndërprenë dialogun. Ajo drejtoi kokën nga dritaret e vogla të shtëpisë së saj duke pyetur: A ka institucione Kosova, të cilat mund të dëgjojnë lutjet e qytetarëve të saj, apo lutjet e tilla mbeten t’i drejtohen vetëm Zotit?