Ndërlidhjet

S. OLLDASHI: OBJEKTIV I PROTESTAVE ËSHTË RIPËRSËRITJA E ZGJEDHJEVE PËR TIRANËN


Alma Çupi, Tiranë

Sot Partia Demokratike, partia më e madhe e opozitës nisi protestat maratonë në Tiranë. Protesta e cila nisi në orën 12 të drekës do të zgjasë deri në orën 12 të natës. Qytetarët do të protestojnë përpara Bashkisë së Tiranës, Kryeministrisë dhe selisë së presidencës për votën e lirë dhe respektimin e kushtetutës. Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, në fjalën e tij para qytetarëve të mbledhur tha se protesta do të bëhen për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Fatos Nano, të cilin e akuzoi edhe si hajdut të votës.
"Kryeministrin bandit, kryeministrin antikushtetues, kriminelin që dhunon kushtetutën dhe ligjet e vendit. Vëllezër dhe motra".
Sekretarit për Partneritetin në Partinë Demokratike, Sokol Olldashi thotë për Evropën e Lirë se protestat do të synojnë ripërsëritjen e zgjedhjeve në Tiranë:
"Si objektivin e saj konkret protesta do të synojë rikthimin dhe ripërsëritjen e zgjedhjeve në Tiranë. Janë zgjedhje krejtësisht të manipuluara, jo vetëm për efektin e dhjetra mijëra qytetarëve të hequr nga listat, por edhe për nxjerrjen e një rezultati mbi bazën e të paktën 162 procesverbaleve të manipuluara".
Kriza aktuale që ka përfshirë Partinë Socialiste dhe Qeverinë, sipas Sekretarit për Parneritet Sokol Olldashi ka sjellë edhe pengesa në zhvillimin e vendit:
"Shqipëria është një vend me probleme shumë të mëdha të krimit të organizuar dhe të lidhjeve të tij me politikën, është një vend që ka probleme të përditshmërisë me rendin e rrugës dhe nuk mund t'i lejojë vetes lluksin e të qënit pa një Ministër të Rendit Publik. Nga ana tjetër Shqipëria është është në proces të Stabilizimit dhe Asociimit me Bashkimin Evropian, proces ky me rëndësi shumë të madhe për Shqipërinë, dhe për të njëjtën arsye nuk mund t'i lejojë vetes lluksin për të qenë pa Ministër të Jashtëm. Pra të dy këta faktorë shkaktojnë një mungesë të madhe në administrimin e fushave përkatëse, por nuk do të thoja të jetës ekonomike sepse më keq se kaq nuk mund t'a çojnë as dy zëvendësministra as mungesa e dy ministrave", thotë Sokol Olldashi.
Protesta e Partisë Demokratike këtë herë është konceptuar si një protestë e qytetarëve, ku çdo njeri mund të marrë mikrofonin dhe të flasë për problemet dhe hallet e përditshme.





XS
SM
MD
LG