Serbët janë të vendosur që të formojnë kuvendin paralel, po tani duke i ndryshuar emrin - nga Kuvendi serb në Kuvend të Bashkësisë së Komunave të Kosovës.
Kryetari i Asociacionit të komunave dhe vendbanimeve serbe, Marko Jakshiq, thotë se ky kuvend do të formohet më 28 qershor, në atë që serbët e festojnë si ditë të Vidovdanit.
“Ekziston një qëndrim mes partive dhe subjekteve tjera politike. Ne llogarisim se vetëm kuvendi serb do të jetë një themel, një barrikadë dhe një kufi, poshtë të cilit nuk mund të shkohet kur është në pyetje territori i Kosovës dhe përmes të cilit do të vihet një bashkëpunim mes serbëve”.
“Kjo do të jetë një lidhje e të gjithë serbëve si nga Kosova, ashtu edhe nga jashtë saj, për të kundërshtuar krijimin e një shteti tjetër shqiptar në Ballkan”, tha Jakshiq.
Krijimi i parlamentit serb është një përgjigje politike e serbëve kundrejt shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe fuqizimit të kushtetutës. Jakshiq thotë se prioritet i punës së të ashtuquajturit Kuvend i Bashkësisë së Komunave të Kosovës do të jetë lufta për mbrojtjen e interesave të të gjithë serbëve në Kosovë.
“Mendoj se qëllimi kryesor i këtij Kuvendi është që t’i artikulojë interesat tona shtetërore dhe kombëtare në territorin e Kosovës, që të kemi përfaqësues legjitimë dhe legalë serbë, të cilët, në emër të popullit serb, të flasin atë që është në interes të serbëve në pjesën veriore të Kosovës”.
“Po ashtu, duhet shtruar rrugën për qëndrimin tonë politik ndaj EULEX-it dhe çështje tjera që janë në interes të serbëve”, tha Jakshiq.
Por, edhe pse Jakshiq e cilëson kuvendin serb si një lidhje të të gjithë serbëve, ka zëra në mesin e serbëve që e kundërshtojnë këtë veprim. Politikani serb, Oliver Ivanoviq, e quan këtë kuvend të dështuar dhe jetëshkurtër.
Ndërkaq, nënkryetarja e Këshillit Nacional Serb për Kosovën qendrore, Rada Trajkoviq, vlerëson se në Kosovë aktualisht ky kuvend është i panevojshëm.
“Mendoj se nga ky legjitimet lokal, assesi nuk mund të formohet diçka që do të kishte legjitimet të nivelit krahinor. Mendoj se në këtë moment është plotësisht i panevojshëm dhe kjo për dy arsye shumë relevante. E para, ky veprim nuk i përgjigjet aktit nacional më të lartë legal - mendoj për kushtetutën, dhe në anën tjetër, të respektohet legjitimiteti në nivel lokal, duhet të ketë legjitimet në nivelin republikan, e ne e dimë se kemi probleme me legjitimitet dhe ligjshmëri”.
“Tani duhet të lejohet formimi i qeverisë në Serbi dhe të vazhdohet lidhja e serbëve të Kosovës me qeverinë tonë në Beograd”, tha Rada Trajkoviq.
Serbët e Kosovës, që nga shpallja e pavarësisë, kanë forcuar strukturat paralele të Qeverisë serbe në Kosovë.
Ata tashmë kanë formuar ato që i quajnë kuvende komunale të dala nga zgjedhjet lokale serbe të 11 majit, kuvende këto që cilësohen nga autoritetet e Kosovës si ilegale, siç janë shpallur edhe vetë këto zgjedhje. Por, deri tash nuk ka pasur ndonjë lëvizje as nga institucionet ndërkombëtare e as nga këto vendore për t’i zhbërë këto struktura ilegale paralele.