Ndërlidhjet

ETHET ZGJEDHORE NË KOSOVË


Shkelzen Maliqi


Faktori ndërkombëtar në Kosovë thotë se për zgjedhjet gjithçka është gati. Ata po i bëjnë përpjekjet e fundit që të sigurojnë edhe pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhje.
Regjistrimi i serbëve ditëve të fundit ka marrë hov. Ky është një sinjal për ndryshimin e qëndrimit të tyre, se ata pjesëmarrjen në zgjedhje po e konsiderojnë më të dobishme se bojkotimin. Por, liderët serbë vendimin po e shtyejnë deri në fund duke insistuar në përmbushjen e disa konditave. Në opinionin shqiptar lëshimet dhe premtimet që u bëhen serbëve krijojnë përshtypjen e një favorizimi dhe privilegjimi të pakicës serbe, që do të mundë të jetë i dëmshëm për procesin zgjedhor dhe krijimin e insitucioneve demokratike vendore në Kosovë. Megjithate, për serbët ka vetëm dhjetë vende në Parlamentin e Kosovës, me ndikim të kufizuar.
Për momentin si element pozitiv vlerësohet gjendja pa krahasimisht më stabile dhe më e qetë në Kosovë, në krahasim me periudhën para zgjedhjeve lokale, vitin e kaluar. Parashikimet për mbarëvajtjen e fushatës së zgjedhjeve ende janë optimiste edhe pse ka zëra që thonë se duhet pasur kujdes prej forcave ekstreme, të brendshme dhe të jashtme, të cilave nuk iu konvenon Kosova e qetë.
Konkurentët kryesorë për pushtet LDK-ja, PDK-ja dhe AAK-ja ende nuk i kanë hapur deri në fund letrat. Por, që tani mund të vërehen në çka do të mbështeten strategjitë e tyre. LDK-ja ekziston në figurën ende karizmatike të Rugovës dhe përkrahjen me inercion të sigurisë dhe kontinuitetit. PDK-ja llogarit në një të katërtën e elektoratit, që e konsideron të sigurt, si dhe në zvoglimin gradual të influencës së LDK-së. Ndërkaq AAK-ja ka bërë depërtime më serioze në joshjen e personaliteteve të reja në formacionin e saj prej koalicioni.
AAk-ja llogarit në dinamizmin dhe energjinë e madhe që investon lideri i saj Haradinaj, si dhe angazhimin e Mahmut Bakallit në listën e AAK-së, i cili kështu pas njëzet vjetësh kthehet në politikën aktive. AAK-ja synon të fitojë joshjen e pasigureshme të atyre që nuk janë përcaktuar ende, sidomos te shtresat urbane, për të arritur kështu t’i ribalancojë raportet e forcave, ku asnjëra nga partitë duke e përfshirë këtu edhe LDK-në, nuk do të kishte shumicën e natyrshme për qeverisje, por do të jetë i domosdoshëm krijimi i qeverive të koalicionit.
Por, sidoqoftë ende jemi në fazën e hershme të përgatitjes së zgjedhjeve, ku do të mund të ketë edhe befasi të reja. Për momentin me rëndësi është që të sigurohet mbarëvajtja e vet procesit.
XS
SM
MD
LG