Ndërlidhjet

"Misioni i BE-së para vonesave të reja"


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
ZËRI
Ban Ki-Mun, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, sipas burimeve diplomatike perëndimore, ka përgatitur tashmë një Draft-Letër, e cila do të duhej të rrumbullakohej deri në fund të këtij muaji, ku njëshi i OKB-së do të prezantonte qëndrimet dhe idetë e tij në lidhje me rikonfigurimin e UNMIK-ut pas 15 qershorit, kur duhet të hyjë në fuqi Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe prej kur do të duhej të fillonte procesi i përmbylljes së misionit të administratës ndërkombëtare në Kosovë, të instaluar në bazë të Rezolutës 1244 të KS të OKB-së. Bazuar në burimet e përmendura del që Ban Ki-Mun do t'i dërgojë dy letra në dy adresa, për të njëjtën çështje: Te kryetari i Kosovës, Fatmir Sejdiu (dhe pushteti qendror i vendit), dhe te kryetari i Serbisë, Boris Tadiq. Kjo letër do të duhej të ishte edhe rezultat i konsultimeve intensive në mes të Nju Jorkut dhe Brukselit, të cilat janë bërë në javët e fundit në Nju Jork. Delegacioni evropian është udhëhequr nga Shtefan Lene, dikur emisar special i BE-së për Kosovën, në periudhën kur bisedimet për statusin e Kosovës priheshin nga Martti Ahtisari. Letra e Ban Ki-Munit pritet të ketë rëndësi vendimtare sa i përket mënyrës se si do të organizohet bashkësia ndërkombëtare në Kosovë, pas 15 qershorit, sepse dihet që një rrëmujë e vazhdueshme, e përcjellë me shumë spekulime, ka përcjellë raportet midis UNMIK-ut, ICO-s dhe EULEX-it, veçmas pasi që u mor vesh që Ban Ki-Mun dëshiron disi të mbajë në Kosovë UNMIK-un...

KOHA DITORE
Takimi i ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian, të hënën në Bruksel, nuk ka sqaruar shumë rreth nisjes së misioneve të BE-së në Kosovë. Madje ky takim në një mënyrë ka shtuar edhe më shumë konfuzion dhe ka rritur mundësinë për vonesa në nisjen e këtij misioni. Ndonëse ministri i Jashtëm i Sllovenisë, Dimitrij Rupel, pati thënë në mëngjes, para takimit, se misioni i EULEX-it me shpresë do të fillojë, siç u shpreh ai "pak a shumë me kohë", sapo të hyjë në fuqi Kushtetuta e Kosovës, vetë ai pas takimit e pranoi se mund të ketë "disa vonesa" megjithëse, sipas tij "jo dramatike". Rupel tha se rreth Kosovës "po mbahet linja politike që ishte caktuar që nga dhjetori" dhe nënvizoi se, sipas tij, "BE-ja vazhdon ta ruajë unitetin rreth misionit të EULEX-it në Kosovë". Për Kosovën është diskutuar në mënyrë joformale gjatë drekës dhe disa ministra, përfshirë Franco Frattinin e Italisë dhe Bernard Kouchnerin e Franceë, pranuan se mund të ketë vonesa në nisjen e misionit të EULEX-it. Madje, ministri i Jashtëm italian, Frattini, tha se misioni mund të fillojë diku në shtator apo edhe në tetor...

EXPRESS
Brenda një viti kosovarët do të kenë mbi 20 festa. Si kompromis, përpos 28 Nëntorit, tash me ermrin Dita e Shqiptarëve, në ligj janë futur edhe 9 ditë të tjera memoriale, ku përfshihen ditët e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë, përveç atij serb, që duket të mos jetë brengosur për festat e tyre që duhet t'i kenë në Ligjin për festat. Për liderin e Listës Serbe për Kosovën, Oliver Ivanoviq, kjo është e qartë. Ai mendon se dy festat që duhet të hyjnë në këtë ligj, që kanë shumë rendësi për këtë komunitet, janë Sretenje Gospodnje dhe Vidovdani. Festa e parë është religjioze dhe politike në të njëjtën kohë. 40 ditë pas mbarimit të Pashkëve ortodokse, serbët e festojnë këtë ditë. Po në këtë ditë është shpallur edhe Kushtetuta e Serbisë, e cila e njeh Kosovën si pjesë përbërëse të saj. "Nuk është si në treg, ti i ke dy, unë i kam dy edhe nuk mund të zgjedhim. Janë dy ditë që janë shumë me rëndësi për komunitetin serb, është Sretenje Gospodnje; është festë religjioze edhe në atë ditë është shpallur Kushtetuta e Serbisë...", thotë Ivanoviq, i cili shton se këto janë vetëm propozime private të tij...

EPOKA E RE
Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Skënder Hyseni, të hënën, gjatë takimeve të ndara me ambasadorët e disa vendeve arabe të akredituar në Austri dhe në organizatat e OKB-së në Vjenë, u ka bërë thirrje që të marrin vendimin sa më të shpejtë për njohjen e Kosovës shtet i pavarur dhe sovran...Në takime, shefi i diplomacisë kosovare ka folur gjerësisht për zhvillimet në Kosovë pas shpalljes së pavarësisë, përparimet në fushën e legjislacionit dhe sfidat me të cilat po përballet vendi ynë. Për ministrin Hyseni, Kushtetuta e re e Kosovës, e aprovuar kohë më parë nga Parlamenti i Kosovës, është një Kushtetutë moderne, e cila respekton standardet më të larta të njohura ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe të pakicave etnike. Këtë bindje ai e përcolli në të gjitha takimet e zhvilluara, duke kërkuar nga bashkëbiseduesit vazhdimin e përkrahjes për shtetin e ri të Kosovës, si dhe ka theksuar se njohja sa më e shpejtë e shtetit të Kosovës, për popullin e Kosovës krijon një perspektivë të re dhe të qëndrueshme për zhvillim të gjithanshëm...

