Ndërlidhjet

Milloshoski: Republika e Maqedonisë/Shkup, propozimi final


Antonio Miloshoski,shefi i diplomacisë së Maqedonisë
Antonio Miloshoski,shefi i diplomacisë së Maqedonisë

Parlamenti i Maqedonisë do diskutojë të hënën propozimin e ri për ndryshimin e emrit të vendit. Republika e Maqedonisë/Shkup, është emri që do diskutohet dhe është cilësuar si propozimi final nga qeveria. Ende nuk është e qartë nëse Greqia, e cila nuk e pranon Maqedoninë me këtë emër, e pranon propozimin e ri.

Shefi i diplomacisë së Maqedonisë, Antonio Miloshoski pas takimit me kreun shtetëror dhe përfaqësuesit e partive politike në Maqedoni ka bërë të ditur se propozimi i fundit i të dërguarit të KB-ve, Metju Nimic, Republika e Maqedonisë/Shkup, vlerësohet si përfundimtar dhe të hënën do të dalë për diskutim në Parlamentin e Maqedonisë.

“Kemi dy konkluzione të përbashkëta. I pari është se këtë propozim, pas 15 vitesh negociata rreth mosmarrëveshjeve dypalëshe për emrin, e konsiderojmë si propozim përfundimtar në këtë proces. Konkluzioni i dytë është se procesi i ndërtimit të qëndrimit rreth këtij propozimi përfundimtar vazhdon ditëve të ardhshme dhe sipas Kushtetutës do të rezultojë me debat parlamentar ditën e hënë”, tha ministri i jashtëm, Antonio Milloshoski.

Qëndrimi zyrtar do të merret në seancën parlamentare të hënën, që do të jetë e hapur për opinionin, ndërsa ekziston mundësia që votimi të jetë i fshehtë.

Sipas skenarëve të mundshëm, Parlamenti duhet të japë pëlqim për miratimin e një rezolute finale në Kombet e Bashkuara për mbylljen e bisedimeve rreth emrit.
Kjo deklaratë formalisht do të nënshkruhej më 2 prill nga të dyja palët, ndërsa Rezoluta në KB do të votohet pas Samitit të Bukureshtit.

“Ne jemi të gatshëm për takime, çdokush që mendon se duhet të vazhdojmë me dialogun, presim po ashtu të jenë të gatshëm për takim”, vlerësoi Milloshoski.

Ndërkohë mbeten disa opsione të hapura duke pasur parasysh kërkesën e Greqisë, që të dielën të zhvillohet takimi i radhës në Athinë me ndërmjetësin Nimic, takim në të cilin pritet që pala greke të jap propozim të ri rreth emrit.

Ndërkaq ambasadori i BE-së në Shkup, Ervan Fuere tha se shpreson se do të gjendet zgjidhje për emrin e Maqedonisë.
“Nuk varet nga unë që të gjykojë, sepse ne nuk jemi të kyçur në këtë proces. Dua të përsëris se ne i nxisim përpjekjet e Qeverisë që të jetë e kyçur në këtë proces që udhëhiqet nga ndërmjetësuesi Nimic”, theksoi ambasadori evropian në Shkup, Ervan Fuere.

I pyetur se a duhet që Maqedonia të nderpresë bisedimet për emrin, Fuere deklaroi se porosia më e rëndësishme është që të dyja palët të angazhohen në këtë proces dhe të demostrojnë angazhimin për arritjen e një marrëveshje. “Nuk është mirë që të spekulohet rreth kësaj çështje. Mendoj se porosia më e rëndësishme është që të dyja palët të angazhohen në këtë proces. Ne i përshëndesim përpjekjet e Qeverisë dhe të negociatorit të saj dhe vlerësojmë se me kujdes duhet të shqyrtojnë propozimin e fundit dhe shpresojmë se do të gjendet një zgjidhje”, ka nënvizuar amabsadori i BE-së në Shkup, Ervan Fuere.
XS
SM
MD
LG