Ndërlidhjet

QEVERIA PARAQET PLANIN ZHVILLIMOR AFATMESËM


Zijadin Gashi, Prishtinë

Qeveria e Kosovës ka prezantuar sot strategjinë e saj afatmesme zhvillimore të Kosovës për pesë vitet e ardhshme. Duke mëtuar që me zbatimin e kësaj strategjie të rritet zhvillimi ekonomik, të hapet perspektivë për shtimin e vendeve të reja të punës, si dhe të inkurajohen investimet nga jashtë, por edhe investorët vendas, kryeministri Bajram Rexhepi, tha se Kosova ndërkohë do të ecë rrugës së integrimeve evropiane, duke zhvilluar një ekonomi të tregut dhe gradualisht të bëhet një vend konkurrence dhe t’i tejkalojë problemet aktuale sociale që i ka:
“Kosova sot karakterizohet me humbjen e tregjeve dhe tendecë për rikthimin e atyre tregjeve, apo edhe hapjen e tregjeve të reja. Hapja e tregjeve të reja, kërkon qasje të reja, kërkon strategji zhvillimore, kërkon përkushtim të institucioneve vendore për të marrë fatin e tyre në duart e veta dhe kërkon ndërtim të kapaciteteve institucionale për përballimin e kërkesave nga populli dhe nga komuniteti evropian”, pohoi kryeministri Rexhepi.
Strategjia është prezantuar nga Ministri për Industri dhe Tregti, Ali Jakupi. Ai tha se kjo strategji, parasheh zhvillimin e Kosovës në të gjitha fushat, përfshirë këtu jo vetëm ekonominë, por edhe arsimin, shëndetësinë, kulturën, sportin e fusha tjera.
“Për të realizuar këtë strategji duhet t’i vëmë në dukje disa domosdoshmëri: integrimi i Kosovës, eliminimi i enklavave të minoriteteve, forcimi i shoqërisë multietnike, posaçërisht nëpërmjet inkorporimit në botën e biznesit. Strategjitë përfshijnë, ndërtim të sistemit ekonomik, të sistemit financiar e fiskal, zhvillim të sistemit të bankave, të tregut të lirë, tendeca për integrime rajonale në bashkësinë evropiane dhe më gjerë”, theksoi ministri Ali Jakupi, për të shtuar se strategjia mund të zbatohet edhe para se të zgjidhet statusi i Kosovës, mirëpo për implementimin e saj, tha ai nevojitet dhe mbështetja e administratës ndërkombëtare.
Ndërsa Besim Beqaj, nga kabineti i kryeministrit të Kosovës, tha se kjo strategji paraqet dhe një bazë për të drejtuar Kosovën drejt një ekonomie tregu:
“Duke e parë se çfarë gjendje e kemi, atëherë themi se Kosova, po tenton të hyjë në këtë ekonomi tregu dhe definitivisht kërkon një orientim shumë të qartë, se çka kërkojmë ne nga ekonomia e tregut dhe cilat do të jenë orientimet që qeveria do t’u ofrojë qyteteve të saj, mirëpo edhe ndërmarrjeve të saj”, tha Beqaj.
Gjatë pesë viteve të ardhshme, Kosova parasheh të hapë rreth 650 mijë vende të reja pune, kurse mëton njëkohësisht të ngritë industrinë ndërtimore, të ulë importin dhe inkurajojë prodhimet vendore, si dhe të ulë nivelin e tanishëm të përqindjes së taksave, për të koncentruar ekonominë në zhvillimin e biznesit, ka thënë ministri Jakupi. Duke e zbatuar këtë strategji, tha ai, në vitin 2008 të ardhurat për kokë banori në Kosovë, do të jenë 3.132 euro.



XS
SM
MD
LG