Ndërlidhjet

Ruecker takon me kushte Samarxhiqin


Joachim Ruecker
Joachim Ruecker

Shefi i UNMIK-ut, Joachim Ruecker, i ka vënë kushte vizitës së ministrit serb për Kosovën, Sllobodan Samarxhiq, në rajonet me shumicë serbe. Ai ka kërkuar nga ai që të deklarohet publikisht se heq dorë nga dhuna.


Shefi i UNMIK-ut, Joachim Ruecker, ka lejuar vizitën në Kosovë të ministrit serb, Sllobodan Samarxhiq, pasi që një gjë të tillë i ishte mohuar mbrëmë. Ai ka thënë sot se Samarxhiq ka ardhur nën dy kushte.

“Njëra ka të bëjë me një deklarim publik, ku e bën shumë të qartë se ai distancohet nga dhuna dhe se vizita është që të sigurojë paqe dhe qetësi në mesin e serbëve të Kosovës që do t’i vizitojë. Kushti i dytë është që të më takojë këtu në Prishtinë dhe t’i them se çka mendoj për disa nga deklaratat e fundit që ai i ka bërë”, ka thënë Ruecker. Ai ka shtuar se këto kushte janë plotësuar, por mbetet të qartësohet pozicioni i qartë i Qeverisë serbe lidhur me sfidimin që po ia bën administratës së UNMIK-ut, por edhe vetë institucioneve të tjera të Kosovës.

“Më duhet të them se nuk kam qenë i kënaqur me përgjigjet e zotit Samarxhiq; disa nga to nuk kanë qenë për mua të qarta dhe takimi nuk ka përfunduar me ndonjë marrëveshje. Nga deklarata e Samarxhiqit nuk ka qenë e qartë për mua nëse Qeveria serbe po sfidon mandatin e UNMIK-ut nën Rezolutën 1244; kur bëhet fjalë për funksionet ekzekutive dhe neve na duhen qartësime të tjera”, tha Ruecker.

Ministri serb, Sllobodan Samarxhiq, javën e kaluar, ka arsyetuar dhunën e përdorur nga serbët në veri të Kosovës, të cilët shkatërruan dy pika doganore si dhe dogjën disa automjete.

Ai pati thënë se këto veprime janë legjitime. Sot, ministri i Qeverisë serbe për Kosovën ka vizituar serbët në fshatrat Badovc i Ri, Prilluzhë, Uglare, Gushtericë si dhe Mitrovicën.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, ka thënë se këto janë orvatjet e fundit të Serbisë, që të ndikojë negativisht në zhvillimet në Kosovë.

"Fatkeqësisht, qeveria e Serbisë vazhdon me provokime ndaj të ardhmes së Kosovës", tha Kuçi.
Ai shtoi se në vend të ndërtimit të urave për bashkëpunim, qeveria serbe "vazhdon me provokime ndaj nesh, ndaj popullit tonë dhe ngre tensionet në Kosovë".

“Sidoqoftë, kjo vizitë i ka dilemat e vetme, por mendoj se kjo është në koordinim me UNMIK-un dhe mendoj se UNMIK-u ka marrë përgjegjësitë e veta në çdo kuptim”, tha Kuçi.

Shefi i UNMIK-ut i pyetur nëse protestat e serbeve dhe vizita e ministrave serbë në Kosovë janë në kuadër të ndonjë përpjekje serbe për të krijuar probleme të reja ne veri, ka siguruar se për aq kohë sa 1244-shi të jetë në fuqi, i tërë territori i Kosovës do të kontrollohet dhe ruhet nga UNMIK-u e KFOR-i.

”Ne duhet ta monitorojmë situatën për së afërmi, por më lejoni t’ju siguroj se në bazë të vazhdimit të validitetit të Rezolutës 1244, UNMIK-u dhe KFOR-i janë përgjegjës për tërë territorin e Kosovës dhe ia bëra shumë të qartë këtë ministrit”, ka thënë Ruecker.

XS
SM
MD
LG