Ndërlidhjet

“Kërkohet siguri më 11 maj”


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
LAJM
Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) kërkoi të martën nga Shërbimi Policor i Kosovës (SHPK) që t'i shtojë masat e sigurisë gjatë kësaj fundjave, kur Serbia pritet të organizojë mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare dhe atyre lokale edhe në Kosovë. Pakoja e Ahtisaarit ua mundëson serbëve të Kosovës të votojnë për zgjedhjet parlamentare në Serbi, por jo edhe për ato lokale. Në pamundësi të pengohet organizimi i zgjedhjeve lokale serbe në Kosovë, institucionet e Kosovës, të paktën, kërkojnë që ato të injorohen. Edhe kryetarët e komunave dhe zyrtarë të lartë të SHPK-së kërkuan që këto zgjedhje të injorohen në maksimum. Kryetari i AKK-së, Bajram Rexhepi, kërkoi nga qytetarët që të mos bien pre e provokimeve. Ai veçoi situatën e ndjeshme në Mitrovicë, ku mund të priten provokime të tilla. Gjeneral-nënkolonel Sheremet Ahmeti premtoi siguri për të gjithë qytetarët, duke thënë se Shërbimi Policor i Kosovës, bashkë me mekanizmat e tjerë të sigurisë, po e vëzhgon situatën në gjithë territorin e Kosovës, sidomos në zonat
kufitare...

EPOKA E RE
Kryeministri shqiptar, Sali Berisha, ka paraqitur të martën rezultatet e vizitës së tij në Bruksel. Me këtë rast, Berisha është përqendruar te kundërshtimi i "Shqipërisë për mbajtjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë, te reformat e domosdoshme për integrimin euroatlantik dhe te disa çështje që lidhen me politikën e brendshme në Shqipëri. Kryeministri Sali Berisha e ka quajtur një problem shumë të rëndësishëm mbajtjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë. Berisha ka kritikuar ashpër qëndrimin e Beogradit dhe ka kërkuar në takimin me presidentin e Komisionit Evropian, Hose Manuel Barroso, dhe me kryeministrin e Belgjikës, Iv Leterem, që çështja të trajtohet me shumë seriozitet. Kryeministri Berisha ka theksuar se Beogradi po përpiqet të manipulojë me mbajtjen e zgjedhjeve në Kosovë. "Kjo është një çështje që duhet të merret me seriozitetin më të madh. Paqja në Ballkan, stabiliteti në Ballkan, kërkon jo pararojë për shtete të pastra etnike, por respektimin e standardeve evropiane të komuniteteve aty ku jetojnë. Tri komuna homogjene të një etnie përsëriten në dhjetëra raste në Gadishullin e Ballkanit, por askush nuk ka të drejtë të manipulojë me to"...

KOHA DITORE
Misioni i OSBE-së në Kosovë, në fillim të këtij viti, ka adaptuar një terminologji të re, të cilën nëpunësit e saj duhet ta ndjekin pas ndryshimeve në terren nga pavarësimi i Kosovës. Gjëja e parë që nëpunësve u është thënë se nuk duhet ta ngatërrojnë është që Parlamenti i Kosovës ka shpallur pavarësinë, e të mos përdorin terme sikur shpallja e njëanshme e pavarësisë apo shpallja e koordinuar e pavarësisë. Këtë terminologji, në të cilën gazeta ka pasur qasje, mediat serbe e kanë cituar si një dokument intern të OSBE-së në Kosovë, por, në fakt, më shumë i ngjan një letre reference për të këshilluar nëpunësit e këtij misioni se si të sillen me rrethanat e reja. Ky dokument as nuk e njeh pavarësinë e Kosovës e as nuk e pengon punën e personelit të OSBE-së, edhe pse mediat serbe thonë se pas pavarësisë së Kosovës OSBE-ja ka nxjerrë terminologji të re për përdorim zyrtar, që është në kundërshtim me qëndrimin e Beogradit. Mirëpo, edhe pse gazeta ka pasur qasje në këtë dokument, Misioni i OSBE-së në Kosovë i ka quajtur si të pavërteta shkrimet në mediat serbe se ky mision ka nxjerrë një dokument me të cilin terminologjia zyrtare është në saje të njohjes së realitetit të krijuar në terren pas shpalljes së pavarësisë...

BOTA SOT
Shtetasit e Republikës së Kosovës do të mund të kenë pasaportat e reja kah mesi i korrikut të këtij viti. Dokumentet e reja do të jenë të ngjashme me këto që shfrytëzohen tash nga qytetarët e Kosovës. Megjithatë, ato do të ndryshojnë në aspektin e sigurisë, për shkak të elementeve shtesë të sigurisë që do të posedojnë. Normalisht, pasaporta e re do të identifikohet me simbolet shtetërore të vendit. “Një kontingjent prej 600 mijë pasaportash me mbishkrimin Republika e Kosovës do të shpërndahen në muajin korrik dhe për këtë proces janë bërë të gjitha përgatitjet. Pasaportat e reja do të jenë gjysmë biometrike, por nuk do të kenë edhe çipin e sigurisë me të dhëna biometrike. I gjithë procesi ëhstë monitoruar nga ekspertë të Komisionit Evropian”, vlerëson kreu i MPB-së, Zenun Pajaziti...

