Ndërlidhjet

Kritikohet mbetja e UNMIK-ut pas 15 qershorit


Pamje në Prishtinë
Pamje në Prishtinë

Liderët kosovarë u pajtuan që pas 15 qershorit në Kosovë të mbetet UNMIK-u dhe EULEX-i. Ky dualizëm misionesh, sipas analistëve, vjen si pasojë e mungesës së unitetit dhe ideve alternative nga pala kosovare.


Prania e UNMIK-ut pas datës 15 qershor tashmë u pranua nga liderët e Kosovës, pavarësisht se as Kushtetuta e as pakoja e Ahtisaarit nuk e parashohin një gjë të tillë, pas hyrjes në fuqi të Kushtetutës.

Zëdhënësi i UNMIK-ut, Rusell Geekie, thotë se ende nuk ka instruksione nga selia qendrore e Kombeve të Bashkuara se çfarë do të bëhet me këtë mision pas 15 qershorit.

“Nuk mund të flas për rikonfigurim, sepse edhe më tej jemi duke pritur udhëzimet nga selia qendrore në Nju Jork, të cilat shpresojmë se do t’i marrim shumë shpejt”, tha Rusell Geekie.

Pakoja e Ahtisaarit parasheh që pas periudhës së tranzicionit, UNMIK-u të shuhet, ndërsa kompetencat t’ia bartë institucioneve të vendit dhe një pjesë misionit të Bashkimit Evropian.

Analisti politik, Ilir Dugolli, thotë se qëndrimi i fundit i institucioneve të Kosovës, se UNMIK-u mund të qëndrojë në Kosovë edhe pas 15 qershorit, nuk është befasues.

“Për të ndodhur ndryshe, është dashur të ketë unitet dhe këmbëngulje nga të gjithë për ndonjë qasje tjetër. Në të njëjtën kohë, është dashur të ketë ide alternative se çfarë duhet bërë, e deri më tani nuk kemi pasur as njërën e as tjetrën”.

“Reperkusionet e pranisë në veri varen nga një numër i faktorëve të huaj. Nëse lihet dera e hapur për largim, nuk do ketë pasoja të mëdha, por duhet shfrytëzuar praninë në të mirë të institucioneve. Por, nëse UNMIK-ut nuk i bëhet me dije se institucionet e Kosovës janë pushteti sipëror, ky largim mund të zvarritet”, thotë Dugolli.

Por, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, praninë e mëtejme të UNMIK-ut e konsideron të rrezikshme dhe si një gjë që mund të çojë kah ndarja e Kosovës.

“Me vetë faktin se qeveria nuk ndërmerr asgjë që Kosovën ta bëjë esencialisht e përmbajtësisht të pavarur, këto dy misione, ICO dhe EULEX, në njërën anë, dhe UNMIK-u në anën tjetër, do të bashkëjetojnë, sepse do të sundojnë të dyja edhe mbi Kosovën, edhe mbi qeverinë e Kosovës”.

“Në terren, Kosova do të mbetet e ndarë, me ç’rast Serbia e realizon ndarjen funksionale, që nënkupton ndarje administrative, institucionale dhe territoriale mbi baza etnike. Ndërkaq, në anën tjetër, miratimi i Kushtetutës së Kosovës nuk prodhon kurrfarë sovraniteti dhe integriteti territorial për Kosovën”, shprehet Kurti.

Serbët e koncentruar në veri të Kosovës si dhe në enklavat tjera në Kosovën qendrore vazhdojnë të kundërshtojnë praninë e EULEX-it në mjediset e tyre, përderisa i pranueshëm mbetet vetëm misioni i UNMIK-ut dhe KFOR-i.

Kurti shfaq bindjen se Kombet e Bashkuara në Kosovë e fuqizojnë ndarjen.

“UNMIK-u e fuqizon ndarjen në terren, sepse është UNMIK-u ai që ka toleruar për nëntë vjet me radhë strukturat paralele të Serbisë. Dhe, përveç kësaj, janë UNMIK-u dhe Qeveria e Kosovës ata që i toleruan zgjedhjet e Serbisë dhe tash dalëngadalë do ta bëjnë edhe njohjen e strukturave të dala nga ato zgjedhje”.

“Pra, UNMIK-u që bazohet në Rezolutën 1244, e mban jo vetëm gjallë, por edhe shumë të fuqishme Serbinë përbrenda Kosovës”, thotë Kurti.

Analisti Ilir Dugolli pranon se pa një strategji të duhur nga ana e institucioneve të Kosovës dhe nga Brukseli, ndarja në vija etnike e Kosovës mund të bëhet realitet.

“Nëse nuk ka strategji që të vendoset për institucionet në veri, rreziku potencial mbetet, sepse nga ana serbe kemi strategji të qartë për të betonuar ndarjen në çfarëdo forme që është e mundur”.

“Unë shpresoj se kjo do të pengohet mbi të gjitha, duke ia bërë me dije UNMIK-ut në terren, se pas 15 qershorit është një strukturë e vetme vendore bartëse e pushtetit”, tha Dugolli.

Sidoqoftë, Dugolli dhe Kurti pohojnë se hyrja e Kushtetutës se Kosovës në fuqi më 15 qershor, nuk do të vërehet shumë në terren, meqë edhe pas kësaj date, institucionet e Kosovës nuk do të mund ta shtrijnë autoritetin e tyre në veri, ku vazhdojnë të qeverisin strukturat paralele të Qeverisë serbe.
XS
SM
MD
LG