Ndërlidhjet

JAMES HOOPER: KJO ËSHTË NJË PERIUDHË TRANSITORE KAH PAVARËSIA E KOSOVËS


“Sypozohet se zyrtarisht ata nuk do të kenë ministër të jashtëm dhe të mbrojtjes, por, natyrisht, ata do të jenë thellë të involvuar në mënyrë praktike në marëdhëniet e jashtme” – thotë eksperti amerikan për çështje ballkanike, James Hooper, drejtor i Grupit për të drejtën ndërkombëtare publike dhe politikë, me seli në Uashington.

RADIO EVROPA E LIRË
Gjendeni në periudhën pas zgjedhjeve në Kosovë. Si do ta vlerësonit ju procesin e tërësishëm zgjedhor?

JAMES HOOPER
Mendoj dhe besoj se zgjedhjet në Kosovë ishin një sukses për demokraci, për rregull, për stabilitet… Mendoj se kosovarët mund të jenë krenar për këtë fushatë zgjedhore të lirë dhe korrekte. Ishte një hap madhor përpara dhe mendoj se ndihmon në ndërtimin e themelit për arritjen e vetëvendosjes në një të ardhme të afërt.

RADIO EVROPA E LIRË
Të gjitha partitë politike shqiptare, veçanërisht tri partitë kryesore, thonë se pavarësia e Kosovës është qëllimi i tyre parësor. Nga ana tjetër Bashkësia Ndërkombëtare, veçanërisht administrata e Kombeve të Bashkuara, thotë se çështja e pavarësisë nuk është në mandatin e tyre dhe nuk do të lejohet që ajo të shtrohet në Kuvendin e Kosovës. Si i parashihni zhvillimet e ardhshme në këtë aspekt?

JAMES HOOPER
Po. Unë kuptoj se çka thotë Komuniteti Ndërkombëtar dhe, natyrisht, në mesin e shqiptarëve të Kosovës nuk ka mospajtime: të gjithë ata, pothuajse, qind për qind synojnë pavarësi. Mendoj se parlamenti dhe qeveria e re do të ballafaqohet me dy çështje: e para – të dilet me një program për pavarësi…ti tregohet popullit të Kosovës se si ai do të arrijë pavarësinë dhe të fitohet legjitimiteti për këtë program gajtë qeverisjes së tyre.
E dyta – që drejtëpërdrejt ndërlidhet me këtë – Qeveria dhe Parlamenti duhet të angazhohen për të fituar autoritetin në aspektin e vetëqeverisjes. Mendoj se nëse ata kanë këtë program, duke treguar si si do ta bëjnë këtë dhe duke arritur autoritet për të qeverisur vetveten, ata do të tregojnë se janë përgjegjës, se janë të aftë, për të vepruar, për të qeverisuar dhe për të jetuar pranë njëri tjetrit në mënyrë demokratike.
Mendoj se kjo, vërtetë, do të ishte bazë për pavarësinë e tyre… e pastaj edhe për Bashkësinë Ndërkombëtare për të pranuar pavarësinë.
Kjo çështje do të vazhdoj për tri vite, sa do të jetë edhe mandati i këtij Parlamenti. Në fakt, kjo është një periudhë transitore kah pavarësia e Kosovës.
Gjatë kësaj periudhe Kosova duhet të tregoj se është e zotuar për demokraci, që bazohet në zgjedhje, për realizimin e të drejtave të minoriteteve…për eksportimin e stabilitetit në rajon; me praninimin e kufijve me Maqedoninë dhe të tjerët.

RADIO EVROPA E LIRË
Do të dëshiroja të bisedonim për autoritetin e Qeverisë dhe Parlamentit të ri të Kosovës. Duket sikur ky do të jetë një autoritet i kufizuar?

JAMES HOOPER
Mendoj se kufizimi do të jetë derisa të shihet se kryeadministratori Haekkerup dhe Komuniteti Ndërkombëtar a janë vërtetë të përgatitur t’ia kalojnë përgjegjësinë për udhëheqje Qeverisë së re të Kosovës.
Është e qartë se Kombet e Bashkuara nuk ishin të afta të qeverisin; ata kanë provuar…ata kanë bërë përpjekje me qëllime të mira; ata nuk janë të aftë ta qeverisin Kosovën. Përfundimisht, tash do të kemi një Qeveri të gjërë të Kosovës dhe prefektët lokalë, që janë të aftë për të udhëhequr punët e veta.
Mendoj se ata do të kenë përgjegjësi në mbledhjen e tatimeve; pra shumë përgjegjësi jashtë mbrojtjes dhe punëve të jashtme. Sypozohet se zyrtarisht ata nuk do të kenë ministër të jashtëm dhe të mbrojtjes, por, natyrisht, ata do të jenë thellë të involvuar në mënyrë praktike në marëdhëniet e jashtme.
Mendoj se, prej vendimeve kryesore që ata duhet të bëjnë, pra që do ta bëj lideri i Qeverisë, është se cilin përfaqësues ta dërgoj në Uashington, si i dërguar i Kosovës. Me gjasë, kjo mund të bëhet edhe në qytetet e tjera, siç është, Brukseli në Evropë.
Por, për pikëpamjen time, esenciale do të ishte të hapet një zyrë e vogël për Kosovën në Uashington.

RADIO EVROPA E LIRË
Pas ngjarjeve të 11 Shtatorit, disa analistë kanë thënë se prania e Shteteve të Bashkuara në Ballkan do të reduktohet. A mendoni se ky është një opcion real?

JAMES HOOPER
Sa mund të kuptoj unë, Pentagoni, pa dyshim, ka intencë ta zvogloj numrin e forcave amerikane në Bosnjë dhe ta zvogloj, në përgjithësi, numrin e forcave të SFOR-it…pra të forcave amerikane dhe joamerikane në Bosnjë.
Nuk jam i sigurt…por mendoj se ekziston dëshira që kjo të bëhet në Kosovë, megjithqë, mendohet poashtu se trupat e Shteteve të Bashkuara duhet të mbeten në Kosovë dhe se atje ekziston nevoja që një numër i konsiderueshëm i forcave të Natos të mbesin në Kosovë.
XS
SM
MD
LG