Ndërlidhjet

"SULME TË SHOQËRUARA ME NDIHMA HUMANITARE"


"Wall Street Journal","Guardian", "SZ", "Le Monde"


Kjo është lufta e parë që mbajmë mend kur fuqia sulmuese shoqëron bombat e saja me kafshatë buke.
Me këte konstantim hap komentin e sajë gazeta “Wall Street Journal” duke diskutuar fillimin e sulmeve të djeshme ndaj caqeve në Afganistan nga forcat e Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë së Madhe të shoqëruara me hedhjen e njëkohëshme nga ajri të ndihmës humanitare për popullsinë e varfër afgane.
Është vepruar kështu për ta bërë tepër të qartë se Shtetet e Bashkuara nuk janë nisur në luftë kundër popullit të shumëvuajtur të Afganistanit, por për të marrë në shënjestër shumë me kujdes caqet e zgjedhura ushtarake dhe për të minimizuar gjithashtu viktimat në mesin e civilëve, konstaton “Wall Street Journal”.
Dhe kjo nga aspekti i moralit është pikërisht e kundërta me metodën terroriste, që synon të vrasë sa më shumë njerëz që është e mundur sikurse në Qendrën Botërore të Tregëtisë. Gazeta shkruan më tej se përpjekjet shoqëruese humanitare-shpërndarja e ushqimit dhe ilaçeve për popullësinë civile madje edhe kur është sulmuar regjimi sundues i vendit, dëshmon se këto sulme nuk janë drejtuar ndaj Islamizmit, por kundër përçudnimit të këtij besimi nga ana e Osama Bin Ladenit, konkludon “Wall Street Journal”.
Gazeta “Sueddeutsche Zeitung” duke komentuar këto zhvillime i hedh një vështrim pozitës në të cilën u gjend Pakistani dhe veprimeve balancuese të presidentit të tij, Pervez Musharaf.
Politika e Musharafit e mbështetjes së Shteteve të Bashkuara në koalicionin e tyre anti-terrorist mund të shpie te paqja në Kashmir dhe dhënja fund e përzierjeve në Afganistan dhe mund të evulojë gjithashtu drejtë një bashkëjetese paqësore me armikun e vjetër-Indinë. Por, vëren gazeta kjo është më lehtë të thuhet se të bëhet. Presidenti Musharaf i ardhur në pushtet me grushtshtet, tani duhet ta pacifikojë armatën e tij duke shfrytëzuar përvojën e vetë akoma të dobishme dhe të përmirësojë njëherit ekonominë e vendit për të kënaqur popullsinë e ndrydhur nga varfëria.
Sëkëndejmi ,shkruan “ZZ”, Pakistani duhet të vendosë. Ai ka rastin të zgjedhë zhvillimin sekular e demokratik që respekton identitetin Mysliman të popullit të tij, por që nuk keqëpërdorë Islamin si forcë politike. Përndryshe ardhmëria e ballafaqon një republik Islame me të gjitha konsekuencat vëren gazeta.
Zgjidhja e vetme e kësaj dileme është ulja e tensioneve në rajon dhe zhvillimi i ekonomisë si në Afgansitan ashtu edhe në Pakistan, përndryshe Osama Bin Ladena të rinjë mund të dalin dhe kjo do të paraqiste jo vetë kërcënim për veprimet balancuese të Musharafit, por edhe botës mbarë, konstaton “Seuddeutsche Zeitung”.
E përditëshmja “Guardian” merr në shqyrtim paraqitjen e djeshme të videokasetës të Osama Bin Ladenit me plot vrer ndaj Shteteve të Bashkuara dhe konstaton se kjo nuk është mendim i pasëm i tij. Kjo ishte një pjesë esenciale e strategjisë së Bin Ladenit, po aq e rëndësishme sa edhe vetë sulmet terroriste të 11 shtatorit. Vërejtjet e Osama Bin Ladenit, shkruan “Guardian”, ishin konsistente me qëllimet e tij afatgjate për nxitjen e një vlimi anembanë Botës Islame me qëllim të përndjekjes së Shteteve të Bashkuara nga Lindja e Afërt dhe fundosjes së regjimeve properëndimore arabe.
Apelet e Osama Bin Ladenit për ndjenjën kolektive të identitetit Islam janë qendrore në luftën e tij propagandistike dhe përfundimisht retorika e tijë është e kalibruar të nxisë një ndjenjë apokaliptike të momentit kur bota do të fundosej në kampe: “besimtarët dhe të pafetë ku secili person do të zgjidhte domosdoshmërisht kampin e tij”, pohon “Guardian”.
Nga koha e fillimit të sulmeve ushtarake të Shteteve të Bashkuara kundër disidentit të lindur në Arabinë Saudite, janë zgjidhur edhe çështjet që silleshin rreth provave të përzierjes së Osama Bin Ladenit në sulmet e 11 shtatorit, shkruan gazeta “Le Monde”. Në videoparaqitjen e tij Osama Bin Laden, ndonëse shprehimisht nuk merr përgjegjësinë, ka thënë se ishte kënaqur nga ngjarjet e 11 shtatorit, duke paralajmëruar operacione tjera kundër Shteteve të Bashkuara.
Me këto komente Osama Bin Laden i ka legjitimuar operacionet e njëmendëta të ndërmarra kundër tij shkruan “Le Monde” duke vijuar se megjithë zgjidhjen e çështjes së provave mbetet çështja e caqeve. I vetmi cak legjitim, thotë gazeta është regjimi taliban, struktuart politike dhe ushtarake të së cilit janë të lidhura me logjistikën dhe ideologjinë e Osama Bin Ladenit.
XS
SM
MD
LG