Ndërlidhjet

TAKOHEN GRUPET PUNUESE PËR STANDARDET


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Përfaqësues të UNMIK-ut dhe të qeverisë së Kosovës janë shprehur optimistë se muaji janar do të jetë koha kur do të mund të raportohen përparimet në fushën e përmbushjes së standardeve. Këto deklarata janë bërë sonte në mbrëmje pas mbledhjeve të veçanta që kanë mbajtur pesë grupet e përbashkëta implementuese të qeverisë dhe UNMIK-ut. Zyrtari për ndërlidhje ndërmjet UNMIK-ut dhe qeverisë së Kosovës, Rexhep Hoti tha takimet ishin shumë të suksesshme, me ç’rast të gjitha grupet punuese dëshmuan gatishmëri të lartë dhe seriozitet të madh për të punuar drejt përmbushjes së standardeve:
"Na gëzon fakti se edhe në grupin për dialogun patëm një takim jashtëzakonisht të mirë. Presim që nga fundi i janarit zoti Holkeri të paraqesë edhe raportin e parë për këtë çështje. Ne do t’i ofrojmë punën tonë konkrete për implementimin e satndardeve dhe shpresojmë që zoti Holkeri në fund të janarit do të shkojë bashkë me kryeministrin e Kosovës në Nju Jork që është një dëshirë e jona e kahershme."
Koordinatori i UNMIK-ut për standardet Ken Ross, tha se nuk mund të thoshte asgjë lidhur me shkuarjen apo jo të kryeministrit Rexhepi në Nju Jork, pasi kjo është çështje për të cilën vendos vetë zoti Holkeri, mirëpo, tha ai takimet ishin shumë të suksesshme:
"Ne kemi para vetes detyra shumë specifike, për të krijuar një plan të përmbushjes dhe shpresoj se do ta kryejmë këtë punë shumë shpejt," tha zoti Ross, ndërkohë që zyrtari për lidhje ndërmjet UNMIK-ut dhe qeverisë së Kosovës, Rexhep Hoti ka shpjeguar rrugët e formulimit të planit për përmbushjen e standardeve:
"Do të kemi për fillim tre shtylla kryesore për planin e implementimit, është veprimi, implementimi dhe implementuesit dhe koha. Do të thotë që do të kemi një fillim të thjeshtë në mënyrë që të ofrojmë një rezyme të mjaftueshme për raportin që do ta kemi deri atëherë".
Sidoqoftë në punën e sotme të grupeve të përbashkëta nuk kanë marrë pjesë përfaqësuesit serbë nën arsyetimin se nuk janë konsultuar lidhur me versionin final të planit për standardet. Duke shfaqur brengosjen për këtë fakt, zoti Ken Ross tha se pjesëmarrja e serbëve është e nevojshme:
"Zoti Holkeri e ka bërë të qartë se pjesëmarrja e serbëve në grupet punuese është shumë e rëndësishme për përmbushjen e standardeve, pasi standardet kanë të bëjnë me të gjitha komunitetet në Kosovë dhe me mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të tyre," tha zoti Ross.
Në anën tjetër sot në pjesën veriore të Mitrovicës Bashkësia e Komunave Serbe të Kosovës, një organizatë kjo që UNMIK-u nuk e njeh, është shprehur kundër standardeve për Kosovën, duke kërkuar formimin e dy entiteteve në Kosovë, si dhe kthimin e ushtrisë dhe policisë serbe, si dhe të institucioneve të tjera serbe, pasi sipas tyre të gjitha institucionet e formuara pas vitit 1999 në Kosovë, janë struktura paralele.

XS
SM
MD
LG