Ndërlidhjet

SHBA-të ftojnë Serbinë ta pranojë realitetin në Kosovë


Këshilli i Sigurimit i OKB-së
Këshilli i Sigurimit i OKB-së

Në mbledhjen e mbrëmshme të KS për Kosovën, Rusia ka paraqitur një propozim-tekst, me të cilin do të dënohej pavarësia e Kosovës dhe do të riafirmohej sovraniteti i Serbisë ndaj Kosovës. Britania dhe SHBA-të thanë se nuk ka kurrfarë gjasash që ajo që ka ndodhur në Kosovë, të zhbëhet.


Ambasadori britanik, John Sawers, ka hedhur poshtë propozim-tekstin e Rusisë, me të cilin do të dënohej pavarësia e Kosovës dhe do të kërkohej respektimi i integritetit territorial të Serbisë. Lidhur me këtë propozim-dokument, ambasadori Sawrs tha:

"Është bazuar në premisë që tash është tejkaluar – shumë vende të Këshillit të Sigurimit e kanë njohur Kosovën si vend të pavarur dhe ajo që ne duam, është që nga kjo pavarësi ta bëjmë të suksesshme. Ky propozim-tekst do të mund të miratohej vetëm nëse, para së gjithash, ndryshon në mënyrë radikale dhe, së dyti, nëse disa anëtarë të caktuar të këtij këshilli e ndryshojnë në mënyrë radikale pozicionin e tyre. Ne nuk do t’i ndryshojmë në mënyrë radikale pozicionet tona", tha ambasadori britanik, Sawers.

I pyetur për kërkesën e Serbisë për mbajtjen e misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, zoti Sawers tha se realitetet e reja diktojnë se misioni në mënyrë graduale duhet të zëvendësohet me personelin nga Bashkimi Evropian.

"Siç po rritet roli i Bashkimit Evropian, ashtu siç pavarësia e Kosovës dhe sovraniteti po njihen më gjerësisht, UNMIK-u duhet t’i përshtatet kësaj. Për këtë çështje ka vendim – nëse jo për Këshillin e Sigurimit, nëse ai vazhdon të jetë i bllokuar, atëherë për Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara. Ky vendim nuk vjen menjëherë", tha ambasadori britanik në Kombet e Bashkuara, John Sawers.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në OKB, Zalmay Khalilzad, po ashtu e ka hedhur poshtë propozim-tekstin e Rusisë.

"Çfarëdo rezolutë-kumtese që paraqitet prej tash në Këshill, për ta pasur mbështetjen tonë, duhet të bazohet në njohjen e qartë se atje është një ndryshim realiteti, atje është Kosova, shtet i pavarur dhe atje është, kuptohet, Serbia", tha ambasadori Khalilzad.

Ai më tutje siguroi Beogradin se Serbia po respektohet dhe po merret seriozisht, por njëherësh, Serbia duhet ta njohë dhe ta pranojë realitetin e ri.

"Ne dëshirojmë që populli i Serbisë ta dijë se bota, komuniteti ndërkombëtar dhe Këshilli i Sigurimit i respektojnë ata, i marrin seriozisht dhe për këtë arsye ne po i kushtojmë kaq shumë kohë. Por, ata në Serbi që besojnë se ajo që ka ndodhur në Kosovë mund të zhbëhet, ata janë të mashtruar", tha zoti Khalilzad.

Ambasadori rus në Kombet e Bashkuara, Vitaly Churkin, e hodhi poshtë vlerësimin se në Kosovë është krijuar një "realitet i ri".

"Ne nuk e pranojmë faktin se është krijuar realitet i ri. Ne besojmë se ajo që ka ndodhur, është një lloj i tipit Matriks të realitetit virtual, që nuk mund të njihet si realitet juridik ndërkombëtar, derisa atje nuk arrihet marrëveshje ndërmjet palëve dhe derisa nuk arrihet vendim i ri i Këshillit të Sigurimit, për diçka që do ta zëvendësonte Rezolutën 1244", tha Vitaly Churkin.

Ai po ashtu i vlerësoi si ilegale përpjekjet e Bashkimit Evropian për ta zëvendësuar misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë.

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremiq, kërkoi nga vendet që e kanë njohur Kosovën e pavarur për ta rishqyrtuar vendimin e tyre. Ai tha po ashtu se Serbia "nuk ka qëllim që të imponojë embargo" ndaj Kosovës dhe është shprehur se Serbia nuk do ta përdorë forcën kundër Kosovës.

Më tutje ai theksoi:

"Politika e Serbisë ndaj Kosovës nuk do të ndryshojë. Ky është edhe mesazhi im për Këshillin e Sigurimit. Për Kosovën, Serbia është e bashkuar dhe nuk ka gjasë që ky unitet të dëmtohet", tha Vuk Jeremiq në mbledhjen e mbrëmshme të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
XS
SM
MD
LG