Ndërlidhjet

PATRICK MOORE: PAS 6 TETORIT DYSHOJ SE MISIONI NË MAQEDONI DO TË VAZHDOJ NËN EMRIN E NATOS


“Siç e dini, me muaj flitet se Bashkimi Evropian synon ta marrë përsipër këtë mandat dhe sapo dëgjova para disa javësh nga disa mbështetës të Bashkimit Evropian në Bruksel se ata po përgatiten ta marrin përsipër këtë mision. Por nuk e kam të qartë nëse Bashkimi Evropian do të jetë me të vërtetë në gjendje ta marrë përsipër këtë detyrë nga NATO-ja” – thotë Patrick Moore, analist i Radios “Evropa e Lirë”.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Moore, me intensifikimin e fushatës elektorale në Maqedoni, janë intensifikuar edhe incidentet e rënda që përfshijnë shqiptarët dhe maqedonët. Cili është komenti juaj për këtë?

PATRICK MOORE
Nëse dikush është habitur që ka patur incidente të dhunshme, do të doja të dija se çfarë po prisnin, që do të kishte një fushatë elektorale si në Finlandë? Jo, sigurisht që jo. Ne sapo kemi patur një konflikt të përmasave më të mëdha vitin e kaluar. Egziston një traditë e dhunës politike... kultura politike nuk është shumë stabile. Diplomatët perëndimorë bënin shpesh herë shaka vitin e kaluar në raportet e tyre për nivelin primitiv të elitës politike të Maqedonisë. Nuk mendoj se dikush mund të priste një fushatë elektorale njëlloj si ato që zhvillohen në Skandinavi. Çështja qëndron se cili është niveli i dhunës në krahasim me fushatat e mëparshme elektorale dhe çfarë lloji dhune është kjo. Vetëm për faktin se dikush qëllohet gjatë kësaj kohe, do të thotë se duhet të supozojmë se kjo ka patur motive politike? Mund të ketë motive personale, motive tregtare, vrasje me motiv hakmarrjen si dhe gjëra të tjera. Prandaj këto zhvillime për të cilat folëm më parë ndodhin pothuajse çdo ditë. Policia maqedonase shkon tek agjencitë e infomacionit me raporte lidhur me vrasje apo vënie bombash apo gjëra të tjera si këto. Do të ishte fatkeqësi nëse do ishte një dhunë e motivuar politikisht, është fatkeqësi nëse është një lloj dhune tjetër por këto lloje të tjera të dhunës të motivuara ekonomikisht apo dhuna e krimit, hakmarrjet etj, kanë qenë të pranishme dhe do vazhdojnë të jenë. Fakti që po ndodhin nuk paraqet diç të re. Ajo që është interesante… është fakti që policia po i raporton për publikun duke i vënë një theks shumë të madh këtyre ngjarjeve, me qëllim nxitjen e ndjenjave të frikës dhe të panikut në rradhët e popullsisë. Disa vëzhgues kanë sugjeruar në mediat maqedonase se duket që ministri Boshkovski dhe miqtë e tij në VMRO-DPMNE duan një shtyrje të zgjedhjeve, sepse nuk kanë rezultate të mira nga hulumtimet paraprake lidhur me votimet e ardhshme. Mendoj se kjo mund të ketë lidhje me këto raportime të shpeshta të dhunës.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Moore, disa analistë thonë që fushata elektorale nuk është e pastër?

PATRICK MOORE
Sigurisht që nuk është e pastër, siç thashë edhe më parë… nëse dikush pret fushatë elektorale si në Finlandë mendoj se nukështë realist. Përsëri qëndron e hapur pyetja se çfarë po bën Boshkovski. Ai u përpoq të manipulonte zgjedhjet duke përfshirë në listat e zgjedhjeve 3500 maqedonas etnikë që jetojnë në Shqipëri, në një kohë që ligji elektoral maqedonas e përcakton mjaft qartë që nëse dikush do të votojë duhet të ketë një leje të përhershme qëndrimi në Maqedoni. Atë që thuhet në ligj mendoj se ai e ka ditur mjaft mirë. Një çështje tjetër është kërcënimi për arrestimin e ministrit Mehmeti dhe zotit Ahmeti që është një nga figurat udhëheqëse të opozitës. Nuk kam dëgjuar për asnjë vend në të cilin një anëtar i qeverisë në mes të fushatës elektorale don ta arrestoj një anëtar tjetër të po të njëjtës qeveri dhe bën thirrje për arrestimin e një politikani të opozitës. Këtu diçka nuk është në rregull…dhe me siguri të plotë mund të them që këto veprime nuk janë të pastra. Në gjithë këtë kritikë nuk dua të veçoj zotin Boshkovski. Nuk është vetëm faji i tij, por ka shumë të tjerë, duart e të cilëve nuk janë të pastra. Por vetëm po them që diskutimi i çështjes së arrestimit të Mehmetit dhe Ahmetit, duke marë parasysh se kush janë këta individë, mendoj se është me të vërtetë një gjë unike sepse nuk kam parë asgjë të këtij lloji në asnjë vend tjetër.

RADIO EVROPA E LIRË
Duket se natyra e angazhimit të ardhshëm të Perëndimit do të skicohet në bazë të rezultatit të zgjedhjeve. A jeni dakort me këtë mendim?

PATRICK MOORE
Kam para meje një artikull nga gazeta Wall Street Journal Europe, në të cilin autori shkruan se dihet që amerikanët, por do të shtoja dhe britanikët, janë aq të preokupuar me prioritetet e ngutshme në pjesë të tjera të botës saqë do të përpiqen ta reduktojnë angazhimin e tyre në Ballkan. Ata e kuptojnë se duhet të qëndrojnë në Kosovë dhe në Bosnjë. Por Maqedonia është kandidati më i volitshëm ku mund ti reduktojnë trupat e tyre. Mandati NATO mbaron në 6 tetor. Mund të ndodhë që pas kësaj… NATO të konsideroj që ka fituar dhe të deklaroj që misioni më nuk është i nevojshëm…që vendi tashmë është relativisht i qetë etj…Kjo mund të jetë një mundësi për tërheqjen e trupave dhe për vendosjen e tyre ndoshta diku afër Irakut. Po them, kjo është një mundësi edhe pse amerikanët nuk kanë trupa tokësore, por vetëm personel teknik në Maqedoni. Kështu përfitimet për Amerikën janë shumë të mëdha. Siç e dini, kemi muaj që flasim se Bashkimi Evropian synon ta marrë përsipër këtë mandat dhe sapo dëgjova para disa javësh nga disa mbështetës të Bashkimit Evropian në Bruksel se ata po përgatiten të marrin përsipër këtë mision. Por nuk e kam të qartë nëse Bashkimi Evropian do të jetë me të vërtetë në gjendje të marë përsipër nga NATO këto detyra. Nuk ka asgjë plotësisht të sigurt por them se do të çuditesha shumë nëse pas 6 tetorit misioni do të vazhdonte nën emrin e Natos.
XS
SM
MD
LG