Ndërlidhjet

STRATEGJIA E DALJES PËR BALLKANIN


DAVID L. PHILLIPS, Wall Street Journal

Perëndimi është përfshirë në Ballkan për një periudhë të gjatë. Tanimë është e qartë se, pa një strategji daljeje, nuk do të mund t’i jepet fund angazhimit të komunitetit ndërkombëtar në Ballkan – pohon në numrin e sotëm Wall Street Journal.
Në shkrimin autorial, David Phillips – zëvendës drejtor i Qendrës për Veprime Parandaluese në Këshillin për Marrëdhënie me Jashtë (Uashington) thotë se së pari është e nevojshme të stabilizohet rajoni dhe të zgjidhen çështjet potencialisht shpërthyese, duke filluar me atë të statusit politik të Kosovës.

Evropa duhet të marrë rolin drejtues në përpilimin e një strategjie dalëse nga Ballkani, jo duke e parë rajonin si protektorat, por si partner – vijon më tej artikulli. Sa i takon Kosovës, autori thotë se përpjekjet vdekjeprurëse për spastrim etnik të Sllobodan Millosheviçit, ia kanë hequr Serbisë të drejtën morale për të pretenduar mbi Kosovën. Politikanët pro reformistë të Beogradit e dinë shumë mirë këtë dhe privatisht pranojnë ta kenë humbur Kosovën. Përgjigja ndaj pyetjeve: si, kur dhe me çfarë kostoje Kosova do të bëhet e pavarur – mbetet rebusi për ta dhe sfida për bashkësinë ndërkombëtare – konstaton Wall Street Journal.

Për ta bërë çështjen e pavarësisë eventuale të Kosovës më të pëlqyeshme për politikanët serbë, mediatorët evropianë duhet të tregojnë qartazi qëllimet e tyre për të organizuar një proces që do të kulminonte me vendimin përfundimtar për pavarësimin e Kosovës, proces ky që duhet të jetë i shëndetshëm për rajonin dhe do të eliminonte njëkohësisht rrezikun që Kosova të bëhej një qendër për luftëtarë apo strehë për guerrilas. Megjithëse kosovarët duan pavarësi të menjëhershme, do të ishte gabim që të përshpejtohej kjo. Plagët e luftës janë ende të thella. Do të ishte mirë t’u lihej një periudhë qetësie shqiptarëve dhe serbëve me qëllim të mund të zhvillojnë një modus vivendi, që nga ana e tij do t’i hapte udhën pranimit të fateve të tyre të veçuara.

Me zgjidhjen e çështjes së Kosovës, do të reduktohej ndikimi i forcave irredentiste në Serbi, të cilat ende rreken të ndërhyjnë në shtetet fqinje.
Periudha do të ofronte gjithaq një mundësi për konsolidimin e marrëveshjes kornizë të Ohrit.
Si protagonist i konflikteve të viteve ’90, pesha për ndërtimin e paqes bie së pari dhe kryesisht mbi regjimin e Beogradit. Ai duhet të çojë deri në fund procedurat e arrestimit dhe ekstradimit me Gjykatën Ndërkombëtare për Krimet e Luftës në Hagë. Ai duhet të respektojë të gjitha detyrimet që rrjedhin nga marrëveshja e paqes e Dejtonit. Ai duhet të ndalë mbështetjen për grupet paramilitare sllave në Maqedoni dhe Mitrovicë – shkruan Wall Street Journal.

Nëse kosovarët duan pavarësi, ata duhet të tregojnë se janë të gatshëm të vetqeverisin. Drejtuesit kosovarë duhet të punojnë me misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë për të zhvilluar bazat institucionale dhe ligjore për një ekonomi të tregut dhe integrim ekonomik rajonal. Ata duhet të ndërmarrin masa energjike kundër krimit të organizuar. Vetëm pas adaptimit të këtyre masave, Bashkimi Evropian mund të procedoj me negociatat për statusin politik të Kosovës. Siç parashihet me rezolutën 1244, bisedimet duhet të fokusohen në një referendum popullor të mbikqyrur nga Kombet e Bashkuara. Ky plebishit i duhet imponuar tani Beogradit. Për të ndikuar mbi vendimmarrjen serbe, Perëndimi duhet të organizojë një fond kompensimi për Jugosllavinë.
Për t’a vulosur këtë marrëveshje, Rusia dhe Shtetet e Bashkuara mund të sponsorizojnë së bashku një rezolutë tjetër që të zëvendësojnë rezolutën 1244. Rezoluta e re do të afirmonte integritetin territorial të vendeve të tjera të rajonit dhe do të ftonte Kosovën t’i bashkohej Kombeve të Bashkuara si shteti më i ri anëtar i tyre – përfundon shkrimi në Wall Street Journal.
XS
SM
MD
LG