ZËRI

Katër ditë para se serbët t’u drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në Parlamentin shtetëror, Kosova e ka bërë të qartë preferencën për fitoren e demokratëve, të cilësuar si pro evropianë, të drejtuar nga presidenti aktual i Serbisë, Boris Tadiq. Alternativat e serbëve për këto zgjedhje janë më të ngushta se asnjëherë më parë. Ata duhet te përcaktohen nëse vendin do ta orientojnë drejt integrimeve në Evropë përmes Tadiqit apo do ta thellojnë varësinë e Serbisë me Rusinë, nëse besimin për drejtimin e vendit ia japin radikalëve të të akuzuarit për krime lufte, Vojislav Sheshel, partia e të cilit udhëhiqet nga Tomislav Nikoliq. Mundësia e dominimit të radikalëve në skenën politikë të Serbisë ka ngjallur shqetësime në arenën politike ndërkombëtare dhe si masë për përforcimin e forcave pro perëndimore, Brukseli në procedure të përshpejtuar, javën e kaluar, ka nënshkruar Marrëveshjen për Stabilizim Asociim me Serbinë...

KOSOVA SOT
Megjithëse nuk ishte bërë shumë publicitet, kanë mjaftuar disa njoftime shtypi dhe dera e Hashim Thaçit është “uzurpuar” nga shtetasit kosovarë. Secili në hallin e vet, por plot edhe thjesht për “hobi”, për ta parë nga afër kryeministrin, parakaluan tek i pari i Qeverisë. Simbolikisht, kjo hapje është e qëlluar, sepse e thyen imazhin e pushtetit apo të njerëzve të paprekshëm, që enden me vetura të shtrenjta e që shoqërohen me dhjetëra roje dhe ti, si qytetar i thjeshtë, nuk i takon dot. Nëse kjo nismë komunikimi me njerëzit vazhdon, atëherë një përgëzim vlen t’i bëhet Thaçit. Kjo afri me jetën e rëndomtë, me përditshmërinë kosovare, aty ku ziejnë mijëra probleme, është një gjë e munguar. Qeveritarët tanë, në këtë periudhë relativisht të shkurtër të përvojës institucionale, kanë krijuar mitin e zyrtarit të shkëputur nga bota reale...

EXPRESS
Ekzistojnë tre skenarë që tashmë po qarkullojnë nëpër korridoret diplomatike të Brukselit, të cilët trajtojnë mundësinë e fitores së aleancës "populloro-radikale" në zgjedhjet në Serbi dhe të udhëheqjes së politikës së hapur anti-evropiane, përfshirë këtu edhe mosratifikimin e Marrëveshjes së nënshkruar të Stabilizim-Asociimit (MSA). Në që të tre skenarët faktor i përbashkët është izolomi politik i Serbisë, ndërkohë që izolimi i plotë ekonomik është i mundur vetëm në njërin prej tyre, megjithëse edhe atëherë Serbia nuk do të përjetonte sanksione të ngjashme me ato të viteve të nëntëdhjeta të shekullit të kaluar. Me fjalë tjera, Serbia me një qeveri të Vojislav Sheshelit dhe të Vojislav Koshtunicës do të kishte një trajtim përjashtues, sikurse që dikur kishte Kroacia e Tugjmanit apo Sllovakia e Mechijerit. Skenari i parë parasheh të ashtuquajturën 'soft-isolation' të Serbisë, që praktikisht do të thotë se Unioni nuk do të stoponte ndihmat tashmë të aprovuara, as vijat kreditore të Serbisë dhe as s'do të anuloheshin benefitet ekonomike, të cilat Serbisë ia jep BE. Mirëpo, nuk do të kishte as ndihma e as kredi të reja, e paralelisht me këtë vendi do përballej me një përjashtim të plotë politik të qeverisë së ardhshme të Serbisë nga të gjitha rrjedhat relevante politike të Kontinentit të Vjetër...

INFOPRESS
Ministri belg i Punëve të Jashtme, Karel De Gucht, ka deklaruar se Brukseli zyrtar ka nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me Serbinë, pa Kosovën. “Sipas mendimit tim, ne kemi nënshkruar marrëveshje vetëm me Serbinë, pa Kosovën”, ka thënë De Gucht, në një prononcim për mediat serbe. Belgjika e ka njohur pavarësinë e Kosovës më 24 shkurt, ndërsa bashkë me Holandën ka kundërshtuar nënshkrimin e MSA-së mes BE-së dhe Serbisë, deri në takimin e fundit të Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian. Në Serbi, ndërkaq, është duke u zhvilluar një luftë e ashpër paraelektorale në mes të forcave pro perëndimore dhe atyre nacionaliste, ku të parët qëndrojnë prapa nënshkrimit të MSA-së, duke thënë se ajo nuk paragjykon statusin e Kosovës...
XS
SM
MD
LG