Ndërlidhjet

Tiranë: Anëtarësimi në NATO vendos standarde të reja


Trupat shqiptare që shërbejnë në Irak
Trupat shqiptare që shërbejnë në Irak

Ftesa për në NATO do të thotë më shumë përgjegjshmëri nga politikanët dhe më shumë përgjegjshmëri në sjelljen e institucioneve. Anëtarësimi e fut Shqipërinë në klubin e vendeve të sigurta. Anëtarësimi në NATO ka më shumë përgjegjësi se privilegje.

Dy ditë para samitit të Bukureshtit analistët dhe opinioni publik në Shqipëri, shprehin besimin se ftesa për anëtarësim do të merret.
Sipas tyre kjo bindje ekziston pasi shqiptarët kanë qenë fatkeqë në histori dhe se kjo ngjarje do të ishte edhe një mundësi për korigjimin e gabimeve të bëra.

Për analistin politik Henri Çili, marrja e ftesës për anëtarësim do të jetë një tregues i rëndësishëm i sigurisë dhe stabilitetit në Shqipëri.
"Anëtarësimi në NATO i siguron Shqipërisë një mbulesë shumë pozitive në funksion të zhvillimeve të brendshme, në funksion të stabilizimit politik, në funksion të stabilizimit të demokracisë dhe garantimit të sigurisë."

Sipas Çilit ftesa e Bukureshtit do të sjellë dhe standarde të reja për politikën dhe drejtuesit e saj në vend.
"Anëtarësimi në NATO është një stabilizator i jashtëm që i bëhet sistemit tonë politik. Ky sistem, pas kësaj, është edhe më shumë i detyruar të sillet në mënyrë korrekte, të jetë brenda standardeve dhe në një nivel krejt tjetër."

Opinionisti Aleksandër Çipa thotë se marrja e ftesës dëshmon përkrahjen e aleatëve ndërkombëtar ndaj Shqipërisë, jo vetëm për shkak të diplomacisë së saj ushtarake. Sipas Çipës, marrja e ftesës do të shtojë përgjegjësitë e institucioneve dhe shoqërisë në respektimin e ligjeve dhe kushtetutës së vendit.

"Përgjegjësi që nuk lidhen thjesht me mjedisin politik dhe situatën politike, por në shumë aspekte lidhet me standardet dhe kualitetet që ofron shoqëria shqiptare. Kjo do të thotë që gjithë shoqëria shqiptare, me të gjitha institucionet dhe shtyllat e ekzistencës së saj, të njohë një normë të re të respektueshmërisë ligjore", thotë Çipa për radion Evropa e Lirë.

Ndërkaq edhe qytetarët shqiptarë vlerësojnë se marrja e ftesës do të sjellë standarde të reja për politikën dhe zhvillimin e demokracisë në vend.
"Anëtarësimi në NATO është në rradhë të parë një detyrim që i lind vendit tonë, pasi hyjmë në një stad tjetër të demokracisë, ku rregullat e lojës ndryshojnë. Kjo do të thotë që do të kemi më përgjegjshmëri nga politikanët, më shumë përgjegjshmëri në mënyrën se si ndahet buxheti dhe më shumë përgjegjshmëri në sjelljen e institucioneve. Natyrisht anëtarësimi ka dhe privilegjet e veta, pasi vendi hyn në atë klub vendesh që quhen vende të sigurta. Anëtarësimi në NATO ka më shumë përgjegjësi se privilegje", thotë një qytetar i Tiranës.

Një tjetër kryeqytetas vlerëson:
"Kjo ftesë është shtytje për zhvillimin demokratik dhe gjithë zhvillimet e tjera që pasojnë".

Qytetarët ndajnë mendimin se anëtarësimi në NATO është shans për shqiptarët.
"Marrja e ftesës së anëtarësimit, që tshmë duket si e garantuar, është një ngarje e madhe historike. Shpresoj se opozita do t'i bashkangjitet shumicës qeverisëse me një politikë qytetare, pasi marrja e ftesës është një shans për shqiptarët, jo për politikën", thotë një qytetare e Tiranës në mikrofonin e Radios Evropa e Lirë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG