Ndërlidhjet

Beogradi sfidon UNMIK-un dhe institucionet në veri


Mitrovicë
Mitrovicë

Qeveria e Beogradit po sfidon autoritetin e UNMIK-ut në veri të Kosovës. Shërbimi Doganor dhe sistemi i drejtësisë tash sa ditë nuk po funksionojnë.


Sfidimi i mandatit ekzekutiv të UNMIK-ut nga serbët në pjesën veriore te Kosovës po vazhdon ende, përderisa institucionet e Kosovës, edhe ashtu deri tani nuk kanë mundur të shtrijnë kontrollin në veri.

Një javë pasi që në shenjë pakënaqësie ndaj shpalljes së pavarësisë, serbët kishin djegur pikat doganore në Jarinë dhe Zubin Potok, zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci, thotë se ky shërbim nuk është vendosur ende atje.

“Për momentin, siç e dini edhe ju, doganat në pjesën veriore pas djegies së objekteve nuk funksionojnë. Kjo që nuk funksionojnë, nuk nënkupton se ato dy pika nuk po punojnë, sepse aty ka qarkullim të njerëzve, por ka qarkullim të mallrave”, tha Stavileci.

Për më shumë se një javë, në veri nuk është duke funksionuar as sistemi i drejtësisë.

Gjyqi i qarkut dhe ai komunal janë bllokuar nga protestat e përditshme të ish-punëtorëve të gjykatave serbe, të cilët ishin larguar nga puna në vitin 1999.

Punonjësit shqiptarë ende nuk po lejohen që të kthehen në këto gjykata. UNMIK-u është në kërkim të një zgjidhjeje.

“Deri tash nuk ka ndonjë marrëveshje. UNMIK-u po e mban dialogun të hapur me të dyja palët, por secili duhet ta kuptojë se kjo është një çështje politike, prandaj kërkon zgjidhje politike, që duhet të vijë nga dikush tjetër. Ne nuk mund ta zgjidhim këtë problem, por po e mbajmë dialogun të hapur”, thotë zëdhënësi i UNMIK-ut për rajonin e Mitrovicës, Georgy Kakuk.

Serbët e punësuar në organet e drejtësisë në Leposaviq dhe Zubin Potok aktualisht kanë braktisur gjykatat e UNMIK-ut dhe po punojnë për atë të Ministrisë së Drejtësisë së Qeverisë serbe.

Ndërkohë, ministrat e Qeverisë së Beogradit janë duke vazhduar përpjekjet për t’i forcuar më shumë strukturat paralele në veri të Kosovës, si dhe në fusha të caktuara edhe t’i shtojnë ato.

Ministri serb i Financave, Mirko Cvetkoviq, ka thënë sot në Mitrovicë se synim i Qeverisë serbe është që sistemi i financave dhe i tatimit në Kosovë të integrohen në institucionet shtetërore serbe. Ai ka thënë se do të vazhdojë ndihma financiare dhe morale për serbët.

”Ne e kemi parë se qytetarët kanë nevojë që t’i vizitojnë dhe të merret dikush me hallet e tyre; në këtë kontekst po bëhen edhe këto vizita tona”, është shprehur Cvetkoviq.

Ndërkohë, qendra paralele tatimore e Prishtinës, e cila qe transferuar në Beograd, sipas zyrtarëve serbë, shpejt do të vendoset në pjesën veriore të Mitrovicës.

Në anën tjetër, kreu i Këshillit Nacional për veriun e Kosovës, Milan Ivanoviq, i ka kërkuar sot Qeverisë në Beograd, që, siç ka thënë, në përputhje me Rezolutën 1244, ta kthejë një pjesë të policisë dhe ushtarëve serbë në Kosovë.

“Po ashtu, ftojmë kontingjentin rus të KFOR-it që të kthehet në Kosovë, para së gjithash në ato mjedise dhe në mesin e atyre njerëzve që kanë besim në misionin rus”, ka thënë Ivanoviq.

Ndryshe, ditë më parë, misioni i Bashkimit Evropian ka braktisur pjesën veriore të Mitrovicës, për t’u kthyer, siç ka thënë shefi i këtij misioni, Peter Faith, atëherë kur të krijohen kushtet e favorshme.

Ndërkaq, kryeadministratori Joachim Ruecker tash disa herë ka përsëritur se mandati ekzekutiv i UNMIK-ut është duke u sfiduar në veri nga serbët lokalë, të ndihmuar nga Qeveria serbe.

Ai ka thënë se UNMIK-u është i përcaktuar që të zbatojë mandatin e tij ekzekutiv, qoftë atë policor, qoftë doganor, apo gjyqësor, edhe në veri.

Në anën tjetër, Qeveria e Kosovës është e bindur se serbët, si ata në Kosovë, ashtu edhe në Serbi, do ta kuptojnë faktin se Kosova tashmë është shtet i pavarur dhe shpejt do t’i kthehen realitetit.

XS
SM
MD
LG