Ndërlidhjet

GRUPI I KONTAKTIT DISKUTON STANDARDET MË 10 DHJETOR


Zijadin Gashi, Prishtinë

Procesi i operacionalizimit të standardeve, do të ndikojë shumë ndoshta jo në ndryshimin por në zbutjen e konceptit të ngurtë standardet para statusit, thonë zyrtarë nga qeveria e Kosovës. Zëdhënësja e kryeministrit, Mimoza Kusari, pohon se afatizimi i standardeve dhe përcaktimi i përgjegjësive për përmbushjen e tyre, do të ndikojë në ndryshimin e këtij koncepti, i cili tani sipas saj, mund të quhet dhe standardet me statusin, meqë dihet afati deri kur do të plotësohen këto standarde dhe momenti kur mund të pritet hapja e definimit të statusit të ardhshëm të Kosovës.
Kusari beson, se pavarësisht koncepteve para apo me statusin, Kosova do të jetë e gatshme për definimin e statusit të saj gjatë vitit 2005.
“Qeveria ka mendimin, por edhe sugjerimin, se nëse punohet sipas asaj që është planifikuar, ato do të plotësohen. Gjithsesi mesi i vitit 2005, është kohë kyçe edhe për qeverinë e Kosovës që të diskutohet dhe çështja e statusit të Kosovës, domethënë është kohë kur mendohet se definitivisht janë pjekur kushtet që të fillojë diskutimi për statusin”, thotë Kusari.
Ndërkohë, shefi i deputetëve të koalicionit “Kthimi”, Dragisha Kërstoviç, mendon se koncepti nuk është ndryshuar dhe se do të vlejë definimi, standardet para statusit. Ai po ashtu e përjashton mundësinë që këto standarde të kuptohen si arritje e një statusi të caktuar, por se përmbushja e tyre, sipas Kërstoviçit, duhet kuptuar si angazhim për përmirësimin e jetës së qytetarëve të Kosovës.
“Meqë grupet punuese do të jenë të përziera, do të thotë përgjegjësinë do ta kenë të njejtë, si institucionet kosovare ashtu edhe UNMIK-u, atëherë si vlerësues të punës është paraparë të jenë zoti Holkeri dhe kryeministri i Kosovës, njëri si kryeadministrator, tjetri si kreu i qeverisë së Kosovës. Ata do t’i kenë nën ombrellë të gjitha grupet punuese, do t’u raportohet në baza mujore, kurse çdo tre muaj do të dërgohet raporti në Këshillin e Sigurimit”, theksoi Kusari.
Kërstoviç tha se së pari duhet të bëhet plotësimi i standardeve dhe përmirësimi i kushteve të jetesës në Kosovë dhe më pas do të shkohet në definimin e statusit të Kosovës.
Ndërkohë, duke komentuar çështjen se kush do ta bëjë vlerësimin e nivelit të përmbushjes së këtyre standardeve, Mimoza Kusari, thotë se si kriter i përgjithshëm do të merren standardet e njejta në vendet tjera në rajon, si dhe vlerësimi përfundimtar i udhëheqësve ndërkombëtarë dhe kosovarë, të cilët do të punojnë në këto standarde:
Në anën tjetër, një zyrtar i administratës së UNMIK-ut, tha se pavarësisht konceptit standardet para apo standardet me statusin, çështja e definimit të statusit të Kosovës mbetet e ndërlidhur me përmbushjen e këtyre standardeve. Sidoqoftë, tha ky zyrtar, plani përfundimtar ka mbetur të përmbyllet nesër dhe më pas do t’i dërgohet Grupit të Kontaktit, i cili ka shtyrë takimin nga 3 dhjetori, siç ishte paralajmëruar, në 10 dhjetor. I njëjti plan, më pas, sipas zyrtarëve të UNMIK-ut, pas Grupit të Kontaktit, do t’i dërgohet për miratimin përfundimtar Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.



XS
SM
MD
LG