Ndërlidhjet

NËNAT: DUAM TË DIMË PËR FATIN E BIJVE TANË


Nadie Ahmeti, Prishtinë “Ndoshta pa djalë kam për të jetuar derisa të jem gjallë…por dua të di për fatin e tij” – thotë zonja në moshë të shtyer nga Vushtrria, Maçastena.

“Për shkak të mos angazhimit të mjaftueshëm të institucioneve vendëse dhe ndërkombëtare për të zbardhur fatin e 3500 të rrëmbyerve shqiptarë nga forcat e armatosura serbe 3 vjet më parë, sot në Prishtinë filloi greva 24 orëshe e organizuar nga nënat kosovare” - tha Nysrete Kumnova, njëra nga organizatoret e grevës, që po mbahet para dyerve të kuvendit të Kosovës dhe filloi në momentin kur filloi punimet seanca e kuvendit.

Zonja Kumnova tha se Parlamenti i Kosovës nuk po merret aspak me çështjen e të zhdukurve dhe, sipas saj, kjo është një çështje primare.

- U bëjmë apel vendorëve dhe ndërkombëtarëve që të na i kthejnë bijtë tanë, pa kusht. Jo me fjalë në letër por me vepra. Ne nuk do të kthehemi derisa ta dimë fatin e bijve tanë - tha zonja Kumnova.

Edhe Ferdeze Mullahasani, e cila nuk di asgjë për vëllain e saj, akuzon parlamentarët e Kosovës.
- Dihet pse kemi dalë…kemi 40 muaj që kërkojmë bijtë tanë, vëllezërit, baballarët e fëmijëve të vegjël, burrat e nuseve të reja… Edhe bota e di pse kemi dalë këtu, por po më duket se qeveritarët tanë nuk e dinë pse ne rrimë këtu - tha zonja Mullahasani.

Ylfije Maçastena nga Vushtrria, së cilës i rridhnin lotët pandërprerë, njeh rrëmbyesin e djalit të saj të vetëm, Isakut. Edhe pse në moshë të shtyer ajo thotë se do të qëndrojë në këtë grevë:

- Ndoshta pa djalë kam për të jetuar derisa të jem gjallë…por dua të di për fatin e tij - thotë ajo.

Safete Sharani nga Prizreni, motër e gjashtë vëllezërve të zhdukur, ende nuk di asgjë për fatin e tyre.

- Është hera e parë që marrë pjesë në këtë grevë urie. Zemrat i kemi të lodhura, të rraskapitura…duam të paktën të dimë ku janë, të paktën një të vërtetë për ta - tha zonja Sharani.

Ndërsa, Sanije Gjocaj i ka dy djem të rrëmbyer, por ndryshe nga të tjerat, shpreson se djemtë e saj janë gjallë dhe diku nëpër burgjet serbe.

- Shpresojmë që i kami gjallë, kemi shumë të dhëna që janë akoma gjallë, të fshehur në Serbi - thotë zonja Gjocaj.
XS
SM
MD
LG