Ndërlidhjet

Times: "Moska shantazhon Ban Ki Moon-in"


Dimitry Medvedev dhe Ban Ki-Moon, gjatë takimit në Moskë
Dimitry Medvedev dhe Ban Ki-Moon, gjatë takimit në Moskë

E përditshmja "Times", në numrin e sotëm, shkruan për shqetësimet e disa diplomatëve perëndimorë se zoti Ban Ki Moon mund t'i ofrojë Rusisë koncesione thelbësore në raport me Kosovën. Zoti Ban mund të jetë nën presion për të emëruar një ndërmjetës të ri për të ripërtërirë bisedimet midis serbëve dhe kosovarëve, thonë diplomatët.


Ban Ki Moon është duke e intensifikuar ofenzivën e tij gjatë vizitës tre ditëshe në Moskë, pas kërcënimeve të Rusisë se do ta bllokojë mandatin e tij të dytë si Sekretar i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, për shkak të qëndrimit të tij mbi Kosovën.

Diplomatët perëndimorë janë të shqetësuar se shefi i Kombeve të Bashkuara mund t'i ofrojë koncesione thelbësore Rusisë mbi shtetin e ri, Kosovën, të cilin Rusia refuzon ta njohë. Kremlini është duke bërë presion mbi zotin Ban për ta injoruar ose të paktën për ta prolonguar periudhën tranzitore 120 ditëshe në Kosovë.

Zoti Ban mund të jetë nën presion për të emëruar një ndërmjetës të ri për të ripërtërirë bisedimet midis serbëve dhe kosovarëve, thonë diplomatët, duke u bazuar në disa spekulime se zoti Ban në këtë post mund të emërojë Jean Marie Guéhenno, udhëheqësin në largim të operacioneve paqeruajtëse në Kombet e Bashkuara.

Rjedhimisht, me gjithë deklaratën e pavarësisë më 17 shkurt dhe njohjen nga disa fuqi perëndimore, synimi i gjithë kësaj është që Kosova ta gjejë veten sërish në një periudhë të përkohshme me një status të paqartë.

Zoti Ban duket se është gjetur në mes të përplasjeve midis fuqive më të mëdha botërore rreth Kosovës. Ai nuk mund ta shmangë këtë çështje, sepse Kombet e Bashkuara duhet të tërhiqen nga Kosova dhe t'i bartin përgjegjësitë tek misioni i Bashkimit Evropian.

Sipas diplomatëve dhe burimeve në Kombet e Bashkuara, Kremlini ka filluar të kërcënojë zotin Ban që verën e kaluar, kur e ka ndjerë se është në favor të pavarësisë së Kosovës.

Si anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit, Rusia ka të drejtën e vetos dhe mund të bllokojë mandatin e dytë pesëvjeçar të zotit Ban Ki Moon, i cili fillon më 2012.

Dmitri Medvedev, presidenti i zgjedhur i Rusisë, e ka shfrytëzuar vizitën e zotit Ban për t'ië sulmuar ato që ai i ka quajtur përpjekje për të injoruar rezolutat e Këshillit të Sigurimit mbi çështjet sikur që është Kosova, duke lënë të kuptohet se po kritikon drejtpërsëdrejti neutralitetin e zotit Ban.

Edhe Sergei Lavrov, ministri i Jashtëm rus, ka nënvizuar vendosmërinë e Kremlinit, duke thënë se me zotin Ban janë pajtuar që "është e rëndësishme të veprohet në bazë të Rezolutës 1244 dhe është e domosdoshme që respektohet mandati i misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë".
XS
SM
MD
LG