INFOPRESS
Jo rastësisht aktet e ndryshme ligjore, të cilat janë hartuar për Kosovën, janë në forma të tilla, të cilat lënë dykuptimësi apo edhe shumëkuptimësi të çështjeve dhe problemeve të ndryshme. Me këtë edhe Rezoluta 1244 e Kombeve të Bashkuara, e miratuar në qershor të vitit 1999, lë të hapur mundësinë dhe hapësirën që në periudha të caktuara dhe për çështje të caktuara ajo të interpretohet në forma të ndryshme dhe në bazë të interesave të qarqeve të caktuara ndërkombëtare. Debatet e fundit rreth misionit të UNMIK-ut dhe mosarritja e një kompromisi mes Kombeve te Bashkuara dhe Bashkimit Evropian rreth pranisë ndërkombëtare në Kosovë, patjetër se janë produkt i rezolutave dhe dokumenteve të tilla. Edhe pse në një formë ose tjetër, tanimë thuajse është zyrtarizuar fakti se kompromisi i vetëm që mund të arrihet mes BE-së dhe OKB-së për sa i përket Kosovës është operimi i dy misioneve ndërkombëtare, që do të raportojnë në dy qendra të ndryshme, përkatësisht Nju Jork dhe Bruksel. Por, ajo që është më tepër shqetësuese në këtë aspekt, është çështja e tranzicionit dhe bartjes së paraparë të kompetencave nga UNMIK-u tek institucionet e Kosovës...

BOTA SOT
Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka thënë të hënën gjatë një takimi me Knut Volleback, komisionar i lartë i OSBE-së për minoritetet, se është koha e fundit që t'u jepet përgjigje e qartë dhe energjike të gjitha strukturave paralele që Serbia dëshiron të ndërtojë në Kosovë. Pasi rikujtoi qëndrimin e institucioneve të Kosovës lidhur me të ashtuquajturat institucione serbe të dala nga vota e zgjedhjeve të jashtëligjshme të 11 majit, presidenti Sejdiu ritheksoi garancitë e institucioneve të Kosovës për të vazhduar respektimin e plotë të standardeve ndërkombëtare në fushën e lirisë dhe të drejtave të njeriut dhe të komuniteteve pakicë. Ndërsa, Vollebaek tha se puna që po bëhet është shumë e rëndësishme për Kosovën, posaçërisht për komunitetet pakicë...

LAJM
Me ftesë të ministres së Punës dhe të Çështjeve Sociale në Qeverinë e Bullgarisë, Emilia Maslarova, një delegacion i Ministrisë së Punës dhe i Mirëqenies Sociale në Qeverinë e Kosovës, i udhëhequr nga ministri Nenad Rashiq, po merr pjesë në Konferencën e Nivelit të Lartë Rajonal për burime njerëzore që po mbahet ne Sofje. Qëllimi i kësaj konference konsiston në marrjen e hapave për formulimin, implementimin dhe rishikimin e politikave për zhvillimin e resurseve njerëzore, si dhe bashkëpunimin teknik mes vendeve të rajonit. Ministri Rashiq, gjatë qëndrimit në Sofje, ka zhvilluar takime të veçanta me homologun e tij turk, Faruk Çelik, dhe me komisionarin evropian për Punë dhe Çështje Sociale, Vladimir Shpidlle. Gjatë takimit me komisionarin Shpidlle, është biseduar rreth ndarjes së kuotave për punësim në vendet anëtare të Bashkimit Evropian, kurse në takimin me ministrin turk, Çelik, ministri Rashiq është ftuar për një vizitë zyrtare në Turqi, e cila pritet të realizohet gjatë muajit qershor të këtij viti...

KOSOVA SOT
Gazeta ka arritur ta sigurojë listën me emrat e deputetëve që kanë votuar për, kundër dhe të atyre që abstenuan në procesin e votimit final për Projektligjin për festat zyrtare në Republikën e Kosovës dhe ka konstatuar se ky dokument nuk e ka fare mbështetjen e shumicës shqiptare në Kuvendin e Kosovës. Drama me të cilën u ballafaqua Kuvendi i Republikës së Kosovës ditën e premte, në procesin e miratimit të Projektligji për festat zyrtare në Republikën e Kosovës, sipas burimeve të Kuvendit, ka qenë shumë serioze. Besohet se të premten vonesa e fillimit të punimeve të seancës nuk ishte në pyetje për shkak të mospajtimit të zyrave diplomatike rreth futjes në ligj të festave të modifikuara dhe numrit të tyre, por fakti që me propozimet e formuluara nuk ka pasur pajtueshmëri të nevojshme për kalimin e ligjit brendapërbrenda grupeve parlamentare të spektrit politik shqiptar, si në pozitë ashtu edhe në opozitë. Dihet se nga 87 deputetët e pranishëm, kundër ligjit kanë votuar 32 deputetë, për ishin 49 dhe kishte 9 abstenime...

XS
SM
MD
LG