Ndërlidhjet

Fried: “SHBA-të nuk mbështesin asnjëherë ndarjen e Kosovës”


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
NACIONAL
Ndihmës-sekretari shtetëror amerikan, Daniel Fried, në një intervistë për radion Kanal 77, ka deklaruar se SHBA-të nuk do të mbështesin asnjëherë ndarjen e Kosovës, sepse, sipas tij, ajo është një territor dhe një vend. “Autoritetet në Kosovë sillen në mënyrë shumë të përmbajtur dhe të pjekur dhe me sinqeritet të lartë demonstrojnë se vendimi për njohjen e pavarësisë ka qenë i drejtë. Ata po punojnë dhe flasin si liderë të një vendi evropian. Për atë, ata nuk mund të akuzohen. Tërë dhuna pas shpalljes së pavarësisë është shkaktuar nga ekstremistët e njërës palë. Mendoj se pjesa më e madhe e serbëve në Kosovë dëshirojnë të jetojnë në paqe...”

KOSOVA SOT
Ndërsa vendet perëndimore vazhdojnë njohjen e pavarësisë së Kosovës, zyrtarë të lartë rusë thonë se Rusia kundërshton pavarësinë, duke nënvizuar se ajo është e gatshme të mbrojë sovranitetin e Serbisë, nëse adresohet një kërkesë e tillë nga Qeveria serbe. Kryeshefi i shtabit të përgjithshëm të armatës ruse, gjenerali Jurij Bulujevski, ka ashpërsuar tonet në deklaratën e tij për agjencinë ruse RIA, cituar nga agjencia serbe Pres, se vendi i tij është i gatshëm t’i ofrojë ndihmë Serbisë në mbrojtje të Kosovës, nëse Beogradi zyrtar këtë e kërkon...

BOTA SOT
Përfaqësuesi amerikan në bisedimet për statusin e Kosovë, ambasadori Frank Wisner, ka deklaruar se as Amerika dhe as Bashkimi Evropian nuk do ta anulojnë vendimin për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Ai ka heshtur poshtë kritikat se njohja e shpejtë e pavarësisë së Kosovës flet për unilaterizimin e politikës së jashtme amerikane. Gjatë një paneli në Institutin Amerikan të Paqes, Wisner tha se nuk beson që çështja e Kosovës duhej zgjidhur duke vënë si prioritete implikime të zgjidhjeve të marrëdhënieve ruso-amerikane...

EXPRESS
Edhe pse UNMIK-u po perëndon, shefi i Shtyllës së Katërt, Paul Acda, po provon që t’ia ruajë namin këtij misioni. Ai para hundëve të Qeverisë ka kërcënuar RTK-në që ta ndalojë që t’i mbledhë 3.5 euro përmes faturave të KEK-ut. Si duket, Acda nuk e ka përjetuar datën e 17 shkurtit....

KOHA DITORE
Dhjetë ditë pas shpalljes së pavarësisë, Republika e Kosovës pritet që shumë shpejt t’u dërgojë aplikacionet për anëtarësim organizatave më të rëndësishme ndërkombëtare. Lajmin e ka bërë të ditur kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, në mbledhjen e rregullt që ka mbajtur të mërkurën me kabinetin e tij qeveritar. “Si institucione të Kosovës duhet të fillojmë menjëherë procesin e aplikimit për anëtarësim në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore. Shumë shpejt fillojnë procedurat edhe për OKB, BE, me angazhimet paraprake për NATO dhe OSBE”, ka thënë kryeministri Thaçi...

ZËRI
Po të bëhej Haga, Tribunali i Hagës, një lloj Nurembergu i kohës sonë, për krimet e bëra kundër njerëzimit, nga një regjim që ishte vendosur në qendër të Beogradit, i cili kishte autorësinë e tmerreve dhe tragjedive më të mëdha në Evropë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, me siguri që këtë të mërkurë kryeministri i Serbisë, Vojisllav Koshtunica, nuk do të fliste marrëzira të tilla ku do ta krahasonte pavarësinë e Kosovës me Marrëveshjen e Munihut, të vitit 1938, kur disa shtete perëndimore i bënë koncesionin fatal Hitlerit dhe nazistëve. Por, ja që Haga, për shkaqe të njohura, nuk arriti të bëhet Nuremberg, ndërsa Beogradi i viteve të nëntëdhjeta, apo ata që e udhëhoqën atë, nuk morën kurrë gjykimin e merituar...

EPOKA E RE
Lëvizja Vetëvendosje është takuar me studentët e Fakultetit Filologjik të Universitetit të Prishtinës. Albin Kurti e Glauk Konjufca kanë zbërthyer para të pranishmëve atë që aktualisht po i ndodh Kosovës: procesin e kontrabandimit të pakos së Ahtisaarit në emër të shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Lëvizja Vetëvendosje përgjatë gjithë kohës ka paraqitur katër elementet e pazëvendësueshme të pavarësisë e sovranitetit: ushtria, ulësja në OKB, integriteti dhe tërësia (de facto) e vendit, si dhe populli i Kosovës si sovran përfundimtar i atdheut. Pakoja e Ahtisaarit na i mohon të tria këto elemente themelore të shtetësisë, ka thënë Glauku...

INFOPRESS
Tash dy javë, sidomos pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt, janë shtuar reduktimet e rrymës nga KEK-u ndërkohë që konsumatorët janë tejet të indinjuar...Aq më tepër kur prapa këtyre reduktimeve qëndron pikërisht Shërbimi i Dispeçerëve... Plani ABC i reduktimeve tashmë nuk ekziston. Rryma ndalet pa kritere, madje edhe lagje të tëra në kryeqytet, që më parë kinse ishin shfrytëzues të kategorisë A, mbesin në terr edhe nga 10 orë. Arsyetimet e Shërbimit të Dispeçerëve të KEK-ut janë krejtësisht banale. Kohë më parë theksuan se ky ndryshim është bërë me urdhrin e drejtorëve të KEK-ut...

LAJM
Humbja e zgjedhjeve, ndarja e Kryesisë në dy grupe si dhe rrethanat e reja kushtetuese dhe politike mund ta detyrojnë lidershipin aktual të LDK-së ta iniciojnë një kuvend të jashtëzakonshëm zgjedhor. Për këtë opsion janë ish-ministrat e Qeverisë së kaluar si dhe shumica e udhëheqësve të degëve të LDK-së nëpër Kosovë, ndërsa kundër janë bartësit aktualë të posteve në Qeverinë e udhëhequr nga Hashim Thaçi. Eqrem Kryesia e lë të hapur mundësinë për një hap të tillë...


XS
SM
MD
LG