Ndërlidhjet

FT: "Shansi i fundit i Clintonit për ta ndalur Obaman"



"Financial Times"

Me zgjedhjet preliminare të së nesërmes në Pensilvani, detyra e Hillary Clintonit nuk duket të jetë vetëm e vështirë, por është edhe gati e pamundshme. Tejkalimi i Barack Obamas në garën për nominimin e kandidatit presidencial nga radhët e demokratëve kërkon, mes tjerash, fitore bindëse në të gjitha ato vende ku do të mbahen zgjedhjet preliminare, e në mesin e tyre Pensilvania është më e madhja. Në këtë kuadër, sondazhet nuk janë edhe aq trimëruese për zonjën Clinton.

Gjëja më interesante është se prospektet e saj të zbehura nuk kanë lidhje me një fushatë jo të realizuar edhe aq mirë nga rivali i saj, Barack Obama. Madje, ky i fundit, me komentet që ka bërë në disa tubime zgjedhore, i është nënshtruar akuzave se është elitist dhe arrogant, një mëkat shumë më i madh në politikën amerikane se që do të ishte për shembull në Britani, ku nga politikanët pritet të jenë arrogantë.

Amerikanët, ndërkaq, nuk çajnë kokën për të pasur politikanët që analizojnë, shpjegojnë ose kërkojnë ndjesë në emrin e tyre.

Megjithatë, zonja Clinton ka nevojë për më shumë se një fitore në Pensilvani, ajo ka nevojë për një fitore të madhe. I takon asaj t'i bindë super-delegatët ende të papërcaktuar, duke fituar votën kolektive të demokratëve ose duke nxitur dyshime serioze për mundësinë e Barack Obamas që të fitojë zgjedhjet presidenciale të nëntorit.

Nëse dështon ta lëndojë zotin Obama të martën, presioni mbi zonjën Clinton për të hequr dorë nga gara do të intensifikohet dhe problemet e saj për të vazhduar garën në Indiana dhe Karolinën Veriore do të shtohen. Dhe, nëse refuzon të heqë dorë përkundër prospekteve të zbehta, super-delegatët e papërcaktuar të Partisë Demokratike, vota e të cilëve është vendimtare, do të rreshtohen prapa zotit Obama në qershor dhe ta zgjidhin këtë çështje.

Vetëm një person do të dëshironte zvarritjen e kësaj beteje për aq sa është e mundshme, John McCain, kundër-kandidati republikan në zgjedhjet presidenciale të nëntorit. Nëse dhe kur zonja Clinton vendos të tërhiqet, votuesit e saj duhet të vendosin nëse duan të zgjedhin zotin Obama apo zotin McCain. Dhe, do të jetë ky rasti për të parë se si e kanë përjetuar mbështetësit demokratë qasjen superiore të zotit Obama ndaj besimeve të tyre.

XS
SM
MD
LG