Sërish pritjet nga Nju Jorku po vonojnë zbarkimin e trupave të EULEX-it në Kosovë. Zëdhënësi i këtij misioni, Victor Reuter, shpreson se sot ose nesër do të arrijnë instruksionet për rikonfigurimin e UNMIK-ut, e që në të njëjtën kohë do t’i hapnin rrugë zbarkimit të plotë të misionit evropian për sundimin e ligjit në Kosovë.
“Me rëndësi është që t’i marrim këto instruksione, ndoshta sot, ose nesër. Ne do t’i kontrollojmë këto instruksione dhe meqë jemi mision teknik, ne nuk lidhemi për status. Por, sidoqoftë, ne do të konsultohemi për to me qeverinë, do të koordinohemi me UNMIK-un, KFOR-in dhe në fillim të javës së ardhshme mund të themi diçka më shumë”, tha Victor Reuter.
Plani për rikonfigurim të UNMIK-ut është përkrahur nga shumica dërrmuese e anëtarëve të Këshillit të Sigurimit. Sekretari i Përgjithshëm, Ban Ki Moon, mbi të cilin bie barra e dhënies së instruksioneve për këtë rikonfigurim, pritet që brenda ditëve t’ia qartësojë rolin UNMIK-ut. Por, nga UNMIK-u nuk jepen detaje se si do të duket kjo administratë e rikonfiguruar.
“Shefi i ri i sapoemëruar i misionit (UNMIK-ut) po shikon planet për rikonfigurim dhe në konsultime me Nju Jork-un presim zhvillime të shpejta, por nuk mund të flas për detaje. Është shumë herët të flitet për to; mendoj se do ketë një veprim linear, por disa departamente do të zvogëlohen, por nuk mund të jap detaje tjera tash”, thotë zëdhënësi i UNMIK-ut Aleksandër Ivanko.
Sidoqoftë, zyrtarët ndërkombëtarë pohojnë se zvogëlimi i njërit mision dhe rritja e tjetrit nuk do të shkaktojë zbrazësi në sektorin e sigurisë, meqë ata premtojnë që për asnjë çast Kosova nuk do të mbetet pa trupa ndërkombëtare të sigurisë.
Megjithatë, Victor Reuter pohon se zbarkimi i të gjitha trupave të EULEX-it do të marrë kohë.
“Njëri nga problemet jashtë kornizës ndërkombëtare politike është se kemi probleme logjistike dhe teknike. Kur ta marrim dritën e gjelbër, që shpresoj se do të mbërrijë në ditët e ardhshme, atëherë duhet bërë disa gjëra logjistike, si përpilime të memorandumeve të mirëkuptimit e të tjera”.
“Nëse drita e gjelbër për zbarkim ndizet siç e presim, nga ana logjistike ne mund t’u bëjmë ballë zbarkimit të vetëm 100 njerëzve në javë. Kështu që duhen javë për t’u zbarkuar. Nuk mund të jemi më të shpejtë, sepse teknikisht nuk është e mundur”, thotë Reuter.
Misioni i EULEX-it do të ketë një staf prej mbi 2200 personash, të cilët do t’i ndihmojnë autoritetet e Kosovës në ndërtimin e një sistemi funksional të sundimit të ligjit. Ata do të mbikëqyrin drejtësinë, policinë dhe doganat. Bashkimi Evropian thotë se misioni i tyre nuk do të zëvendësojë UNMIK-un, pasi që do të jenë institucionet e Kosovës ato që do të zëvendësojnë administratën e OKB-së.