Ndërlidhjet

BAJRAM REXHEPI: OBJEKTIVI JONË ËSHTË KRIJIMI I SHTETIT LIGJOR


Rrahman Paçarizi, Prishtinë Rada Trajkoviq theksoi se qeveria e Kosovës nuk guxon të sillet si qeveri e një shteti sovran dhe se ky program çon drejt pavarësisë së padyshimtë të Kosovës.

Pas shumë sugjerimesh vërejtjesh e diskutimesh, me shumicë votash, parlamenti i Kosovës ka miratuar premten programin e qeverisë së Kosovës të paraqitur nga kryeministri Bajram Rexhepi. Kryeministri Rexhepi tha se qeveria është përpjekur të respektojë tetë pikat e marrëveshjes mbi të cilën u formua qeveria. Programi i saj mbështetet në disa dokumente bazë, si në Rezolutën 1244, kornizën kushtetuese, rekomandimet e zotit Steiner, të miratuara nga këshilli i Sigurimit në Nju Jork dhe në ligjet aktuale.

Kryeministri Rexhepi tha se prioritetet kryesore janë konsolidimi i institucioneve, administrata efikase dhe transparente, krijimi i një klime stabile për të gjithë, bashkëpunimi me faktorin ndërkombëtar dhe integrimi i pakicave etnike dhe çështje të tjera.

“Me një fjalë…objektivi jonë është krijimi i shtetit ligjor të bazuar në normat e demokracisë perëndimore dhe të ligjeve të ekonomisë së tregut të lirë”- tha kryeministri Rexhepi, duke theksuar se çelsi për realizimin e këtyre objektivave është zhvillimi ekonomik andaj përpjekjet e qeverisë do të orientohen në këtë drejtim.

Lidhur me programin e qeverisë folën edhe shefat e grupeve parlamentare të subjekteve pjesëmarrëse në parlament. Dr. Sabri Hamiti, shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës tha se programi i qeverisë është shumë i përgjithësuar:

“Ndoshta rrethanat e të politikës së brendshme dhe të jashtme të Kosovës dhe të mënyrës së qeverisjes dyshe kanë bërë që teksti i programit të duket më shumë si një kontratë politike, sesa një program që ka vlerat e operacionalizimeve” - tha zoti Hamiti, duke kërkuar edhe kalendar të zgjidhjes së çështjeve të shtruara.

Ndërkaq Fatmir Limaj, kryetar i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, duke përkrahur programin e qeverisë tha se ligjet duhet t’u përshtaten qytetarëve të Kosovës:

“Ne nuk mund të kërkojmë nga qytetarët e Kosovës të krijojnë atë qeveri demokratike, të cilën e dëshirojnë, deri sa mbi ta të veprojnë ligje të aplikueshme, ligje të bazuara në vitin 1989, në kushtetutën e ish-regjimit të Beogradit”.

Ndërkaq, kryetarja e grupit parlamentar të Koalicionit të serbëve “ kthimi”, Rada Trajkoviq, tha se dokumenti është në kundërshtim me rezolutën 1244, sepse nuk afirmon integritetin territorial të Jugosllavisë.
“Pasi në dokumentin e paraqitur nga kryeministri nuk ekziston fare ai që është qëllimi i koalicionit “kthimi” do të thotë, mbrojtja e interesave shtetërore të Jugosllavisë dhe Serbisë në Kosovë, ne do të votojmë kundër këtij dokumenti”, tha zonja Trajkoviq, duke theksuar se qeveria e Kosovës nuk guxon të sillet si qeveri e një shteti sovran dhe se ky program çon drejt pavarësisë së padyshimtë të Kosovës.

Më pas deputetët kanë bërë vërejtjet dhe sugjerimet e tyre që konsistojnë para së gjithash në programet sociale dhe ato zhvillimore. Në fund të diskutimeve kryeministri u është përgjigjur pyetjeve të disa deputetëve duke thënë se ky është një program i përgjithshëm dhe se pikat e detajuara do të përpunohen në Ministritë dhe sektorët përkatës. Ai u tha përfaqësuesve të koalicionit “kthimi”, se programi është i mbështetur pikërisht në rezolutën 1244, dhe nuk del jashtë saj.

Sidoqoftë programi i qeverisë është votuar nga shumica dërmuese e deputetëve dhe konsiderohet i miratuar.
XS
SM
MD
LG